ALI PASHE TEPELENA

IBRAHIM D. HOXHA HISTORIAN FOLKLORIST

ALI PASHE TEPELENA

(Shkeputur nga Enciklopedia Jugshqiptare)



ALI pasha TEPELENA(1744-1822). Atdhedashës shtetformues. Lindi në fshatin Veliqot të Tepelenës. I biri i Veli Husejn Nazifit me prejardhje turke. Në Hajat Ansiklopedisi, Stamboll, 1932, fq. 124-125(përkthyer nga dr. Vasfi Samim Visoka) thuhet se ishte burrë i pashëm e madhështor; i pëlqente muzika dhe zërat e bukur. Nga një bej i zakonshëm, u ngjit në pasha me tri tuga(bishtra), në shkallën vezir dhe detyrën bejlerbej(komisar i përgjithshëm) i Rumelisë(pjesës Ballkanike të sulltanatit osman). Më 1788 u bë sundimtar i vilajetit me kryeqendër Janinën, “Kapital of Albania”; vilajet që pëmblidhte brenda tij gati tërë jugun shqiptar. Lordi anglez, Xhorxh Gordon Bajroni, në letrën me dt. 12.XI.1809 dërguar nga Préveza së ëmës në Londër, për të i shkruante edhe: “Ali Pashai është njëri nga më të fuqishmit burra të Sulltanatit Osman...Ai ka qënë një luftëtar i madh. Është edhe shumë trim dhe një gjeneral aq i zoti, sa që e quajnë «Buonaparti Musliman» . Është person me rëndësi kaq të madhe, sa që të dyja palët(anglezë e francezë –I.D.H.) e marrin me të mirë dhe duan ta bëjnë për vete, pasi shqiptarët janë kombi më i pashtruar nën sundimin e sulltanit dhe se Aliu formalisht është i varur nga P.L.”. Dr. H. Holland, “Travels in the Jonian Isles, Albania, Thesaly, Macedonia etc. during the jears 1812-1813”, London, 1815, e quan: “Veziri i Shqipërisë”. Dëshmitari anglez, dr. Smart Huges, “Travels in Sicily, Greece and Albania” II, London,. 1820, fq. 84 dhe 233-234). shkruan:"Nuk ka shkallën e një mbreti, po nga fuqia është më i madh se një mbret...Sundimi i Ali Pashait në përgjithësi është dobiprurës për Shqipërinë, në krahasim me gjëndjen në të cilën ndodhej para qeverisjes së tij. Ai është vetë lumturia, po të krahasohet me qeverimin e Moresë dhe shumicën e vendeve të tjera të Turqisë. Shqipëria është më e lumtur dhe e lulëzuar nën sundimin e tij të vetëm dhe të rreptë, se sa e ndarë ndërmjet krerëve të ndryshëm dhe e shqetësuar nga luftimet e tyre të pandërprera... ”. D. Urquhart, “The Spirit...”, I, fq. 152 shkruan: “Sundimi i Ali pasha Tepelenës fuqizoi më tej karakterin luftarak të shqiptarëve”. Koloneli shtabmadhor dhe përfaqësues i qeverisë angleze në Oborrin e A. p. T., Uilliam Martin Liku(W.M.Leake), në librin e vet “Travels....” IV, fq. 224, shkruante edhe: “Është provë e një largpamësie dhe këmbënguljeje në synimet e veta, për të cilat pak burra shteti dhe mbretër ia kanë kaluar atij”. E. Spenser, “Travels...” II, fq. 182 shkruante: “Zotëronte tërë energjitë dhe guximin e racës së tij, një shqiptar i vërtetë, i cili po të kishte arritur të flakte zgjedhën e osmanit, vendi në fund të fundit do të përparonte nën sundimin e tij”. Në Megali Eliniqi Enqiklopedhia, Athinë, 