GJËMAT DHE KÓBET GRÈKE NË ÇAMËRÍ
Ibrahim D. Hoxha, historian e folklorist.
GJËMAT DHE KÓBET GRÈKE NË ÇAMËRÍ
Jan G. Shàrra në veprën e vet “Istoria tis Periohjis Igumenìcas 1500-1950”, Athinë, 1985 thotë “Besimi i çamërve për islamin është shumë i thellë...i kurrërrejtshëm është edhe betimi i tyre, i quajtur «Shàrt»...Askush s’e shkeli ndonjëherë, pasi u betua”.
Përpìrja e shqiptarëve islamikë nga kryqtarët athino-fanaritë –veçanërisht i atyre islamikë në Çamëri- ka qenë e hershme dhe e parapërcaktuar; ajo i ka rrënjët në vet génin grek. Ajo ka qenë shfaqur botërisht me tërë egërsinë e vet sidomos me të lindur shteti grek(1829). Atëherë tërë çamërit islamikë të vendosur në Moré(Peloponéz) –dhe shqiptarë të tjerë të besimit islam- u përpinë tërësisht¹; shpëtuan vetëm disa qindra që s’i kapën dot. Njëri prej atyre shembujve rrënqethës ka qenë edhe ai që i ndodhi Qamil bej Korìnthit, njëri nga burrat më me ndikim në krejt Morénë, pasanik i madh prej Salicës, fshat në malësinë lindore të Gumenìcës; ai prej shumë vitesh më parë ishte vendosur në Korìnth. Sekretar – llogaritar të kamjes së tij kishte punësuar një grek; ky, si i tillë, për sy e faqe i qëndronte “me ujë në gojë”, domethënë tërësisht përunjësisht i bindur; kurse fshehtazi fare i pabesë. Në njërin prej mëngjeseve, kur ai si zakonisht pinte kafen, Qamil b. Korinthi e pyéti: “More, Hrìsto, flitet se kryengritësit grekë janë afruar prapa malit; ti a ke dëgjuar gjë?”. Hristua, ndonëse me ta ishte në lidhje të ngushta prej kohësh dhe në dijeni të gjithëçkaje –për më tepër se nga pasuria e Q. b. K. kushedi sa herë u kishte dhënë fshehtazi shuma të mëdha lirash ari- qetë-qetë iu përgjegj: “Habitem, bej, me mëndjen tënde. Si mund të besosh që rrjepacakët e zbatharakët grekë të kenë guxim t’i afrohen Korìnthit!”. Pas fare pak ditësh, kur Q. b. K. po pinte sërisht kafen e mëngjesit tok me shërbëtorin e pabesë grek, pa se tatëpjetë faqes së malit po zbrisnin varganë-varganë me flamurë grekë e duke kënduar kryengritësit. Tejet i habitur dhe shumë i shqetësuar Q. b. K. pyeti prapë shërbëtorin e vet: “More Hristo, ç’janë ata që varen poshtë pllajës së malit?”. Hristua po qetë-qetë iu përgjegj: “Komitët grekë, bej dhe në vahzhdim shtoi: “Po zotrote mos u trondit, mos ki frikë, se nuk të gjën gjë prej gjëje! Tët shoqe do ta marr unë grua, vajzën e madhe filan kapedan, të mesmen filan kapedan e të voglën, Fatimenë filan kapedan. Do u ndërrojmë edhe dinin e t’i kthejmë kaùre, do u mësojmë edhe gërqìshten e do t’i bëjmë greke. Për zotërinë tënde ç’të keqe ka?”. Q. b. Korinthi tejet i zemëruar i tha: “More jezit, pa unë ti dhe familjen tënde prej aq vjetësh ju kam mbajtur jo vetëm frymën me bukë, po edhe me ç’ju ka dashur zemra e ti ke përfituar nga përzemërsia ime për të më ngrënë kokën?!”. Hristua qetë-qetë si zakonisht iu përgjegj: “Edhe që prej dhjetë brezave të na kesh mbajtur, përsëri dushman të kam patur”. Q. b. Korinthi rrëmbimthi i tha: “Aj sahat që pret ti s’të gjën dot sa unë të jem gjall!ë!”; pa e zgjatur më, “fap” qiti koburen, e shkrehu disa herë mbi të dhe e përplasi të vdekur për tokë Trìmat çamër islamikë që Q. b. K. mbante me vete e hipën familjarisht në një lundër, çanë nëpër Gjirin e Korìnthit, po përballë Lepàntos ndeshën me një lundër komitësh grekë. Në përfundim të kacafytjes trup me trup, edhe pse dolën mundës, shpëtuan vetëm disa prej tyre dhe Fatimeja; tërë të tjerët –përfshi edhe vet Q. b. Korinthin- u vranë.. Trimat e pakë që shpëtuan, më në fund arritën në anëdetin çam dhe u ngjitën në fshatin Salìcë. Xhevahìre Ibrahim Demìri, besimtare e dalluar prej Konispoli më pati thënë se Fatimeja rreth 90-vjeçare vdiq në prag të shpërthimit të Luftës Ballkanike, kur Xhevahirja ishte 55-vjeçàre.
E bëra këtë përshkrim të shkurtër për të vënë në dukje një të vërtetë aksjomë: se gjykimi grek ka qenë dhe vazhdon të jetë polifemist-bizantin; se armiqësinë ndaj islamizmit e ka patur dhe vazhdon ta ketë përjetësisht në gjak, të ngulitur pashkulshmërisht në ndjenjat e veta. Këtë të vërtetë e kanë theksuar në shkrimet dhe vargjet e veta Asdreni, Çajùpi, L. Skëndua, Vrùhua etj. Kështu që shtazëritë greke ndaj shqiptarëve islamikë –kryesisht atyre çamër- kanë qenë të paramenduara dhe të parapërgatitura me kohë, që sa shteti grek arriti të delte nga “mëma”.
