Kush e kerkon rehabilitimin e kriminelit Thoma Pituli?


Kush e kerkon rehabilitimin e kriminelit Thoma Pituli?

Nga kryesia e Sh.P.A."Çamëria" dega Vlore

Në gazetën Çamëria të muajit prill 2008 nr 179 fq. 10 është botuar një fotografi pa nëntekst e katër vëllezërve Pituli, marrë nga libri "Çamëria" studime historike (f 133) i historianit shqiptar Hajredin Isufi. Vendosja e kësaj fotoje në gazetë, si simbol i luftëtarëve të krahinës së Çamërisë, është një krim i madh që i bëhet dinjitetit shqiptar dhe gjithë historisë sonë. Është tallje makabër për të gjitha ato viktima të vrarë dhe zhdukur për gati 4 dekada të fillim-shekullit të 20të, nga vrasës profesionistë siç janë një pjesë e vëllezërve Pituli dhe veçanërisht vëllai përbindësh Thoma Pituli.

Të shpallësh heronj të krahinës së Çamërisë vrasës të tipit Thoma Pituli e ti botosh në gazetë si simbol të heroizmit e të luftës për pavarësi, si përfaqësues të asaj plejade luftëtarësh që janë nderi i krahinës së Çamërisë e për rrjedhojë janë nderi i kombit shqiptar, do të thotë se redaksia e gazetës "Çamëria" ka lajthitur krejtësisht.

Libri "Çamëria" me autor Hajredin Isufin, është promovuar në mjediset e muzeut kombëtar në muajin Tetor në vitin 2006 me mbështetjen e plotë të kryetarit Ardian Tana dhe të kryesisë së shoqatës Çamëria me qendër në Tiranë.

Është e kuptueshme, që zotërinjtë në fjalë, do të jenë njohur me përmbajtjen e librit qoftë edhe përciptazi pa folur, që për edukatë, duhet edhe ta kenë lexuar. Autori i librit H. Isufi ka gjithë të drejtën e tij të shkruaj çfarë të dojë e ti bëjë analizat si të dojë. Është e drejta e tij që historinë ta shikojë nga këndvështrimi i tij dhe ti bëjë analizat po nga ky këndvështrim, por ne gjithashtu kemi të drejtën tonë, të mbajmë qëndrimin tonë që e mendojmë si më të arsyeshmin mbështetur jo thjesht mbi emocionet e çastit apo interesave në errësirë por mbi fakte dhe analiza të dala nëpërmjet debatesh. Nuk përjashtohet mundësia, që Kristo Pituli, të ketë pasur marrëdhënie shumë të mira brenda dhe jashtë Shqipërisë të viteve 1913 në zonën e Korçës dhe Çamërisë qoftë edhe për shkak të interesave ekonomike që e lidhnin. Por të thuash se familja Pituli rrëmbeu armët kundër
Turqisë për të luftuar për pavarësinë e Shqipërisë kjo është një marrëzi e papranueshme. KJO NUK ËSHTË ASPAK NJË E VËRTËTE HISTORIKE.