1927, fq. 743, thuhet: “Sundimi i Portës dhe i Sulltanit në vilajetin e tij ishte një lojë nderimi vetëm sa për sy e faqe. Në thelb Aliu komandonte vetëveten, si të ishte vetë shteti”. Uiliam Pllomeri(William Plomer) në librin e vet: ”Ali Pasha: The Dhiamond of Jannina(ALI PASHAI: Diamanti i Janinës) botuar në SHBA më 1970, thotë se A. p. T. luajti një rol të rëndësishëm në kohën e tij dhe ka një vend domethënës në histori. “Një burrë i shumëparaqitshëm, tërheqës, gaztor dhe me guxim të madh...Ai ka qënë quajtur shëmbulli më romantik si Muhamedi, Buonaparti dhe shumë emra të tjerë shumë a pak të njohur. Viktor Hugoi e quajti atë kollos, njeriun e kohës që mund të krahasohej me Napoleon Buonapartin”. Më tej shtonte: “Napoleoni me Aliun ishin si luani me tigrin, apo si shqiponja me skifterin”. Uilliam Pllomeri në paskapakun e librit shkruan: “Nga kryeqyteti i tij, Janina, Aliu ngatërroi(ndërseu) kundër njeri-tjetrit fiset(bajrakët) dhe fuqitë e huaja...Nderohej dhe vlerësohej nga vizitorët e huaj –duke përfshirë edhe lord Bajronin- sepse ishte shumë i këndshëm dhe tërheqës”. Në vijim të veprës së vet U. Pll. shkruan edhe: “Në Greqi ai është paraqitur në balada, këngë popullore dhe të tjera shkrime të tilla. Ai çeli imagjinatën e Bajronit, motivin të paktën e një novele, apo pothuajse si në rapsodinë hungareze nga Mor Jokai. Dumasi e përdori në pjesën më të fundit të jetës së tij tek Konti i Monte Kristos.”. Shkrimtari hungarez, Jokai, veprën e vet mbi A. p. T. e emërtoi: “Lion of Janina”(Luani i Janinës). Vepra ka qënë përkthyer anglisht nga Bain-i; u zbulua më 1938 nga Hasan Abdurrahim Spahiu, përkthyes dhe përshtatës i shumë veprave historianësh e shkrimtarësh të tjerë anglezë. Vepra në fjalë(anglisht) ruhet në arkivo-bibliotekën vetjake të H. A. S.
A. p. T. ishte besnik i përbetuar i racës burimore shqiptare; si i tillë ai nuk e njihte përuljen dhe lëpirësinë. Në vitet kur cilido mbret e perandor evropian e kishte për nder të madh të lidhej me perandorin më të shkëlqyer evropian të kohës, Napoleon Bonapartin, A. p. T. e quante të barabartë me veten. Kjo del në pah fare çiltër nga vargjet në vijim: “Apo mena to veziri,/ qa pose to xheneralis,/ to mali ine haziri,/ stile grosha na to paris”(Nga unë veziri,/ ti, gjeneralit;/ leshi është gati,/ dërgo të hollat ta marrësh). Napoloni kishte porositur për një sasi leshi me të cilin endeshin stofat e teshave të ushtrisë. Po, nga sa duket, ai kërkonte t’i dërgohej leshi pa derdhur ende të hollat. Krenaria, mosmbiçmimi i kundërshtarit dhe papërkulshmëria shqiptare e A. p. T. dallohet fare bukur edhe në qëndrimin ndaj sulltanit, sado që i rrethuar në Janinë. “Emena len’ Ali Pashas,/ me len’ q’Ali Baruti,/ pu vastaksan to polemo/ me to sulltan Mahmuti. (Mua më thonë Ali Pasha,/ më quajnë edhe Ali Baruti,/ që bëj luftë edhe me sulltan Mahmutin).