Për të arritur ku ua kishte ënda, ku u rrinte përherë mendja, pushtetarët grekë gjithsa herë kujtonin se u pati ardhur zogu në dorë, derdhnin ushtrinë greke drejt veriut; këtë bënë më 1854, 1878, 1897 dhe 1912. Çdo çam islamik që kapnin, e thernin apo e bënin shoshë me plumba Të tri herët e para -kryesisht “Yçinxhi Kollordù”(Truparmatë e tretë) me qendër në Janinë tok me qindra çamër dhe lebër të armatosur u thyente brinjët dhe i bënte t’ia mbathnin me bisht në shalë si qen të rrahur. Mirëpo kjo arrihej me jo pak luftëtarë osmanë: turq dhe shqiptarë që flijoheshin; kjo e vërtetë dëshmohet edhe në këta vargje: “Të xhumà më të xhumà², ndodhi e shkrreta hatà, mulla Qemali u vra, nek hidhej si ezhdërhà në bedenë, në kalà...”. (I. D. Hoxha, “Bilbila dhe Thëllëza Çàme”, T., 2007, fq.....). Armatat flakeshin jashtë vendit, po ç’kishin lënë pas? Shkrumb e hi, qindra familje çamërish me vaj e lot në sy; plagët e çelura në viset ku ato shkelnin ishin lemerìtëse: nënat qanin të bijtë, nuset burrat, motrat të vëllezërit, fëmijët jetimë të etërit. Kësaj plage aq tmerruese i shtohej edhe shkrumimi i shtëpive, grabitja e mallit etj; pra vendi zhytej në mjerim e varfëri të thellë.
* *
Çamëria –si edhe tërë Shqipëria- ishte nën pushtetin osman; po grekërit, nëpërmjet priftërinjve, mësuesve të shkollave greke, avokatëve, mjekëve dhe nëpunësve të ndryshëm shtetërorë e privatë në qytete dhe fshatra krijonte shoqëri e organizma të tjera të fshehta; të tilla kanë qenë AMV(Shërbimi i fshehtë ushtarak grek), “Bashkimi Epirotik” etj. me anën e tyre nxiste dhe armatoste shqiptarët e krishterë kundër atyre islamikë; armët e municionet nga Korfuzi natën zbriteshin në anëdetin e Çamërisë; “tavanët e kishave ishin shndërruar në depo, veçanërisht të pagjetshme”. (Jan G. Shàra, “Istoria tis periohjis Igumenìcas 1500-1550”, Athinë, 1985, fq. 231-537). Në mbështetje të veprimtarisë së tyre në Çamëri dhe rreth Janinës fuste çeta andartësh(komìtë) të përbëra prej kusaro-gjakatarësh nga më të tmerrshmit; këto çeta u ngrenin mendjen shqiptarëve të krishterë vendës dhe i bënin bashkëveprues në vrasjet, grabitjet dhe gjithfarë ligësish. Me porosi të atyre shoqërive dhe organizmave çetat në fjalë rreth vitit 1900 vranë njërin nga më të rëndësishmit e parësisë konispolìte, Halit Bilal Dalànin; po asokohe në afërsi të Margëllëçit vranë hafëz Met-hat Topólën. Në pazarin e Pleshavìcës vranë Hasan Idriz Mustafanë dhe Selim Mehmet Isuf Mànen nga Kóska; në afërsi të Filàtit vranë Halil Muharrem Mustafanë. Në rrugën Janinë-Paramithì vranë Hasan aga Kasim beun nga Minìna.J. G. Sharra në veprën e vet “Istoria tis...”, fq. 232 thekson qëndrimin armiqësor të “të krishterëve kundër myslimanëve gjatë qindvjeçarit 19 e në vazhdim”. Një shfaqje e kësaj veprimtarie “e cila quhej arritje dhe bëhej e tregohej me krenarì, ishte grabitja e bagëtive. Tufa të tëra kaloheshin nga anëdeti i Jonit në ata evropianë”. Tregon se në fshatin e vet, “Kastrizë strehohej cilido që vriste një mysliman; prej andej fshehtazi dërgohej në Korfuz”. Në vijim ai përmend emrat e bashkëfshatarëve vrasës dhe ata të të vrarëve prej tyre. “Kiço e Nikollë Trandafili vranë Tahir Durrahmanin. Kìço Vasili e Kostë Zói vranë Maze Durrahmanin. Pilo Trandafili vrau Maksut Durrahmanin” nga Shùlashi. “Kìço Duka e Koço Polióni vranë në pritë aganë e Lofàtës”, vendbanim pranë Gumenìcës. Vrasësit “Miltiàdh e Nikollë Kufàlla nga Pleshavìca –të cilët në qershor 1909 vranë pranë Filàtit Halil Muharrem Rushìtin nga Kóska- tok me të motrën u strehuan në shtëpi të Foto Nasho Qirìcit(në Kastrìzë), nga pas një jave u kaluan në Korfuz. Theodhori Làkua vrau në Gumenìcë Rexho Sulejmanin dhe një tjetër mysliman. U strehuan tek i kunàti, Vasil Shtrungari në Shùlash nga u kaluan në Korfuz. Llùkë Thomài nga Plotaréja vrau Saliko Musanë; u strehua në Grikëhuar nga u kalua në Korfuz; po kështu edhe Llukë Pandi nga Ledheza që vrau një musliman. Mìtra Nàni vrau bashkëfshatarët Musa e Mustafa Izet Abaz Muharremin nga Shùlashi. Tok me vëllezërit Dhionìs e Ziso Nanin u kaluan në Korfuz. Hedhja në Korfuz bëhej nga lundërtari Spiro Gjaùri prej Korfuzi, i paguar dhe i ngarkuar posaçërisht për atë veprimtari. Jan G. Sharra, duke vijuar me të tilla trimërira të grekta, përmend edhe vrasjen e një myslimani nga Kostë Dilaveri, të cilin priftërinjtë dhe veglat e tjera greke e fshehën për gjithnjë në Péshtan, fshat në malësinë lindore të Gumenìcës. Në shkresën me dt. 14.XI.1912 që Kostandin Varatàsi -guvernator i Korfùzit- ia dërgonte M.P.B. në Athinë, i thoshte se para pak ditësh në malësinë lindore të Filatit çetat e Spiro Kremidhës dhe krerëve të tjerë vranë telegrafonistin Halil Bìxhon nga Filati dhe të 7 fillrojtësit shoqërues të tij. Po ato çeta të pasnesërmen –vijonte ai- në pritën e zënë në Gurin e Kuq(fshat në kanjonin e madh të Kalamàit) kishin vrarë 80 qeraxhinj që po ktheheshin nga Janina në Filàt.(Aleksandër Livadhéos, “I Prodhrómi tis apeftereosis ton Joaninon”, fq. 29-30).
