ALEANCA SHQIPTARO-TURKE NE MBROJTJEN E BEZHANIT


ALEANCA SHQIPTARO-TURKE NE MBROJTJEN E BEZHANIT

IBRAHIM D. HOXHA
ABEDIN RAKIPI

BEZHÁN,~I(i poshtëm dhe i sipërm). 1. Fshatra 13-14 km. në jug të Janinës. Në lartësitë rreth këtyre dy fshatrave që para 1912-s ishin ngritur fortifikata të pajisura me armë të rënda. Rëndësia dhe fuqia e nyjës së Bezhanit pasqyrohet edhe në këto vargje: “O Bezhan përmbi Janinë,/ jeshe istikam i mirë,/ treqind topa një të shtirë,/ bien gjuletë me zinxhirë...”(Kënga e plotë gjëndet në librin “Bilbilë e Thëllëza Çame”); drejtohej nga kolonel Veip bej Janina, një nga ushtarakët më në zë të shkallës së vet. Në nyjën e Bezhanit ishte koka dhe boshti i truparmatës III osmane(Içinxhi kollordù); ajo përbëhej nga dy njësi ushtarakësh: njëra prej ushtarësh shqiptarë(në shumicë) dhe turq të shërbimit të detyruar; tjetra prej rezervistësh shqiptarë të të gjitha klasave. Truparmata në fjalë komandohej nga valiu Esad pasha Janina, një nga gjeneral-nënkolonelët shtabmadhorë më trima dhe më të zotë të ushtrisë osmane. Fortesa e ngritur në Bezhan përbënte jo vetëm nyjën kryesore të mbrojtjes së Janinës, por edhe pritën kryesore të tërë viseve të tjera të Jugshqipërisë; prandaj ushtarët shqiptarë dhe turq qëndruan atje me vetëmohim shembullor. Prej 18 tetorit 1912 e deri më 6 mars 1913 truparmata në fjalë bëri një qëndresë shembullore kundër njësive ushtarake mësyese greke në fillim 3 herë -e në vazhdim 4-5 herë- më të shumta. Gjatë 10-ditshit III të tetorit dhe gati tërë nëntorin përleshjet vazhduan nëpër malet në V-P të Nartës dhe më tepër në vendin e fortifikuar “Pesë Puse”. Vargjet e Tol Arapit -pjesëmarrës në to- janë pasqyrë e gjallë e atyre luftimeve dhe e trimërisë së rrallë të bashkëmbrojtësve të vet shqiptarë. “Që nga majat e Hanoit(Ananói, mal në V-P të Nartës –I.D.H.)/ dhe nga Shklìvani(fshat – I.D.H.) i shkretë,/ tërë brinjat dhe përrenjtë,/ seç u mbushën plot me grekë./ Bënin sulje përmbi tanët/ me fuqira të mëdha,/ flak’ u dhes më gjithë anët/ në Hanua e Pistà(fshat –I.D.H.)...M’anë tjetër të Hanóit,/ në tërë majën e malit/ dhe në grykë të përroit,/ dëgjohej pushk’ e shqiptarit./ Ish tabor’ i Ajdonatit/ edhe ai i Delvinës;/ një tabor i ndihte tjetrit,/të mbajn’ kufin’ e Janinës...Pas tri ore të luftuar,/ grekërit e lanë vëndin,/ shqipëtarët të gëzuar,/ u ngjitën e zunë shkëmbin...Dhe kështu, mu në mesditë/ grekërit zun’ e po iknin,/ ushtëria jon’ i ndiqte,/ plumbat përmbi ta i hidhnin”. Ai thotë se në mbështetje të tyre qëndronte tabori i Përmetit dhe se, sado që të uritur, ata qëndruan atje 15 ditë “pa luajtur nga istikami”. Por ushtarëve grekë “u erdhi ndihmë e madhe,/ dyfek më i madh u hap,/ me atë ushtrin’ shqiptare...Kështu ushtria jonë,/ atje më nuk u mbajt dot,/ e la Pistën dhe Hanoin/ dhe zbriti poshtë në gropë...Pesë Puse i thonë,/ është vaditur me gjak,/ çdo herë me gjak shqiptari dhe turku/ është njomur ai vend;/ si i fundit dhe i pari,/ kalan’ e