A. Sladeja, “Records of Travels...” I, fq. 250, shënonte:“Është heroi i shqiptarëve, temë(burim) e këngëve të tyre, i cili, pavarësisht nga tirania e tij, i zotëronte me një ndikim që s’e kishte patur askush që nga koha e Skënderbeut”. Xhevahire Ibrahim Demiri nga Konispoli (1844-1944), dëshmon: “Në kohën e Ali Pashait flî ulku bashkë me delen e nuk e ngit dot”. ”. Th. S. Hugesi, “Travels...” II, fq. 199, vëren edhe: “Rusët ishin aq ziliqarë ndaj pushtetit përherë më të fuqishëm të Ali pasha Tepelenës, sepse tek ai ata shihnin pengesën më të vështirë për planet e tyre në Turqinë Evropiane. Prandaj përpiqeshin me çdo mënyrë të vëzhgonin lëvizjet dhe t’u kundërviheshin planeve të tij”. Kurse në V. VIII,fq 110, shton: “Aspak për t’u lakmuar, me shumë premtime të pamatura, të pamundura për t’u kryer prej agjentëve tanë për të siguruar kështu përkrahjen e tij”. A. Boppi, në veprën e vet, “l’Albania”(fq. 34-35), shënon një pjesë nga shkresa e vitit 1803 që përfaqësuesi francez në Korfuz ia dërgoi qeverisë së vet; në të për A. p. T. thuhet edhe: “Ai mton(pretendon) se nuk i duron as rusët, as anglezët; unë besoj se ai nuk i do më shumë as francezët. Po, meqë nuk ka tjetër qëllim veçse t’i kundërvihet Portës dhe të mbahet në pavarësinë e vet, do të lidhet me fuqinë që do t’i zotohet se do ta ndihmojë për të vazhduar projektet e tij lakmuese...”. Mirëpo, edhe pse ai bëri gjithçka mundej për t’u lidhur me një qeveri shteti evropian, askush prej tyre nuk u tregua e gatshme; shkaku i vetëm ishte se ato qeveri vuanin –si edhe tani- nga lëngata kryqtare, gjë që shfaqet me tërë shëmtimin e vet edhe vitet në vijim. Të vërtetën e vë në dukje fare çiltër dt. Smart Hugesi në veprën e vet “Travels in Sicily, Greece and Albania”, L. 1820, rib. më 1830). Ai vëren se atë lidhje e pengonte “qënia në një fe që e ndalonte të kishte marrëdhënie të përzemërta me pushtetet e krishtera...”. Pra atyre qeverive nuk u pëlqente që mbi lëmshin tokësor të kishte edhe islamizëm, po vetëm kristianizëm; ishte pikërisht kjo mendësi e sëmurë që qeveritë e shteteve të mëdha evropiane i shtyu në ndëshkimin e disahershëm të shqiptarëve të pafajshëm, në dobi të fajtorëve fqinjë. Është për t’u ardhur keq që pushtetarët e qeverive të sapopërmendura pa kurrfarë dorashkash një qëndrim të tillë e mbajnë ende; rrjedhimisht, për faj të tyre gjakderdhja, vuajtjet dhe mjerimet e shqiptarëve vazhdojnë, ndërsa fajtorët s’i prek kush as me një lule.
E vërteta është se A. p. T. i zbuloi me kohë si synimet e pushtetarëve francezë, rusë etj., ashtu edhe paudhësitë e hiletë greke; ai, gjithashtu, ishte në dijeni të plotë se si po ndërthurnin veprimtaritë e tyre. Madje dinte edhe gurët që hidhnin kundër tij nëpërmjet P. L. Për të rralluar –në mos për të penguar tërësisht shigjetat e tyre- ai goditi dhe përzuri njësitë ushtarake franceze napoloniane nga cilido qytet shqiptar që mundi; madje në Prévezë kapi dhe burgosi edhe vet gjeneralin Lasalcet e më pas edhe gjeneralin Bertje. Më 1807 shpartalloi çetat e andartëve të nxitura nga francezët dhe zuri njërin nga krerët kryesorë të tyre, Kaçandonin.