* *
Pushtetarëve grekë u jepnin zemër e fuqi qeveri vendesh të ndryshme: ajo e cariàtit rus dhe disa qeveri shtetesh evropiàne; me ndihmën e gjithanëshme të pakursyer të tyre, pas dërrmës që pësoi në pranverën e 1897-s, i mori shpejt këmbët; dhe, më 18.X.1912 e tërë ajo ushtri iu vërsul Çamërisë dhe Janinës. “Yçinxhì- Kolordù”, e vënë para fuqish më të mëdha, pas një qëndrese në fortesën e Pesë Pùseve dhe të disa nyjeve të tjera, duke u mbrojtur, u përqëndrua në fortesën e ngritur në Bezhàn, 14 km. në jug të Janinës. Kurse në Çamëri, njësitë ushtarake dhe andarte mësyese greke përballeshin vetëm nga rreth 3.000 luftëtarë çamër të jashtë shërbimit ushtarak, të armatosur sa për t’i quajtur të atillë. Meqë mësyesit po shtoheshin nga dita në ditë –kurse mbrojtësit po treteshin për ditë e më shumë- gjëndja u rëndua tej maset. Kjo dëshmohet nga tejshkrimi me dt. 27.12.1912 që gjeneral Hamdi bej Margëllëçi –komandant i mbrojtësve në brezin e jugut(gjatë Lumit të Zi)- dërguar kryeministrit të qeverisë së përkohshme në Vlorë, Ismail Qemalit. “Ka 8 ditë që po luftohet deri brenda në qytete. Në vend të shumë burrave me emër që dhanë jetën, po shtërngohen të rendin gratë”. Kurse në tejshkrimin me dt. 22.I.1913 dërguar po Ismail Qemalit, ai i thoshte: “Çamëria ndodhet në grahmat e fundit”. (“Qeveria e Vlorës dhe veprimtaria e saj (28.XL.1912 – 22.I.1913)”, Tiranë, 1963, fq. 87-88). Në mbështetje të kërkesave të gjeneral H. b. Margëllëçit në ndihmë të mbrojtësve në Çamëri arritën njëkohësisht dy taburë, njëri i dërguar nga Delvina prej Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” dhe tjetri nga Janina, i dërguar prej Ali Riza Pashait, komandant i “Batë-Ordù”(Armata Perëndimore), i cili me disa taburë të armatës së komanduar prej sapo kishte mbrritur në Janinë. Arritja e atyre tabórëve në Çamëri e Janinë mundësoi vazhdimin e mbrojtjes së vendit edhe 3 muaj të tjerë, sado që në kushte rrethimi dhe përpjesëtimi trupash e armatimesh ku e ku më të pakta; më 7 mars 1913 ushtria greke arriti të pushtonte Janinën dhe pas pak ditësh edhe Çamërinë. Njësitë ushtarake greke u turrën tërbimthi me zjarr e hekur mbi jetën, nderin dhe pasurinë e çamërve dhe janinasve islamikë. Tok me fishkëllimat e flurudhave të plumbave të shprazura nga tytat e pushkëve, mitralozëve dhe kobureve, veshët e dëshmorëve islamikë dëgjonin edhe shfryrjet poshtëruese të llojit grek: “Na su hjéso to bistisu”(u dhj. besën), “Gamoto Muaméto”(U q. Muhametin) etj. Rrùfulli(torrnàdua) e parë thithi 10-tra e 10-ra nga ç’gjeti përpara. Vjershëtari drenovàr, Asdréni, tërë urrejtje shkruan: “Dhelpra – greku po na gjuan,/ mos na lërë vent për varr,/ na shkel vatrën,/ na merr gruan,/ na hyn brenda si kusar! Këtij qeni me tërbim, ah, ju toskë-vetëtima,/ bini, trima, pa pushim!”.(Fletorja “Atdheu”, nr. 12, Kostancë, dt. 18/31.I.1913, fq. 4).
* *
Me të shkelur në Paramithi, me urdhër të mitropolìtit Neofìt(Jerothé Aftuliàdhi) dhe të kolonel Ipitit, gjatë 10-ditshit të fundit të marsit 1913 ushtarët arrestuan 100-ndra çamër islamikë nga më të dalluarit; 100³ prej tyre i grinë në vendin e quajtur “Lìver”, rreth 2 km. në veri të Paramithisë.(Lista emërore gjëndet e botuar në fq. 110/1,2.3 e 4 të librit “Çamëria dhe Janina në vitet 1912-1922”, v. e p.). Atyre që përpëliteshin ende duke vdekur, u shtypën kokën kujt me shkelma, kujt me qyta pushke, kujt me shkëmbenj etj. Në Paramithi, ndër të tjerë atë ditë vranë edhe dy burrat më të shquar të qytetit: Fuàt Aga Prrónjon e Subhi bej Sulejman bej Dinon; i pari kishte mbajtur me bukë për 6 muaj rresht taburin që “Batë-Ordù” e pati dërguar në Paramithì si edhe rreth 300 e ca luftëtarë çamër të armatosur; i dyti kishte drejtuar luftëtarët e ballit lindor të mbrojtjes nga pushtimi prej ushtrisë mësyese greke. Të dy këta burra ajkë, i shinë me shkopinj të veshur me gozhdë dhe thela-thela, i hodhën në humnerën në jug të qytetit. Gjëma si ajo në Lìver ndodhën edhe në rrethe të tjerë të Çamërisë, ndonëse jo aq masive sa ajo. Arrestimet dhe burgimet ishin të pandalshme. Një përfaqësi jugshqiptarësh, ndër të cilët edhe atdhetari i mirënjohur, Haki Musa Sejkua nga Filati, më 31.V.1913, Buçbergerit -përfaqësues i qeverisë austro-hungareze në Janinë- i kishte dorëzuar një ankesë, ku thuhej se burgjet greke ishin mbushur plot e përplot me të arrestuar nga pushtetarët grekë. Buçbergeri përmbajtjen e ankesës ua njoftonte me tejshkrimin dt. 7.6.1913 eprorëve të vet në Athinë e Stamboll. (I. D. Hoxha, “Çamëria dhe Janina....”, fq. 109). Në librin “Shënime mbi Çamërinë”, fq. 1, thuhet: “Krerët më me rëndësi u therën; shpëtuan vetëm ata që morën malet. Mundimet ishin të panumërta dhe të papërshkrueshme. Arrestime, vrasje pa gjyq e keqpërdorime nga më të ndryshmet”. Lumo Skëndua (Mitat Frashëri) me atë rast shkruante: “Toka shqiptare jo vetëm e shkelur, por edhe e mbytur në gjak, e mbuluar me tym e me hi po lëngon. Një cmir i moçëm, një cmir i njerëzve të dobët e të poshtër po buçet...”.(“Kalendari Kombiar”, 1914). Duke shfryrë tërë duf e mllef urrejtjen dhe zemërimin kundër egërsive greke, Jan Vrùhua, në fletoren “Liri e Shqipërisë”, Sofì., dt. 4/17.7.1913 thoshte: “Politika greke është një politikë e fëlliqur dhe kusare, është nga ato të cilat nuk u shëmbëllejnë as kohëve të mesme!...Ndër viset e zaptuara të Shqipërisë qeveria e Athinës ka çuar njerëz të hurit e të litarit...Me veprimet përpirëse dhe me sjelljet e shëmtuara na apin të drejtë t’i quajmë egërsira të 20-tit shekull; këta helàqë duhen quajtur më egërsira nga çdo egërsirë tjetër...Grekët na provojnë me bënja të padyshimta që kurrën e kurrës do të mos pushojë armiqësia greko-shqiptare, aty e sa të shuhemi njera palë prej nesh! Kjo duhet të dihet mirë...!”.