kishin për shënjt...Grekërit me top xhebelë(topa malorë 75/13 –I.D.H)/ qëllonin nga maj’ e malit,/ shqipëtarët me manzerrë,/ i krrenin prej istikamit”. Duke bërë fjalë për bashkëluftëtarët e vet dhe ngjarjet në Pesë Puse, Tol Arapi thotë: “Janë taborë të mirë,/ janë trima me famë,/ kur luftuan në Pesë Puse,/ të gjall’ e zunë Junanë”. Në veprën e vet Tol Arapi bën të njohur një për një si vendluftimet kryesore, ashtu edhe njësitë që derdhën gjak dhe i mbrojtën. “Jemi poshtë nga Çamëria,/ nga të Marrgëllëç-taborì... Më tha: kemi luftuar/ në Këmshadhezë të shkretë,/ me grekër jemi coptuar,/ na u vranë nja shtat’a tetë...”. Meqë fuqia mbrojtëse vinte gjithnjë në tretje, kurse fuqia mësyese në përtëritje e shtesë, truparmata u tërhoq në brezin mbrojtës të Bezhanit. “Greku erdh në Kondovrahj,/. Tej përtej Drinskua(fshat e lumë –I.D.H.) u ndez,/ si nga topi, nga dyfeku,/ u bë shumë luft’ e rreptë./ Më në fund u thye greku,/ tër’ ata përrenjt’ e shkretë/ seç u mbushën plot me kërma,/ shum’ u vran’ me të vërtetë./ Grekërit i zuri nëma,/ pas tri ditësh të luftuar,/ grekët ikën edhe shkuan,/ të thyer e të dërrmuar,/ në Pesë Puse qëndruan”. Gjithnjë në pakësim e shuarje, truparmata nuk kishte sesi të ishte më në gjëndje të zmbrapste më gjatë njësitë mësyese disa herë më të shuma. Në rrethana të tilla njësitë ushtarake mësyese nyjës së Bezhanit iu veshën nga lindja, jugu dhe perëndimi, duke i prerë kështu rifurnizimin nga ato tri anë. Çelur mbeti vetëm krahu verior; koloneli shtabmadhor, Halil bej Kolonja, ishte vendosur në Konicë me një pjesë të armatës osmane të perëndimit(garp ordu), të komanduar nga gjeneral Hasan-Riza Pashai prej Prishtine. Nëpërmjet atij shtegu mbaheshin lidhjet me qeverinë e Vlorës dhe merreshin kur e kur disa thasë me misër, mbledhur me shumë vështirësi në rrethet e Beratit dhe të Vlorës. Ushtarëve në vend të bukës u jepej nga një grusht miell misri. Në kushte kaq të rënda, me kalimin e ditëve, javëve dhe muajve -madje edhe të orëve- gjendja po bëhej gjithnjë e më e mjerueshme. Truparmata e mbetur pa kurrfarë ripajisjeje dhe rishtimi vazhdonte të tretej dhe të zvogëlohej dita-ditës; mungesa e municioneve të armëve të rënda e të lehta po ndihej përherë e më shumë. Fuqia mbrojtëse u varfërua aq shumë, saqë -sidomos për mungesë predhash- çdo top shtinte vetëm 2-3 herë në ditë. Po kaq e varfëruar paraqitej edhe gjendja e armëve të lehta. Në dijeni të plotë të gjendjes së vajtueshme të mbrojtësve të Janinës, princi trashëgimtar dhe komandant i njësive ushtarake kr. a-f. pranë Janinës, Kostandini, duke mbajtur parasysh edhe se Esad pasha Janina me të ishte bashkëmbarues i akademisë ushtarake gjermane në Berlin, e ftoi disa herë që të ndërpriste vazhdimin e qëndresës. Mirëpo Esad pasha Janina i përgjigjej prerazi: “Jo, do luftojmë!”