(M.E.E.”P.”, fq. 743). Më 1801 mbyti në liqen 18 femra të shpërdala greke –e vërtetë që pranohet edhe në M. E. E.“P”(fq.742)- ndër to edhe të mbesën e mitropolitit të Tërhallës. Pushtetarët francezë dhe rusë, duke përdorur shpegàrdhet(rrugaçet) greke, përpiqeshin të zbulonin gjykimet e A. p. T dhe vendimet shtetërore të tij. Sipas porosive, ato iu ngjiteshin si balta pas këpuce oborrtarëve; madje Frosina –shumë-shumë e bukur, tejet e zgjuar dhe ledhatore- kishte arritur t’i futej në shtrat edhe Muhtarit, të birit të A.P.T. F. Pukëvili, si një nga porosidhënësit më të mundshëm, duke dashur të fshihte gjurmët e veta dhe të dorës franceze që po vërviste pa ndërprerje gurët kundër A. p. T., thotë se veziri urdhëroi mbytjen e Frosinës se ajo nuk iu nënshtrua. Kjo lloj shpifjeje është aq trashanike, sa s’ka sesi të mos kuptohet fare lehtë prej gjithëkujt. Megjithatë të vërtetën e nxjerr në shesh vet bashkatdhetari i tij, gjenerali Guilbaune de Vandoncourt, përfaqësues i qeverisë franceze pranë A. p. T. Në fq. 272 të veprës së vet “Memoirs on the jonian islands...including the life and character of Ali Pasha”(Londër, 1816) shkruan se mbytja e Frosinës u bë për shkaqe politike e jo i shtyrë nga epshet, siç thotë Pukëvili. Që Frosina dhe shoqet e saj merreshin me spiunazh, u duk edhe nga ngjokja(pickimi) që i bëri grekërit të hidheshin aq shumë përpjetë dhe të përplasnin aq tepër fundet. Kjo –veç të tjerave- vërtetohet edhe nga vargjet: “Hjila kandarja zahari/ na riksete sto limi,/ ja na glitosun to nero,/ na pin qira Frosini...”.(Mijëra tonelata sheqer/ t’i hidhni në liqen,/ që të ëmbëlsohet uji,/ të pijë zonja Frosinë...”(Shih, “Bilbila dhe Thëllëza Çame”).
Në njërin nga dokumentet e Arkivit të Institutit të Historisë(dos. A-III.72) thuhet se, sipas historianëve turq, më 1803, pas 15 vjet goditjesh, A. p. T. mundi të nënshtronte sulotët dhe “iu kërcënua qendrës”. Ata thonë edhe se, pasi P.L. vuri nën sundimin e tij Pargën, A. p. T. e ndjeu veten më të fuqishëm se kurrë. “Në dukje i bindur -po që deri asokohe i kishte fshehur qëllimet e veta- hoqi maskën dhe u shpall i pavarur. Pushteti dhe pasuria e tij -të cilat i shërbenin për të luajtur një mijë e një intriga- nga njëra anë dhe zotësia e tij ushtarake nga ana tjetër, e ndihmuan që të bëhej një kundërshtar i tmerrshëm i Sulltanit; u shpall fermanllë(kërcënues) dhe u përgatit fuqi e madhe për t’u dërguar kundër tij”. Historianët në fjalë thonë edhe se, i vënë në dijeni mbi përgatitjet e P.L dhe të Oborrit Osman, A. p. T. –veç përgatitjeve të brenda vilajet-shtetit të Janinës- dërgoi përfaqësuesit e tij kudo ku popullata qe mërzitur nga sundimi osman: në Moldavi, Serbi e Vllahì; mjerisht nuk mundi të gjente dot kurrkund luftëtarë, pasi hieja osmane i tmerronte ende. Armata osmane e gjëndur vetëm përballë fuqisë ushtarake alipashiane shumë më të pakë se ajo, në janar 1822 mundi më në fund ta mbyllte A. p. T. dhe mbeturinat e ushtrisë së tij në një rreth fare të ngushtë brenda Janinës.