Ajo ishte një familje vllahe-kolonjare e krishterë dhe luftonte kundër Turqisë në emër të ortodoksisë pa përmendur këtu interesat ekonomike që do të përfitonte kjo familje nga shembja e Turqisë, siç ndodhi në realitet. Askush nuk disponon fakte dhe dokumente se ata kishin rrëmbyer armët vetëm për idealizëm përkundrazi realiteti i mëvonshëm tregon se ajo u bë shumë shpejt një familje e fuqishme ekonomike me lidhje të gjithanshme me politikën. Ajo si një familje e tillë me shumë peshë në zonën e Çamërisë e njihte mirë synimin e Greqisë për copëtimin e Shqipërisë. Greqia dhe Serbia në fillim shekullin e 20të e në vazhdim ishin shndërruar për Shqipërinë në dy vende shumë të rrezikshme për fatet e saj. Ne nuk kemi ende sot ndonjë fakt apo dëshmi se familja Pituli ishte për një shtet shqiptar të pavarur ku në të të përfshihej edhe Çamëria. As H. Isufi në librin e tij nuk na sjell ndonjë
dëshmi qoftë dhe ndonjë burim gojor që të provojë se familja Pituli ish pro pavarësisë së Shqipërisë. Përkundrazi, çdo gjë flet se ata kanë luftuar për fitoren e ortodoksisë në Ballkan e veçanërisht për rikrijimin e Greqisë Bizantine përfshirë në tezat e "Megaloidese" e që maturish është mbështetur prej tyre copëtimi përfundimtar i Shqipërisë.
Ngjarjet e viteve 1940-1941, vërtetojnë plotësisht tezën tonë: pas pushtimit të Shqipërisë në 1939 nga Italia ishte fare e lexueshme për këdo që shteti Grek i gjeneral "Metaksait", pavarësisht se ish shndërruar në një shtet fashist, do të ishte goditja e radhës. E informuar mjaft mirë nga "Inteligence Service" qeveria Greke ndërmori masa të menjëhershme për të përballuar agresorin. Ajo bëri 2 mobilizime të përgjithshme ushtarake, ku thirri gjithë popullsinë mashkull të aftë për të mbajtur armët. U thirrën edhe shqiptarët e Çamërisë por nuk i pajisën me asnjë lloj arme. Qeveria e "Metaksait" nuk kish besim te shqiptarët myslimanë. (Ky është një gabim i rëndë i qeverisë greke pohon historiani grek Jani Sharra) dhe shton se analizën e ti se ky gabim do tu kushtonte shumë si shqiptarëve ashtu edhe grekëve. Në fakt ky nuk ishte një gabim i bërë pa dashje por një strategji e përcaktuar qartë sepse të gjitha qeveritë greke pas vitit 1913, e konsideronin popullsinë myslimane Çame të huaj dhe armike e cila duhej dëbuar me çdo mjet nga territori Grek. Ajo (Greqia) punoi për vite të tëra jo për forcimin midis etnive dhe besimeve të ndryshme, por përkundrazi, për ti acaruar ato në maksimumin e mundshëm deri edhe një përplasjen e armatosur midis tyre në një kohë më të përshtatshme për të. Ushtarëve çamë myslimanë të mobilizuar nën armë, në vend armëve i inkuadruan në reparte xheniere dhe nisën të bënin nga punët më të rëndomta dhe sikur të mos mjaftonte kjo, shiheshin e trajtoheshin me neveri me apo pa arsye.
Janë të shumta dëshmitë që vërtetojnë keqtrajtimin që iu bëhej myslimanëve Çamë në ushtri. Por megjithatë edhe pse ky mosbesim nuk kishte baza por për të treguar se në rast agresioni ndaj Greqisë, shqiptarët myslimanë të Çamërisë gjoja do ti bashkoheshin agresorit. Mosbesimi arriti kulmin kur Qeveria fashiste e Metaksait në mobilizimin e përgjithshëm, përveç atyre (Çamëve) që ishin ushtarë, thirri nën armë edhe 2 000 djem të tjerë Çamë, Me "bekimin" e kishës greke, dhe veçanërisht të kryepeshkopit te Janinës Spiridon Vllahu dhe prefektit të Gumenicës Andonakia, u thirr një grup prej 13 vetë, njerëz me influencë të krishterë të krahinës së Çamërisë ku midis tyre ishte edhe Kristo Pituli dhe kryetar i këtij grupi u caktua gjakatari Jorgji Vasillakua që mbante edhe postin e sekretarit të prefekturës së Gumenicës. Ky komision internoi dhe arrestoi krerët e të gjithë fshatrave të Çamërisë