* *
Pliumbat, thikat e hanxharët e njësiteve ushtarake greke pas kërdisë së Lìverit nëpër Çamëri –sidomos në vitet 1913-1925- brimuan e thelëzuan shumë e shumë burra të tjerë të shquar islamikë në çdo qytet e fshat të Çamërisë; prej tyre edhe: Beqir mulla Qamil Bejdeshàtin, Haziz Lul Hoxhën, Lam Karafìlin, Min Lul Xhemalìnë e Xhafer Nelo Mùçon nga fshati Dhrohomì. Refat Kaso Dùçe Sejkon, Met Dùçe Sejkon, Qazim haxhi Làzen e Sami Xhafer Sejkon nga Filàti. Ferit Bilal Abdullah Memushin dhe të nipin e tij, Kadri Dalipin, Qamil Musanë, Resul Korrelin, Vejsel Pàshon e Xhelo mulla Sùlo Abdullah Memushin nga Galbaqi. Harun Lazen, Nelo Balon, Nuri Sime Hamit Pashon e Shefqet Mustafanë nga Gardhìqi. Càno(Hasan) Pìron, Màze Bàlon, Min Tushen, Osman Dalipin, Resul Ahmet Taìpin e Rexhep Bànon* nga Grikëhóri. Ahmet Dule Kondon, Fejzo Abaz Mehmet Peltékun, Hasan Dalan Kasimin, Hazbi Sulejman Alinë, Ilmaz Sulo Béllon, Isuf Dule Kondon, Mérjemé Hóxhën(e varën në tra dhe e dogjën tok me të kunàtin ulók, Refat Smail Hoxhën), Osman Bilal Didànin, Sadush Abdul Tare Rumànon, Sami Sulejman Hoxhën. Sulejman Dule Çùçon, Shaban Sadush Tàren, Shaban Zérre(Uzeìr) Shabanin, Shefqet Sulejman Hoxhën, Shemo Osman Omerin, Xhafér Isuf Xhàfon e Zejnel Dùlen nga Jànjari. Màlkë Osman Bùshin nga Karbunàri. Ali Brahimin; barinjtë Behlul Prróin e Qazim Dine Omerin i vranë kur këta të dy po milnin lopët e veta në Vrinë; hoxhë Saliko Ali Brahimin dhe të birin 14-vjeçar, i therën në pllajën e quajtur “Mohjìllë”, ndërmjet Konispolit dhe Lopsit. Selim Abazin e Zane Haninë vet i 3-të nga Konispoli. Làze Lumanin nga Kóska. Shaban Brahimin e Shuhàn Béqon nga Kùçi i Gumenìcës. Abaz Abazin e Haxhi Vélon nga Lopsi. Hamit Jakup Jatroin e Murat Alush Gjuzélin nga Margëllëçi. Duro Sulejman Kasimin, Habibé Cénen (plakë e verbër dhe e mbajtur nga përdhési), Xhelo Beqo Omerin (vdiq gjatë rràhjes), Zàne Burékun (plak i shurdhër dhe i verbër) etj. nga Markati. Malo Muratin, Muhamet Nuh Mùhon e Vesel Kasim Ademin nga Minìna. Lìço(Alì) Muhedin Daùtin e Tefik Habìlin nga Nikolìcani. Fejzullah Sulejman Çìtën, Haki Bésho Veìzin (e dogjën së gjalli tok me shtëpinë e vet), Méte Seìt Hàlon(Halimin), Muhamét Hodo Mehmetin, Selim Resul Halìlin(e dogjën të gjallë tok me shtëpinë), Rubijé Hasanin(po nga Ninàti) shumë plakë dhe e verbër, e dogjën së gjalli tok me shtëpinë. Sadik Tàhon e Zeqir Sadìkun nga Nuneshàti. Abedin Eminin, Adem Beqir Maksùtin, Çafa(Mustafa) Malo Latifin, Feìm Ahmet Dódin, Nexhìp Méten, Nuh Hasim Dinon, Qamil Alushin nga Paramithìa. Rasim Harif Memlézin, po nga Paramithìa -imam i xhamisë “Sulltan Bajazit”- në ramazan (korrik 1913) kur po çelte faltoren, me urdhër të atypëratyshëm të n/prefektit, Panajot Zórbos, horofillakët e rrahën derisa vdiq në vend.(I, D. Hoxha, “Çamëria dhe Janina...”, fq. 192-193), Sulejman Subhi bej Dinon, Tahir Bollàtin(e çanë me thika dhe e thelëzuan me hanxharë) e Xhelo Musa Isufin nga Paramithìa. Idriz Mustafa haxhi Jaho Zejnon, Mehmet Halil Zejnon e Vejsel Féren nga Petrovìca. Ramadan Shuho Rushanin nga Picari. Bido Binózin e Usnì Pirùshin nga Pjadhuli. Emin Xhanàrin nga Rrëzani. Hate Resulin nga Vàrfani. Vejsel Husejn Làkon nga Vóla. etj. Rrahjet masive -shpesh herë deri në vdekje, sidomos nëpër fshatra- ishin në rend të ditës. Të tilla dukuri lemeritëse u shfaqën kudo, po më të theksuara dhe më rrënqethëse ishin ato të bëra në fshatrat Arpìcë, Dhrohomì, Grikëhùar, Kardhiq, Konispol, Lóps, Markat, Minìnë, Nìstë, Skupìcë (e Paramithìsë), Shùlash, Vàrfan etj. Në Kóskë gjatë rrahjeve të krejt fshatarëve, Sabri Xhemo Béjkua vdiq. Në Vërvë rrahja (gjatë së cilës Tahir Nùrja vdiq) dhe grabitja e një shume të madhe të hollash –si kudo gjetkë- u shoqëruan edhe me njëfarë tragji-komedie –nëse mund të quhet e tillë- greke. Pas rrahjes masive 3-4 vetë nga ata që arritën të qëndronin ende në këmbë, shkuan në Filat për t’u ankuar tek pushtetarët eprorë të rrethit. Rrethkomandanti i horofillaqisë u tha: ”Mos ua vini re, janë djem(të rinj), kanë dashur të bëjnë shakà!”. Njëri, të cilit veç shtëpisë e bagëtisë –si të gjithëve- tha se i kishin rrëmbyer edhe këpucët. Sërish Oficeri në fjalë iu përgjegj: “S’ është e mundur, do t’i kesh harruar diku udhës nga erdhe!”.(Treguar nga Nazif Purrìzua e Isklam Halili nga Vërva). Gropat dhe të çarat në trup -mbeturina të plagëve të shkaktuara prej shkopit dhe goditjeve me tyta, qyta e mjete të tjera hekuri a druri- shumë çamër i shoqëruan deri në fund të jetës së tyre; madje disa prej tyre vdiqën kur ato rridhnin ende gjak e qelb. Disa prej fshatrave: Janjarin, Ninatin, Markatin i shkrumbuan tërësisht; të tjerë pjesërisht. Edhe grabitjet të shoqëruara me dhunë nuk ishin më pak të dhimbshme. Më 1914 Harif Salinë, Haxhi Dulen e Mamo Haxhinë nga Arpica, pasi i burgosën dhe i rrahën aq egërsisht sa ata, nga ç’të vdisnin, u dhanë 100 lira turke ari dhe tërë sendet me vlerë: Sahatë, unaza etj. Po atë vit njësiti ushtarak rrethoi fshatin Varfan dhe, duke i shtruar egërsisht në dru, detyroi secilin që të paguante një shumë të madhe të hollash të arta. Të njëtën gjë bënë në çdo fshat; në Shùlash dy vetë vdiqën në rrahje e sipër.