A. p. T. pati drejtuar shumë luftime tejet të rrepta dhe të përgjakshme, të gjitha
fitimtare. Përfytja e fundit gjatë të cilës u vra edhe vet ai ndodhi në ndërtesën e manastirit të ujdhezës së Janinës, ku ishte strehuar ato ditë. Burimet mbi ditën e rënies së Ali .p. T. nuk janë të njëzëshme. Në “Hajat Ansiklopedisi”, Stamboll, 1932, fq. 126 -përkthyer nga dr. V.S.Visoka- shënohet 24 qanun-i sânî 1822; pra ditën e martë më dt. 5.2.1822); në të tjera burime shënohet 22 janari(3.2) i po atij viti. Kurse Taq H. Kondillari, i mbështetur në një dokument të gjetur në ndërtesën ku u vra A.P.T. shënon 17(29) janarin.(M.E.E. “P”., fq. 747). Sipas disa historianëve sulotët deshën ta ndihmonin, po A. p. T. i nxitur nga smira(zilia) e fitoreve të grekërve, e përbuzi ndihmën e tyre. Po, për gjithëkënd që rrjedhën e ngjarjeve e njeh mirë, thëniet e historianëve të sapopërmendur janë fjalë në erë; dihet fare mirë se me përjashtim të ndonjë kapedani dhe të një pakice fare-fare të parëndësishme për ngjarjet në zhvillim, shumica e kapedanëve dhe tërë masa sulote tanimë kishin kaluar në anën e grekërve dhe po bëheshin kurban i tyre.
+ +

Sado që i varur nga Porta e Lartë e përherë përballë grackave të hapura e të fshehta të qeverive të shteteve të mëdha evropiane dhe këlyshëve të tyre ballkanikë –mjerisht ndër ta edhe të ndonjë apo të disa krerëve shqiptarë- A.p.T. jo vetëm që arriti të mbështillte brenda një shteti të vetëm gati tërë jugun shqiptar(edhe pse hë për hë sa për sy e faqe në përbërjen e sulltanatit osman dhe nën hijen e Oborrit Osman dhe të P.L.), por ka qënë edhe i pari sundimtar shqiptar që hodhi themelet e një shteti më vete mjaft të përparuar për kohën; ai, edhe pse brenda sulltanatit osman, guxoi të ngrinte dhe e ngriti- një ushtri të veçantë shqiptare. U. M. L. në “Travels in Northern Greece” L., 1835, thotë se ushtria e A. p. T. ishte e veshur e tëra me tesha shqiptare, me fustan e xhamadan.G. LL. Arshi në veprën e vet “Allbanjija i Epir v Konce XVIII-Naçale XIX v.”, Moskva, 1963, fq. 159, thotë se gjatë fushatave uhtarake në ushtrinë e A. p. T. bënin pjesë edhe agallarë dhe bejlerë të ndryshëm: bashkëlidhësit dhe vartësit e tij; ndër ta edhe “Deli Maksuti nga Paramithia, Hasan Agai nga Margëllëçi e Mahmut Dalani nga Konispoli”.
A. p. T. mundësoi edhe zhvillimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, doemos me shumë dinakëri e kujdes, për t’iu ruajtur grushtit osman. Për vënien në jetë të këtij synimi madhështor, ai mblodhi në Oborrin e vet gati tërë ajkën e intelektualëve të kohës dhe u dha atyre tërë ndihmat e domosdoshme. Pra vlera e A. p. T. në historinë kombëtare shqiptare ka qenë e pakrahasueshme deri asokohe. Mbi sa u tha, dr. S. Hugesi në “Travels in....Albania”(v. e p.) vëren se A.P.T. mendonte si ta zgjeronte mbretërinë e tij deri në cakun verior të tokës shqiptare. Taq H. Kondillari në M.E.E.”P”(fq. 747), për A. p. T. shkruan: “...ka qënë një udhëheqës i shkathët dhe përfaqësonjës i denjë i aftësive, cilësive dhe i të metave të racës shqiptare, e cila pas Skënderbeut nuk nxorri tjetër burrë më historik e më të zotin”. Kurse Hristo Meksi në fletoren “Liri e Shqipërisë” nr. 15, Sofi, dt. 6(19).81911, shkruante: ”...ky njeri u ngrit për fitim të kombit shqiptar...”