dhe e la popullatën çame të pa organizuar. Në këtë gjendje e gjeti popullatën çame sulmi italian i 28 Tetorit të 1940-s. Brenda 3-4 ditësh fronti italian mbërriti pranë Marglliçit. Në fshatin Grikohor, shumë pranë Gumenicës u vendos shtabi i batalionit shqiptar i udhëhequr nga Azis Çami, i cili përbëhej nga milicë të mobilizuar nga qeveria kuislinge shqiptare. Ky është edhe momenti kur nëpërmjet një gjyqi ushtarak të komandës italiane në zonën e Gumenicës dënohet me vdekje me pushkatim Kristo Pituli me akuzën se në fushën e Rrajit kish organizuar goditjen e pararojës italiane ku u vra edhe komandanti i kësaj pararoje. (kjo sipas historianit Jani Sharra). Kundërsulmi i grekëve filloi më 13 Nëntor rreth 20 ditë pas pushtimit italian. Tërheqja e italianëve dhe e batalionit milicë të Azis Çamit u bë i plotë. Me ta u larguan edhe disa burra çamë që e quanin veten fajtorë sepse bashkëpunuan me
italianët. Pjesa tjetër e popullatës gjë gjatë pushtimit qëndroi indiferente gjatë këtij konflikti luftarak, krejtësisht e pafajshme dhe e dëmtuar nga ky konflikt vazhduan me jetën dhe punën e tyre duke filluar riparimet nga dëmet e shkaktuara nga lufta.
Në vend që Qeveria greke të ndihmonte popullatën e dëmtuar nga konflikti siç do bënte çdo qeveri në pozicionin e saj, ndërmori një nga veprimet më gjakatare. Ajo urdhëroi ushtrinë dhe policinë dhe thirri në ndihmë të saj gjithë elementin negativë ortodoks dhe grumbulloi nëpër qendra të veçanta gjithë meshkujt myslimanë çamë nga mosha 12 vjeç e deri te pleqtë që ishin "me një këmbë në varr" dhe filloi dëbimin e tyre pjesë-pjesë drejt Prevezës dhe Patrës duke i imbarkuar dhe transportuar drejt ishujve të Hijo e Medilinë. Ishuj në të cilët ishin ndërtuar kampe për shfarosjen e myslimanëve Çamë. Distanca e largët rreth 1 500 km i shkaktoi popullatës shumë vuajtje dhe mundime dhe si rrjedhojë dhe shumë vdekje. Ata që mundën të mbijetonin kanë treguar me lemeri për tmerret e atyre muajve.
>
> I dashur lexues, ky është momenti ku "shkëlqen" patriotizmi i familjes Pituli të cilët zbatuan planin gjakatar, i pabesë dhe aspak burrëror kundër bashkëqytetarë ve te tyre myslimanë.
>
> Në fshatin Grikohor ndodheshin disa shtëpi-burgje ku mbaheshin ata që do të internoheshin nga fshatrat përreth si: Salicë, Sharat, Peshtan, Shulash, Varfanj si dhe nga Gumenica. Ndërkohë njëri nga vëllezërit Pituli, pikërisht Thomai, organizoi një bandë kriminale me nipër dhe afërm të tij dhe gjakësorë të tjerë dhe bënte terror në familjet e pambrojtura të të internuarve apo të burgosurve myslimane në zonën përreth, duke i kërcënuar dhe deklaruar haptazi se do të hakmerrej duke vrarë 300 djem çamë për kokën e vëllait të tij (të ekzekutuar nga italianët).
>
> Në prezencën e ushtrisë dhe policisë greke e cila ruante rreptësisht shtëpitë-burgje, Thoma Pituli me gjakësorët e tij, merrte gjatë natës djemtë burrat më të rinj dhe vetëm disa qindra metra larg i masakronte. Në mes të këtyre vrasjeve ai eliminoi gjithë kundërshtarët e familjes së tij me të cilët kishte konflikte pronësie. Meqenëse ata ishin në gjyq me Fetahejt, (një familje e madhe autoktone dhe me shumë prona) për "Maligonenë" ai eliminoi nga kjo familje 3 burra;
>
> Avdi Maze Fetahun, babanë e katër fëmijëve, pasi e nxori nga shtëpia-burg e dogji të gjallë me benzinë në mes të ditës në qendër të qytetit të Gumenicës.
>
> Ahmad Muho Fetahun 3- Jaho Idriz Fetahun.
>
> Shoi gjithë meshkujt e shtëpisë të Idriz Dule Xhemaliut (i cili bashkë me të vëllanë Bido Dulen ishin zotërues të një pjese te madhe të qytetit të Gumenicës. Edhe këta autoktonë në lagjen Gravë të Gumenicës) me të dy djemtë, Avdul Idriz Dule Xhemaliu 23 vjeç, dhe Shuaip Idriz Dule Xhemaliut 22 vjeç. Kjo ishte një nga vrasjet më makabër që Thomai ka bërë, sepse pasi i nxori nga shtëpia-burg në Grikohor i çoi paksa në Veri të Gumenicës, në vendin e quajtur "Vigëlzë" (atje ku sot është stadiumi i futbollit) dhe në prezencë të babait i masakroi të dy djemtë, detyroi të atin të hapte gropën dhe më pas masakruan edhe të atin. Kjo ndodhi pikërisht aty ky italianët ekzekutuan Kristo Pitulin.