Në fletoren “Pópulli”, dt. 2.5.1914 thuhet: “Një kapiten (Harilla –I. D. Hoxha) i ushtrisë greke me një tufë ushtarësh në Konispol mblodhi të tërë popullin e fshatit në një shesh. Më parë zuri myderrizin, hoxhët dhe 4-5 nga të parët e fshatit dhe i vari lakuriq kokëposhtë në një pemë. Nga të rrahurit e tepërt vdiqën: hoxhë (Rexhep) Bozhùlja dhe sheh Tahiri(Tahir Çàzja. –I.D.H). U rrahën e u shkretuan më të shumtët e fshatarëve, 30 vetë prej të cilëve janë duke vdekur”. Në gojëdhënat tregohet se të shoqen e Maze Hamit Zejnos, nuse 8-muajshe shtatzënë, e vinin para burrave krejt të zhveshur dhe, duke i treguar me shkop organet mashkullore, i bërtisnin: “Shihe-shihe sa e ka”; prej turpit ajo plasi në vend. kryeplaku, haxhi Abdul Kasimi, hoxhë Shaban Kasimi, Haxhi Brahim Halilpashua e plot të tjerë, për shërimin e plagëve të shkaktuara gjatë rrahjes, qëndruan nga 5-6 muaj në dyshek. Pushtetarët grekë rrëmbyen bereqetet dhe në vend të tyre në Konispol dhe fshatrat e banuara prej shqiptarësh islamikë shpunë krrunde sharre.(Kujtime të Adile Haxhi Brahim Halilpashos nga Konispoli, dtl. 1895 dhe të Harun Shipe Mehmetit nga Janjari, dtl. 1892). Ndërkaq, ndaluan konispolitët të zbrisnin në fushën e vet për mbjelljen e tokave të tyre. Beqo Zejnun Dauti nga Konispoli(dtl. 1893) tregon se ata që s’bindeshin, i vrisnin; ai tregon edhe se në gusht të 1914-s në Shëndódhërr atij me shokë disa “autonomistë veriepirìtë” u vranë qentë dhe u grabitën “të 400 dhìtë”; u ankuan tek komandnatin ushtarak grek në Konispol dhe ky i dërgoi në Gjirokastër. “Gjukatësi grek, na tha: «Kthéuni në Konispol, se dhît doj gjëjm e do ua dërgojmë». Mirëpo ato akoma nuk po vinë!!!”. Njëherit me të këqijat e tjera, ushtria dhe andartët grekë shpunë dhe përhapën në Konispol një lloj lìje, lëngatë që vishte trupin me kokrra të mëdha plot qelb; trupi i të sëmurit skuqej dhe ënjtej e vetëm rrallë mund të shmangej vdekja. Por edhe kush mundi të “shërohej” gropat në fytyrë e ndiqnin gjatë tërë viteve që i kishin mbetur. Lëngata e llahtarshme dhe uria gjatë atyre 3 vjetëve dërguan në varr aq e aq burra, gra e sidomos fëmijë. Varrezat prej 10-tra gropash secila anëve të Konispolit: në Arë të Goxhéllës, në Breg të Gùmës (Këma e Shàrrës), në Gropë të Métos, në Shakanéle, në Vardhâr etj. janë treguesit më të besueshëm të shfarosjeve në fjalë.
Përbindshmëritë greke në Çamëri ishin aq të egra sa shqetësuan shumë edhe disa qeveri vendesh të ndryshme evropiàne. Me porosi të qeverisë italiane, përfaqësuesi i saj në Athinë më 14.12.1912 i tërhoqi vërejtjen qeverisë greke. (Rénco Falàski, “Ismail Kemal bej Vlora”, Romë, 1985, fq. 131). Ndërsa përfaqësuesi i qeverisë austro-hungareze në Athinë, me tejshkrimin e vet dt. 25.12. 1912 eprorëve të tij u bënte të ditur se, në përgjigje të zëngritjes së vet pranë qeverisë greke për barbaritë e vartësve të saj në Çamëri, M.P.J. i Greqisë në formë vërejtjeje i pati thënë: “:..nuk do të ishte tepër me vend për t’u kujdesur në mënyrë të veçantë për çamërit!”. Pushtetarët grekë, si të pafytyrë që janë, në vend që të turpëroheshin para botës për poshtërsitë dhe fajet e tyre aq të shëmtuara, me egërsitë dhe keqbërësitë e veta edhe mburreshin. Kjo dëshmohet edhe nga fjalët e një gazetari grek: “Turkoshqiptarët (pra çamërit dhe toskët e tjerë, siç i quanin dhe vazhdojnë t’i quajnë grekërit- I. D. Hoxha) muarr një afsh të hidhur”.(“Atdhéu”. Dt. 12/25.5.1913). * *
Për zhdukjen e çamërve islamikë nuk lanë dredhi e shpifje pa shpikur. Kur Çamëria dhe Janina u pushtuan nga ushtria greke(mars 1913), pushtetarët turq i paditën si mbeturina turke, të lëna atje për krmbjen e shtetit grek. Duke përdorur këtë si shkak, iu vërsulën atyre me dhëmbë e me këmbë. Në dimërin e viteve 1921-1922, kur armatat e tyre pushtuese po dërrmoheshin në fushat e Anadollit Perëndimor nga ushtria osmane qemaliste, pushtetarët grekë ndërmorën një tjetër fushatë për zhdukjen e çamërve islamikë. Hajrié Adem Bakua e dtl. 1906 dhe Din Met Meri(Mergjushi) të dy nga Paramithia tregojnë se në muajin e ramazanit me urdhër të Naftopullit, rrethkomandant në Paramithi, tok me Mitro Çàçin e Petro Pallomatain, kryetar e n/kryetar bashkie horofillakët mblodhën tërë burrat. “Pas nja 2-3 ditëve horofillakët u futën me pahir në shtëpitë e Abedin, Karaman, Rexhep e Veli Prronjos, Man Shanit, Mazar Dinos e shumë të tjerëve; arrestuan gratë e i shpunë në burgun ku kishën mbillur edhe burrat; pastaj në si të grave katër horofillakë zërjën burrat një nga një, i ndëjën mbëdhê e i rihjën me shkopinj sikur shtipjën misîr. I rrahjën aq shumë, sa Malko Met Merit i nxuarr fanellën bashkë me lëkurë. Dikue i rrahur, u bërrtisnë: «Hë, doni Shqipëri? Ja, najeni!» – e vët me shkopinj”.