. Ndërsa Asdreni në fletoren “Drita” nr. 73 e 74, Sofi, dt. 1(14) shkurt e 1(14) mars 1906, shkruante: “Për historinë shqiptare Ali Pashai është njeriu më i shquar...Ishte një nga ata që parashikonte ngulitjen(patundshmërinë) e kombit të vet...Kujtimi i tij kurrë nuk duhet të zhduket nga ne...”. Mjerisht, ata që mbajnë në sqetull koburen kr. a-f. dhe në buzë cyrrlen e tyre, s’lënë gur pa përmbysur për ta errësuar sa më keq fytyrën dhe veprën e tij madhore kombëtare; qëllimi i tyre duket sheshit: të mohojnë dhe nxijnë historinë e lavdishme të kombit shqiptar. Ata ngrejnë e ulin përherë e më me zhurmë ndëshkimin e disa fajtorëve hormovitë dhe ca të tjerëve nga Kardhiqi. Madje ata, sado që dihet se cilado që të jetë përgjigjja e atyre trundryshkurve –të cilët hanë bukën e shqiptarit dhe bëjnë punën e asfalianit- sa për të larë gojën, i pyesim: Cili ka qënë dhe është ai sundimtar që nuk i ka ndëshkuar dhe nuk vazhdon t’i ndëshkojë armiqtë e kombit dhe atdheut të vet? Kush nuk e ka ndëshkuar keqbërësin, për më tepër kur u shërben të huajve? Ata llomotitin e shkarravitin vetëm për A.p.T., sepse ashtu i kanë porositur, apo sepse ashtu u thotë truri i tyre i kalbur. Po, në një kohë që për të përçmuar A.p.T. ulërijnë pa pushim si çakenjtë e misrave, nuk duan të mbajnë parasysh se Pjetri I, edhe pse u quajt “i madh”, me dorën e vet u preu kokën me sëpatë mbi kërcu bashkëpunëtorëve më të afërt të tij. Robespjeri vuri në xhiotinë zverkun e aq e aq bashkëpunëtorëve të ngushtë të vet; të njëjtën gjë bëri shumë a pak edhe Kromuelli. Ata bëjnë sikur s’e dinë që jo 200 e ca vjet më parë me të drejtë, po pas mbi 120 vjetëve dhe pa kurrfarë të drejte grekërit therën tërë popullatën –të mëdhenj e të vegjël- e Hormovës. Përse kanë heshtur dhe vazhdojnë të heshtin për të 218 krerët lebër, të cilët në pranverën e 1914-s i çanë me sëpata e thika në manastirin e Leklit, sa ulërimat e tyre dëgjoheshin deri edhe në Dragot, Luzat e Tepelenë? Përse bëjnë sikur e harrojnë therjen e panaritasve? Përse s’u shkon ndër mend për të 100 krerët atdhetarë të dëgjuar çamër që iu shtyp koka me gurë e qyta pushkësh në afërsi të Paramithisë dhe 10-ra e 10-ra të tjerë anë e kënd Çamërisë? Përse nuk duan të dinë për aq e aq bolenas, kuqaritë, alipostivanitë e dëshnicarë të tjerë që grekërit i shkuan si berrat në thikë? Përse nuk e çelin pipthin për të 150 mijë toskët që u dergjën për dy vjet rresht nën degët e ullinjve të Vlorës dhe kashtrave të kënetave të Myzeqesë gjatë rrjedhës së Vjosës, ku gati gjysma gjetën vdekjen e lemeritshme nga uria e sëmundjet? Përse nuk iu dëgjohet zëri për mijëra e mijëra burra, gra e fëmijë të 400 e ca fshatrave që grekërit më 1914 u dogjën shtëpitë e gjithçka tjetër jetese dhe i përplasën të uritur në mes të të ftohtit dhe të nxehtit? Përse nuk ngrenë zërin për mbi 150.000 shqiptarët islamikë çamër, janinas e tejgramozitë që iu grabitën trojet e veta amtare dhe u përzunë përdhunisht në Anadoll në vitet 1923 e mbrapa? Dhe pas aq e aq të tjerave, si nuk pasqyrojnë ku duhet therjen e 7-8 mijë çamërve