Qamil Zenel Kasimin e Shyquri Abaz Bajramin nga Grikohori si dhe Hamit Tahushin nga Salica e Qazo Rexhep Himon i vrau në anë të detit në vendin e quajtur "Stamatël".

Beshir Rushit Xhaferri dhe Damush Husein Zërin djalin e motrës së Beshirit i vranë në faqen malore mbi Gravë (mbi Gumenicë) në vendin e quajtur "Grava e Drizave" (shpellë në kodrën mbi Gumenicë, pranë gërmadhave të kështjellës Veneciane) dhe akoma të gjallë i hodhën në atë brimë 25 metër të thellë, dhe shumë e shumë vrasje e masakra të tjera që bëri "Qirie" (zoti) Thomai me "bekimin" e kishës dhe autoriteteve greke që ishin prezentë ne çdo moment.

Ende dëgjohen klithmat e të pafajshmëve që thërrisnin buzë detit apo përrenjve ku nxirreshin për tu masakruar : "Çish u kemi bërë mre që na vrisni".

Këta djem të pafajshëm Çam të masakruar pa gjyqe nga krimineli Thoma Pituli i nxitur nga dëshira e verbër e hakmarrjes alla-nomade dhe jo-burrërore sot paraqiten si dëshmi e gjallë e veprës mizore të kësaj familjeje, e cila rehabilitohet nga institucioni apo lidershipi i cili ka marrë përsipër dënimin e këtyre krimeve dhe kriminelëve, që të mund të ngushëllojë sado pak shpirtrat e atyre që kanë vdekur duke parë këto tmerre me sy, dhe familjeve dhe të bashkatdhetarë ve të atyre që jetojnë edhe sot për 64 vjet si muhaxhirë e të përzënë përdhunisht nga vatani i tyre po nga këta kriminelë, e që i kanë të gjalla ato momente tmerri, pra krimet makabër që ideoi dhe zbatoi Thoma Pituli. Janë këto masakrat që frymëzuan edhe Napolon Zervën 3 vjet më vonë, si dhe Theodhori Viton, Kranjanë, Vasil Ballumin e shumë e shumë gjakatarë të tjerë që hynë mëngjesin e 27 Qershorit të '44s ku ç'nderuan gra e
vajza dhe masakruan gjithë sa gjetën në Paramithi dhe në për rrethina.

Të gjitha ato (pasi të mbijetuarit ishin vetëm femrat dhe fëmijët) që mundën të shpëtonin gjallë nga masakrat e Paramithisë u mbyllën për rreth 2 muaj në shtëpinë e kthyer në burg të Muhedinajve, pasi shpëtuan nga misioni ushtarak anglez tregojnë për krimet torturat dhe mizori të llahtarshme.
Janë këto akte mizore që pas disa ditësh ç'nderuan dhe masakruan këdo që gjetën nga popullata myslimane në qytetin e Pargës dhe pas rreth një muaj e gjysmë këto hordhi barbare me uniformë ushtarake të komanduara nga kolonelë e gjeneralë me "bekimin" e kishës, kaluan lumin Kalama dhe iu turrën fshatrave dhe qytetit të Filatit ku njëlloj si në Paramithi ç'nderuan gratë dhe vajzat dhe masakruan gjithë burrat.
Në Mars të 1945 kur popullata myslimane çame e cila kish kaluar e përzënë kufirin shtetëror grek iu përgjigj thirrjes së qeverisë provizore greke të dalë nga marrëveshja e Varkizës, për tu kthyer në Çamëri, por fatkeqësisht të njëjtët autorë të masakrave të mëparshme, masakrojnë dhe përdhunojnë sërish, popullatën e rikthyer. (shih Jani Sharra, Ibrahim Hoxha, Niko Zhonga)

Na u desh të hynim në histori për të parë, kuptuar dhe treguar se kush ka qenë familja e Pitulejve në vitet 1940-1944, se cilët janë katër luftëtarët e krekosur botuar në gazetën "Çamëria" poshtë shkrimit të pseudo-historianit H. Isufit "Aleanca. Trimëria Shqiptare përballë dinakërisë greke". Titulli i shkrimit është shumë domethënës sepse historikisht ne përballë dinakërisë greke kemi përdorur muskujt.

Çdo të thotë kjo fotografi pa nëntekst? Çfarë fsheh ajo në vetvete? A mund ti shpjegojë çamëve redaksia e gazetës dhe lidershipi i shoqatës Çamëria se ç'qëllim pati kur vendosi në organin e saj këtë foto? A e njeh kjo udhëheqje historinë e popullatës që përfaqëson? A i njeh shkaqet dhe autorët e krimeve dhe tragjedisë që pësoi kjo popullatë? A e din udhëheqja që po kjo familje (për meritat e saj që pati në favor të kauzës greke) sot janë poli më i fuqishëm ekonomiko-politik në Çamëri dhe janë një nga pengesat e mëdha të zgjidhjes së çështjes sonë? Mos vallë udhëheqja ka interesa të përbashkëta me këtë familje? A mund të ndodhi ndryshe? Apo mos vallë duhet të presim në të ardhmen të shohim të botuara në gazetën Çame edhe kriminelë të tjerë "të nderuar" dhe ndoshta mes tyre dhe kryebanditin Napolon Zerva?! Botimi i kësaj fotografie është një lajthitje apo një strategji e menduar
mirë për rehabilitimin e këtyre kriminelëve që me mbështetjen e qeverisë greke na krijuan kaq shumë dhimbje e na kthyen në refugjatë? Kush do duhet ti përgjigjet Çamëve për gjithë këto "bëma"?

Ne kërkojmë që ky studim të botohet në gazetën "Çamëria" ku familjeve të masakruara, popullit Çam, dhe gjithë kombit shqiptar kudo që ndodhet, ti kërkohet falje me përulje në mënyrë publike ku të dalin autorët dhe përgjegjësitë për të vënë në vend dinjitetin dhe nderin tonë dhe mbi të gjitha atë kombëtar.

Comments

Popular posts from this blog

ÇAMERIA GJATE LUFTES SE DYTE BOTERORE

THE GENOCIDE OF CHAMERIA

NURI DHE MAZAR DINO