Pasi i arrestonin burrat e secilit fshat e qytet dhe i mbyllnin në bodrume, i qitnin një nga një dhe, duke i goditur, u bërtisnin: “Hë thuajna me çìlët e keshët mbledhur fjalën e ku i keni fshehur rrovolet, duféqet, topat, xhephanétë?. Në përgjigje të fjalëve: “Me asnjë; ju e dini sagllàm që s’kemi gjë më dun-jâ nga këto që më kërkoni”, lëvonte shkopi, bàcat, shkelmat, pështymat, shkulja e mustaqeve e raprezalje shtazarake nga më të përdhunshmet. Kur të rrahurin e kishin bërë petë, rridhnin rrëke pyetjet: “Sa të ka paguar Shqipëria? Ku e keni Shqipërinë? Kur do vinjë ajo t’u shpëtonjë?”. Veip Lam Memon nga Paramithia kur e pyesnin duke e rrahur, u përgjigjej: “Pa Shqipëria isht shtet e jo kollov me bar që te màrrinj u në kraha e t’ua sjellinj jûve këtu!”. E, kur përgjigjjet e viktimës s’kishte se si t’i kënaqte, horofillakët dhe eprorët e tyre rrokullisnin breshër njërën pas tjetrës sharjet e llojit grék. Pasi i zhdëpën në dru burgjeve, qindra çamër islamikë gjatë një të ftohti të lahtarshëm i zvarrisën udhëve nëpër Çamëri dhe në vijim prej Çamërie në Janinë. I ngjeshën nëpër bodrumet e kalasë, ku kishin rrasur edhe plot e plot islamikë janinas, konicàrë e visesh të tjera shqiptare brenda shtetit grek; u dergjën disa muaj në vendfrymëmarrjet ku i mbanin mbyllur.
Gjthnjë me barré në dorë, pushtetarët grekë paudhësisht për zhdukjen e çamërve islamikë nga vatrat dhe malli i tyre, vunë në zbatim marrëveshjen greko-turke të janarit 1922. Vetëtimthi ata arritën të zbonin 30.000 çamër e 40.000 shqiptarë islamikë nga Janina, Konìca dhe fshatrat e Follorìnës e të Kosturit. Mundën t’i shmangeshin dëbimit rreth 45.000 çamër vetëm pasi këtë çështje ata dhe qeveria shqiptare arritën ta ndërkombëtarizonin e si rrjedhim Lidhja e Kombeve e detyroi qeverinë greke të hiqte dorë nga paudhësia e saj. Pasi edhe ajo gjyle greke mbeti pa shpërthyer kundër çamërve, për shfarosjen e tyre qeveria greke përdori Luftën Italo-Greke të viteve 1940-1941.
Jan G. Shàrra në veprën e vet “Istoria tis....”, fq. 618, 629, 631 e 632 shkruan: “Qeveria greke këmbëngulëse në politikën e saj, e larguar nga e vërteta dhe nga populli vazhdoi gabimet e veta. Internoi menjëherë gjithë myslimanët nga 18 vjeç e lart dhe la popullsinë çamoshqiptare të pambrojtur nga elementët keqbërës të popullatës së krishterë....Sapo burrat ikën në internim, padrejtësitë në kurriz të myslimanëve nga pushtetarë publikë dhe banorë të krishterë vazhduan në forma të ndryshme. Me shkak gjoja të hetimeve apo të paraqitjes për çështje vetjake, pushtetarët thërrisnin në zyrat e tyre zonja bukuroshe dhe i përdhunoin. Disa nga të krishterët e pandërgjegjshën lojtën mëndsh; plaçkitjet e shtëpive dhe grabitjet e kafshëve bëheshin haptazi. Përdhunimet e vajzave dhe të grave me emër ishin të shumta. Dalja e detyrueshme me dhunë e grave myslimane në disa fshatra ishte e madhe.....Disa nga Kastrìza, Shùlashi e Mavrudhi u lëshuan në Varfan, plaçkitën haptazi shtëpitë e myslimanëve dhe rrëmbyen gjërin e gjallë të tyre...Këto të këqia bëheshin me symbyllësinë(lejën) e me bekimin e shtetit...Qeveria nuk deshi të lëshonte urdhrat përkatëse për të penguar disa reparte ushtarake, disa pushtetarë publikë dhe disa keqbërës të krishterë që kryenin vrasje, dhunime, plaçkitje e veprime të shëmtuara në dëm të popullsisë së pambrojtur çamoshqiptare, që përbëhej nga pleq, gra e fëmijë të pafajshëm”. Pjesën e mbetur të popullatës çame islamike -kryesisht fëmijë, pleq e plaka në myk dhe vajza e gra- pushtetarët grekë vendosën t’i asgjësonin në ditët e fundit të marsit 1941. Këto si edhe ata që dergjeshin në çarqet e vdekjes të ujdhezave egjeìke shpëtuan “nga fìlli”. Brenda 4 ditëve (-10 mars) ushtria greke u shpartallua nga ushtria gjermane e bullgare, ndërsa shteti grek u gjunjëzua para Boshtit Romë-Berlin-Tokjo dhe u bë bashkëvepruese e tij; me këtë pozicionìm asaj iu ruajt e drejta e vazhdimit të sundimit të saj në Çamëri; kështu, krahas fitimtarëve mbetën në fuqi edhe ato organe greke që ishin edhe më parë. Duke përfituar nga kjo, ata patën mundësi që herë pas here aty-këtu të vrisnin njerin pas tjetrit plot burra islamikë me rëndësi. Ndër ata që u bënë shoshë nga plumbat e tyre, ishin edhe mjeku aq i zoti, Jahja Kasim aga Jatroi nga Margëllëçi tok me Tefik Qemal Haxhìnë nga Karbunari, një nga burrat më trima dhe nga kundërshtarët më të rreptë të pushtetit grek; ata u grinë me plumba nga horofillakët e rrethkomandës së horofillak-karabinierëve të Paramithìsë në janar 1942.