nëpër Çamëri, dëbimin përdhunisht e mbi 30-32.000 të tjerëve, nga të cilët vetëm rreth 25.000 vetë arritën t’i shpëtonin vdekjes? Të tjerët i rrëmbeu vdekja gjatë udhëtimeve të stërmundimshme dhe mjerimi të tejskajshëm. Dihet se A.p.T. ka qënë rreptësisht i mësyrë nga armiqtë e kombit shqiptar. Ata përpiqeshin që kundër tij kush e kush ta vërviste shkëmbin më të madh; që kush e kush të ngrehte kurthin e pritën më të rrezikshme. Ndër më të rrezikshmit ishte edhe Mocenigua, ministër rus, administrator i republikës qesharake të të 7 ujdhezave jonike. Me shumë para në dorë e plot zvarranikë nën urdhër, kur ndërmjet këtyre, kur ndërmjet oficerëve të shtabmadhorisë perandorake ruse –disa herë nën petkun e diplomatit e disa herë nën petkun e priftit- A.p.Tepelenës ai i shkaktoi shumë ngatërresa e kokëçarje si edhe dëm tejet të madh. Ngatërresa, kokëçarje dhe dëm jo më të vogël A.p.T. i shkaktoi edhe Paparigopulli, konsull rus në Greqi dhe një nga drejtuesit kryesorë të organizatës greke, të ashtuquajturës “Filiqi Eteria”(Shoqëri Miqsh). Ky, herë duke u hequr si dashamirës i tij e herë me anë shqiptarësh të pabesë e bukëshkelës në Oborrin e vet A.p.T.-urdhërzbatues grekësh-.bënin çmos për ta gënjyer A.p.T. dhe për të krimbur, dobësuar sa më shumë dhe shëmbur shtetin e tij. Duke pohuar këtë të vërtetë, Paparigopulli shkruante se pengesën e vërtetë për kryengritjen e pritshme greke që “F.E” mori përsipër të drejtonte, “nuk e përbënte qeveria osmane, por Ali p. Tepelena dhe pushteti i tij. Prandaj, thotë ai, shigjetat kryesore ne i drejtuam kundër shtetit të Ali Pashait, për shkatërrimin e atij shteti”. Dhe ky synim i F. E. –kalbësirë ruse- u vu pikë për pikë në zbatim. Me përjashtim të ndonjerit, tërë të krishterët shqiptarë dhe grekë në shërbim të A. p. T. që i hiqeshin si miq për kokë –duke përfshirë edhe përfaqësuesit e tij diplomatikë, ekonomikë etj. pranë P. L.- 1819-ta i gjeti të antarësuar në F. E.; “tërthorazi u gjënd edhe e dashura e Aliut, Vasiliqi Kondakçiu. Ajo, duke ushtruar një ndikim shumë të madh mbi vezirin, ndihmonte gjithnjë çështjet e grekërve dhe e mbante Aliun...vazhdimisht të nxehur(zemëruar) ndaj Sulltanit”.(Megali Eliniqi Enqiklopedhia “P.”(v. e p., fq. 745). Po në Megali Eliniqi Enqiklopedhia “P.”(v. e p., fq. 745) përmenden emrat e oborrtarëve të A. p. T. që zbatuan një për një udhëzimet e krerëve të “F.E”; ndër ta shënohen edhe: Asimaq Kroqìdhasi, përfaqësues ekonomik i A. p. T. në Stamboll. Mantho Ikonomi, sekretar i besuar i vezirit, sekretarët Kollovoi e Marìnogllui e plot nëpunës të tjerë si edhe aq e aq “besnikë” dhe “miq” të vezirit: Llambro Bejkua, Marko Bóçari, Xhavélla etj.; mjekët G. Saqellari dhe Jan Koleti si edhe “grekërit e shtëpisë ushtarake të vezirit”: Odise Andrucua, G. Karaiskaqi etj. I mbështetur pikërisht në të dhëna të tilla, udhëtari e studiuesi D. Urquharti në librin e vet “La Turquie...” II, fq. 9, shkruante: ”Grekët e ndihmuan sulltanin(Mahmutin –I.D.H.) të mposhtte Ali Pashanë”. Të njëjtën gjë thotë edhe Hristo Meksi në fletoren “Liri e Shqipërisë”(v, e p., dt. 6/19.8.1911): “Grekërit, të cilët punonin me Rusinë për këtë kryengritje(Kryengritjen e viteve 1821-1829, I. D. H.), e tradhëtuan Ali Pashanë. Papo grekërit në njërën anë nëpërmjet fesë dhe turqit në anën tjetër po me anë të fesë e shuan Ali Pashanë...”