. Ndërkaq shtabmadhoria kr. a-f. duke u mbështetur në çka përbënte Janina për Jugun shqiptar, duke përfituar edhe nga vendi krejt i lirë për të, përballë dy njësive osmane në tretje e shfuqizim të vazhdueshëm përqëndroi 6 njësi ushtarake, të rifuqizuara pa ndërprerje me gjithçka të nevojshme. Në rrethana të tilla njësitë ushtarake mësyese kr. a-f. në agimin e 6 marsit 1913 mundën të çanin një shteg në anën perëndimore të brezit të luftimeve dhe u dyndën brenda nyjës mbrojtëse të Bezhanit U pa se vazhdimi i mëtejshëm i mbrojtjes do të ishte marrëzi, gjakderdhje e kotë. Esad pasha Janina me miratimin edhe të shumicës së parësisë më të lartë jugshqiptare -e cila gjatë 6 muajve që vazhdoi lufta qëndroi përherë në Janinë për mbrojtjen e “Kryeqytetit të Shqipërisë”- pranoi ndërprerjen e luftimeve. Hidhërimin dhe tronditjen që shkaktoi shkatërrimi i nyjës mbrojtëse rreth Bezhanit, ndër atdhetarët e shumtë, i ka pasqyruar edhe njëri prej tyre në vargjet e veta, botuar në fletoren “Zgjimi”, Korçë, dt. 15.1.1914:“Ra Bezhani, ra Bezhani!/ Qaj, moj Shqipëri e mjerë./ Ç’është kjo mynxyrë e madhe,/ që të gjeti këtë herë!?/...”. Mposhtjen e nyjës mbrojtëse të Bezhanit dhe rënien e Janinës e vajtoi hidhshëm edhe Porta e Lartë, gjë që dëshmohet edhe nga këta vargje: “Ç’ka që qan dovleti inë?/ Qan për içinxhi ordhinë./ U batërdis në Janinë,/ jo pakë, po njëzet milë/ burra e trima të mirë,/ dhanë xhan, humnë zoinë,/ djalëri e levendinë,/ me dhëm’ e brrijën harbinë,/ me gjoks e prisjën sfungjinë”.
Për mbrojten e dy qarqeve të Çamërisë dhe atë të Janinës vetëm gjatë 6 muajve të Luftës Ballkanike dhanë jetën gati gjysma e luftëtarëve të taburëve të Filatit(ku asokohe përmblidhej edhe Konispoli me fshatrat pranë tij), Margëllëçit e Paramithisë, pa folur pastaj për qindra luftëtarë vetëdashës para e pas ushtarakë. Ndër të rënët në Bezhan ishin edhe: Ali Beqir Kùrballi, Haxhi Ali Ademi, Ilmaz Isa Shàna, Sadik Husejn Sallata dhe Subhi Hamit Gjuzeli –të 5 nga Margëllëçi- Hasan Ali Hania dhe Refat Mehmet Buza nga Luarati si edhe Mamo Harun Haxhiu nga Karbunari. Emrat e shumë të vrarëve gjatë luftimeve në Bezhan, Pesë Puse, Anua etj., i kam paraqitur në librin “Çamëria dhe Janina në vitet 1912-1922”, fq.: 94: 1-15, fq. 110: 1-4, fq. 162: 1-6, fq. 167: 1-2 dhe fq. 168: 1-2. Veç të rënëve të përmendur në librin në fjalë, kam mundur të gjej edhe emra luftëtarësh të tjerë të rënë; në Bezhan: Abedin Osmani nga Salica, Malko Meti nga Pjadhuli, Muharrem Lami nga Kurtesi, Nelo Himo Kuçuku nga Karbunari, Osman Taipi nga Mazrrekët, Sheme Rushani nga Konispoli e Xhemali Mustafa Xhemo Zeqiri nga Karbunari. Nga sa kam vënë në dukje, kuptohet se humbjet shqiptare në Bezhan kanë qënë rrënqethëse; por edhe më të lemeritshme dhe më të përvashjme kanë qënë ato të grekërve, gjë që pohohet nga vargjet e vet atyre: “Sta Pesta, qe sto Bezhani,/ tetja krio pu tha kani?!”