Ndërkaq në malet e Sulit grekërit kishin ngritur një armatë me njerëz të hurit e të litarit. Më 27.6. 1944 njëri prej regjimenteve të asaj armate mundi të hunte në Paramithì; bishat përbërëse të tij u vërsulën bishërisht mbi popullatën e pambrotur islamike. Njerëzia ia dhanë vrapit të ndjekur nga breshëritë e plumbave; në mesditë rrugët, rrugicat, oborret dhe kopshtijet ishin mbuluar prej gati 700 kufomash, ndër to edhe ajo e myftiut, Hasan Abdullah Mulazimit dhe burrave të tjerë më të rëndësishëm, ndër to edhe të plot e plot grave dhe vajzave. Për këtë përpirësi greke J. G. Shàra në veprën e vet “Istoria tis...”, fq. 668 shkruan: “Urrejtja që vlonte brenda tyre shpërtheu egërsisht mbi gratë, fëmijët, pleqtë e të pafajshmit. Hyrja dhe gjakësitë e tyre në Paramithì s’lanë asnjë dyshim mbi të ardhmen e pakicës(shqiptare islamike –I. D. Hoxha). Kërdìa, dhunimet, plaçkitjet, djegiet e keqbërësitë e tjera vunë vulën e tyre në çdo vend të Çamërisë”. Ndërsa Niko Zhàngua në veprën e vet “Imperialìzmi anglez dhe qëndresa kombëtare 1940-1945”, duke folur mbi përbindshmërinë e kryqtarëve athino-fanaritë EOEA- sitë EDHES-të në Paramithi, ndër të tjera vëren: “Barbarìzëm në Paramithì. Historia ditëtë që vijuan fsheh fytyrën e vet nga turpi”.(J. G. Sharra, “Istoria tis....”, v. e p., fq. 668). Tërë ç’kishin arritur të mbeteshin gjallë –kryesisht femra, fëmijë e pleq e plaka- u rrasën gati një mbi një nëpër bodrumë. Të nesërmen e gjëmës në Paramithì(27.6.1944), EOEA-sitët hynë në fshatin Karbunâr. As atje s’lanë kënd të gjallë nga sa zunë. Niko Zhangua në veprën e vet vijon: “Tërë çamërit që u gjetën në Karbunâr, u vranë dhe u hodhën nëpër hendeqe: një nënë me 7 fëmijë si edhe të vegjël të tjerë, tri vajzat e Muharrem Agushit, nusja e Hodos dhe Ajshê Agushi”.(J. G. Sharra, “Istoria tis...”, v. e p. ,fq. 669). Pas dy ditësh ata arritën në Margëllëç; “e plaçkitën egërsisht; të vetmit që s’kishin mundur të mërgoheshin, ishin plaku Qamil i paralizuar prej vitesh dhe e shoqja e tij; i therën të dy brenda shtëpisë së vet”. (J.G. SH., “Istoria...”, fq. 699). Niko Zhangua shënon: ”...ata që kapeshin nëpër fshatra, kaloheshin në thikë; nuk bëhej përjashtim as për fëmijët, gratë e të sëmurët. Shpëtonin vetëm ca të pakë që kishin shumë para dhe lira florì, me të cilat riblenin jetën e tyre dhe iknin drejt kufìrit. Paturpësitë e poshtërsitë e EDHES-itëve vunë kudo vulën e njollës së zezë”. (J. G. SH., “Istoria...”, fq. 669). Në fshatin Livadhâr vranë Izet Lovidhen, të birin, të shoqen dhe të bijën në bahçen ku punonin. Ditët e fundit të korrikut 1944 grinë të 58 vetët që gjetën në Pàrgë, përfshi edhe myderrizin e qytetit, tok me familjen e vet: dy të bijtë, të shoqen dhe të bijën.(Lista e mërore gjëndet në “Enciklopedi Jugshqiptare” II, ende e pabotuar). Në Vólë vranë këdo që zunë, kurse në fshatin Skrropjonë të Margëllëçit femrat e familjes të Sako Banushit i përdhunuan dhe pastaj i thelëzuan. Në fshatin Kastrìzë shuan të 16 pjesëtarët e 2 familjeve, të vetmet familje islamike në atë fshat: të Halil Rustemit e Hasan Sùlçes; grinë burrat dhe në vijim përdhunuan për 3 ditë rresht vajzat dhe gratë, njëra nga të cilat disa muaj shtatzënë. Pasi ishin velur me kënaqësitë e veta shtazaràke, gratë në fjalë dhe fëmijët e tyre i shpunë në vendin e quajtur “Tre Ullìnjtë” (ndërmjet fshatrave Mavrùdh dhe Vàrfan dhe i vranë grékçe, domethënë me musibéte që s’ka gjuhë t’i tregojë e penë që t’i përshkruajë. “Haziz Hate Shabìnin, të vetëmin që arritën të kapnin në fshatin Shùlash, e pushkatuan aty pranë, në vendin e quajtur «Gropa e Mihailìdhit». Kufomën e Mehmet Abazit që kishte vdekur para dy muajsh e qitën nga varri dhe e tërhoqën zvarrë nëpër rrùgët e fshatit. (J. G. Shàrra, “Istoria tis....”, fq. 699). Pas Përbindshmërive në Paramithi, Pàrgë, Vólë dhe gati në tërë fshatrat e përtej e këtej Kalamàit, lemeri të ngjashme ndodhën edhe në Filat dhe fshatrat rreth tij. EOEA-sitët e EDHES-it, pasi grinë me plumba mbi 75 vetë në fshatin Spàtar, hynë edhe në Filat. Niko Zhangua thotë: “Njerëz të egër e barbarë që kërkonin lira e plaçkë hynin si zotër nëpër shtëpitë, dhunonin vajza e gra dhe vrisnin kë të donin”. (J. G. SH., “Istoria...”, fq. 669). Ndërsa J. G. Shàrra nga ana e vet thotë se, kur zervistët morën Filatin, “në vendin e quajtur «Vànër» vranë 65 çamër islamikë; dhjetra të tjerë i hodhën poshtë nga lartësitë e Urës së Nàçit”. Po dihet se edhe rreth 50 të tjerë i grinë në buzëlumin ndërmjet qytetit Filàt dhe fshatrave Galbàq e Vërselë. Në fq. 665 të “Istoria tis....” J. G. Sharra shkruan: “Gjakësitë në Paramithì dhe thellimi i keqbërësive nuk linin asnjë dyshim se, po të donin të mbijetonin si popull, duhej të çrrënjoseshin”. Po J. G. Sharra në fq. 670 të “Istoria tis...” vëren: “Kush donte të jetonte, duhej të linte truallin e shenjtë të atdheut të vet, shtëpinë, pasurinë dhe të merrte rrugën e mërgimtarit”. Në rrethana të tilla, kush arrinte, mërgohej ngutësisht; duke bërë fjalë për varganin e pandërprerë shumë kilometrash të të shpërngulurve çamër islamikë të mbetur ende gjallë, J. G. SH. në fq. 665 të veprës së vet, shkruante: “Tabloja që paraqitnin ishte rrënqethëse dhe e vajtueshme...mijëra vetë: burra, gra, fëmijë, pleq e plaka në një vargan kilometrash të ngjashëm me një gjarpër në lëvizje e arixhinj në pamje, me dhimbjen dhe keqardhjen në fytyrat e tyre, të ngarkuar me çka kishin mundur të merrnin me vete, ecnin nëpër udhën që konjukturat fatkeqe me veprime të paramenduara u krijuan kaq pësime ç’njerëzore dhe të ashpra”.