(Në Pestë dhe në Bezhan,/ ku tjetër bën i ftohtë i tillë?!). Luftëtarë të tjerë ranë edhe në 5-Puse: Islam Bahri Nuhu nga Dolani, Met Mustafa Kasim Koceni nga Picari, Nuredin Budo Brahimi nga Grikëhori, Serjan Sako Omeri nga Gardhiqi e Zejnel Qemal Haxhiu nga Karbunari. Rënë në Shklìvan: Jakup Nexhipi nga Varfani. Rënë në Këmshadhë: Malo Ganiu nga Salica e Sherif Malkua nga Dhrimica. Rënë në Anua: Zan Abedini nga Vreshtazi. Rënë në 5-Lëmenjtë(Sharkovicë): Çafa Sulejman Feçi nga Filati. Rënë në Shkallë të Qeramicës: Meçe Karroqi nga Filati e Halil Bùxhua nga Janjari. Të rënët në fjalë kanë qënë shumë më tepër dhe së toku me ata të krahinave të tjera –sidomos lebër e deri edhe prej Mirdite- kanë qënë disa mijëra, po më mungojnë listat emërore të kohës. Të shumtë –ndoshta edhe më të shumtë - kanë qënë të plagosurit; plagosur në Shkallë të Paramithisë dhe në malin Kurrìlë: Abdul Musa Sharrëllaqi, Hajredin Hunda(Sinjati), Hasan Satedin Husejni, Maksut Beqir Maksuti e Malko Met Meri(Mergjushi), të 5 nga Paramithia.
Bezhani kishte qënë nyja kryesore që kishte penguar rënien e Janinës. Tani që ajo nyjë u asgjësua, nuk mbetej më kurrfarë mundësie për të shpëtuar jo vetëm Janinën nga pushtimi prej njësive ushtarake mësyese greke, por u hap për to edhe udha për pushtimin e trojeve të tjera shqiptare edhe shumë më në veri të saj, siç edhe ndodhi. Rënia e Janinës për Shqipërinë ngjasonte me gjëmën që kishte pësuar Perandoria Latine e Lindjes, kur osmanët e drejtuar nga sulltan Mehmeti II pushtuan(1453) Kostandinopojën. Me të mposhtur nyjën e Bezhanit, njësitë ushtarake mësyese kr.a-f. zunë Janinën, vunë në përdorim thikën e plumbin dhe vazhduan vërshimin drejt veriut; arritën deri në afërsi të Vlorës, Beratit dhe Elbasanit. Princi trashëgimtar, Kostandini, duke shkelur marrëveshjen e saponënshkruar me gjeneral Esat p. Janinën mbi kushtet e dorëzimit, me paturpësinë dhe pamëshirshmërinë prej greku, tërë të dorëzuarit –përfshi këtu edhe tërë të sëmurët dhe të plagosurit- i dërgoi në Epahtó. Me urdhër të tij i mbyllën në kalanë e atjeshme dhe u lanë pa kurrfarë mjekimi a ndihme mjekësore. Qindra –e ndoshta mijëra- prej tyre vdiqën të uritur, prej morrit dhe sëmundjeve të ndryshme. Të vdekurit ishin aq të shumë, sa që kufomat e tyre i hidhnin në gropa të përbashkëta. Kjo përbindshmëri i kishte pasë kënaqur aq shumë grekërit e atjeshëm, saqë mbresat e veta ua kishin lënë trashëgim edhe pjellave të tyre. Kjo babëzi u duk sidomos kur nëpër Epahto kaloheshin kollonat me çamër gjoja “të kapur në luftë”, që në të vërtetë ishin “kapur” në shtëpitë e veta. Sapo atje arrinin kollonat me çamë që gjakatarët horofillakë po i zvarrisnin gjysëm të vdekur për në çarqet e ngritur posaçërisht në ujdhezat egjeike për shfarosjen e tyre, grekë e greke histerike mbushnin anët e udhës dhe, duke i goditur me gjithfarë fëlliqësirash, ulërinin: “Ejani, se vëndin ua kemi ruajtur sipër në kala, pranë vëllezërve tuaj!”. (Për më gjërë shih: Ibrahim D. Hoxha, “Çamëria dhe Janina në vitet l912-1922”, Tiranë, 1996, fq. 36-49 etj.).

Comments

Popular posts from this blog

ÇAMERIA GJATE LUFTES SE DYTE BOTERORE

THE GENOCIDE OF CHAMERIA

NURI DHE MAZAR DINO