Niko Zhàngua në veprën e vet shkruan edhe: “ Èrë e qelbur në shtëpitë e Sali Hafuzit, ku kishin mbyllur gra e fëmijë; vdekje fëmijësh, pamje rrënqethëse e grave myslimane që hiqeshin zvarrë e, edhe pse të uritura dhe të cfilitura, përdhunoheshin e rriheshin nga oficerët zervistë gjatë 6 muajve që u mbajtën të burgosura”. (“Actes agressifs du gouvernement manarcho-fasciste grecs contre l’Albanie”, Tiranë, 1947, kreu XIV, fq. 64-65). Rreth 350 prej tyre që kishin mbetur ende gjallë, në kujdesin e një anglezi u detyruan t’i nisnin në këmbë për në Shqipëri, udhëtim ky që dihej se veç raskapitjes së atyre grave e fëmijëve të tretur, ishte plot me rreziqe të mëdha. Duke u hedhur këndej Kalamait me një palo trap, jo pak prej tyre u rrëzuan në rrymën e lumit dhe u mbytën. Gjatë tërë udhëtimit ato ishin përherë të mësyra nga gjithfarë rrugaçi, përdhunuesi dhe kusari grek e shqiptari të krishterë. Pas më se dy ditë e ca udhëtimi, gjatë një nate tejet të ftohtë e me shtrëngata bore u prunë deri në kufirin shtetëror dhe u lanë atje në mëshirën e shtëllungave të borës dhe të ftohtit ku “këputej perona”. Të lagura deri në palcë dhe duke mos ditur nga të lëviznin, u sorollatën brinjave malore dhe grykave tërë natën. Mëngjezi u gdhi kur 25 vetë kishin ngrirë; ndër to edhe Hafizeja 7-vjeçare, e bija e muhtiut të Paramithìsë, Hasan Abdullah Mulazimit, e vetmja prej familjes së tij që kishte mbetur gjallë nga kasaphana e 27.6.1944 dhe nga vuajtjet e 6 muajve burg. Asaj nate atje kishte vdekur edhe Minêja, e shoqja e hoxhë Husejn Efendiut si edhe e bija, Hasibêja, e shoqja e Sami Dinos nga Paramithia, vrarë nga zervistët më 27.6.1944 në Paramithi; kishte vdekur, gjithashtu edhe Hismâja 12-13 vjeç, e bija e mulla Halilit nga Dhrohomìa, vrarë nga zervistët në Paramithi më 27.6.1944.
Po mjerimet e çamërve ende s’kishin marrë fund. Në muajin janar 1945, kur ushtria ELLAS-ite EAM-ite i përzuri gjakatarët e Zervës nga Çamëria e Janina, qindra çamërve të mbetur në mjerim të plotë e duke vdekur aty-këtu rrugëve, iu desh të ktheheshin në vatrat dhe mallin e vet. Mjerisht, gjatë 10-ditshit të parë të marsit, egërsirat zerviste u rikthyen në Çamëri. Vrasjet e therjet e bëra prej tyre ishin edhe më tmerruese se ato të vitit të kaluar; kush s’ishte grirë ende prej breshërive të plumbave, i fluturonte koka prej hanxharëve, thikave e sëpatave. Mbi 500-600 kufoma njomën me gjak vendin brenda dy ditëve.
Kur në Çamëri grekërit s’kishin lënë më këmbë shqiptari islamik të gjallë, drejtësia e padrejtë greke të gjithë çamërit –të madh e të vogël- i dënonte me vdekje, u hiqte përjetësisht të drejtën e autoktonìsë dhe tërë pasuritë e tyre i bënte bir për vete të shtetit grek.(J. G. SH., “Istoria tis...”, fq. 673). Mbi sa ndodhi, J. G. Shàrra në fq. 670 të veprës së tij të përmendur shkruante: “Në Çamërì u shkelën ligjet e njerëzimit dhe u njollos historia e saj nga këto ordhì njerëzish të egër”; ndërsa në fq. 672 vëren: “Këto ishin përfundimet e politikës së urrejtjes së fesë (islamike –I. D. Hoxha) dhe të politikës së çmëndur të EDHES-it; ato, pasi vulosën me gjak, lotë e rrënime fatin e të dy bashkësive (islamike dhe ortodokse në Çamëri), patën si përfundim çrrënjosjen e çamoshqiptarëve nga toka e të parëve të tyre, nga shtëpitë e pasuritë e tyre...”.
-------------------------------------------------------------------------------------------------------
1. Lumo Skëndo(Mitat Frashëri), “Kalendari Kombiàr” nr. ,T. 192 ,fq.
2. Duket se luftimet për shkatërrimin e rrethit të armatës greke, e cila më 1854 kishte qarkuar taburët osmanë në kalanë e Nàrtës, zgjatën një javë.
3. Lista emërore e tyre gjëndet në fq. 110/1,2.3,4 të librit: “Çamëria dhe Janina në vitet 1912-1922”, T. 1996.
*. Këtë dhe plot të tjerë i patën djegur të gjallë.
Tirànë, më dt. 15.09.2008

Comments