. Në disa dokumente osmane të kohës përkthyer nga Mehdi Frashëri, thuhet se kur A. p. T. kishte arritur kulmin e fuqisë, në pallat të sulltanit ishte kundërshtari i tij i rreptë, Halet Efendiu, njeri i Patrikanës, po me ndikim të madh në Oborr. Goditja e tij ndodhte ngaqë A. p. T. i jepte më pak të holla nga sa i jepte Patrikana. Kjo, për të lehtësuar kryengritjen greke, përpiqej të nxiste P. L. për të goditur ushtarakisht A. p. T. E, meqë hë për hë s’po i merrte dot lopata ujë, shtynte gjithmonë Halet Efendinë për të përplasur sulltanin me A. p. T. Pas aq e aq kallëzimeve të H. E., sulltani e parashtroi çështjen në këshillin mbretëror. Kryesekretari i mbretërisë, Xhanib Efendiu, duke patur parasysh gjendjen e nderë në Greqi si edhe për të mos nxitur një rrezik në Rumeli, shfaqi mendimin që të paktën dora-dorës të mos ngitej. Mendimi i tij u përkrah nga tërë ministrat. Mirëpo H. E., për të përmbushur me çdo kusht porositë e Patrikanës, vazhdonte përherë e më dëndur, gjithnjë e më me ngulm të bindte sulltanin t’i derdhej ushtarakisht A. p. T. Sulltan Mahmuti, i pazoti për të zbuluar se kush fshihej pas H. E. dhe ç’fshihej pas kallëzimeve të tij, rrëzoi kryeministrin, Rauf Pashanë dhe kryesekretarin, Xhanib Efendinë, sepse këta edhe në takimin e veçantë me sulltanin nuk hoqën dorë nga qëndrimi i tyre i deriatëhershëm. Në vend të tyre sulltani “vuri njerëz të dobët”.(”Diturija” nr. 3, T., 1.I.1927, fq. 97). Taq H. Kondillari në M.E.E. ”P”., fq. 747, shkruan: “Disa turq të mënçur në Stamboll e dinin të vërtetën dhe njoftonin sulltanin se qëndrimi i Aliut ndaj grekërve ishte rrjedhim i nevojshëm dhe se do të ishte me vend ta falte dhe t’ia ngarkonte atij shtypjen e kryengritjes greke, e cila do të arrihej, sepse edhe emri i tij në tërë vendin e rajeve ishte i tmerrshëm dhe zotësia e tij e pakrahasueshme. Po sulltani, duke u tërhequr prej Halit Efendiut dhe, duke ëndërruar thesarët e Aliut...si edhe duke qënë i bindur tërësisht ndaj zotësisë së madhe të Hurshidit, nuk i dëgjoi këshillat e urta...”
Me keqardhje duhet thënë se pas qerres greke ishte lidhur edhe njëri nga më të besueshmit e tij, “shqiptari” Thanas Vaja. Gjatë luftimit që A. p. T. dhe besnikët e vërtetë të tij po përballnin gjeneralët dhe ushtarët osmanë brenda ndërtesës ku qëndronte A. p. T., TH. V. së toku me Vasiliqinë dhe me ndonjë “besnik” tjetër ndodheshin në dhomën ngjitur me atë të A. p. T. ku luftohej për jetë a vdekje. Th. V. s’deshi të dinte se pranë tij po binte shqiptarisht ai që atë nga hiçi e kishte ngjitur pranë tij; i takonte të rrëmbente shpatën e armët e tjera, të luftonte dhe të flijohej, ashtu sikur bënë edhe vëllezërit: Ali-Feim e Selim Çami. Mirëpo ai ishte hequr “besnik” sa për sy e faqe, sepse kështu përmbushi porositë e “F. E”. dhe të patrikut grek të Patrikanës së Fanarit, tek i cili, me të mbaruar A. p. T., vrapoi tek ai në Stamboll së toku me Vasiliqinë, padyshim për ta njoftuar se porosinë e tij e kishte zbatuar pikë për pikë.
Mirënjohës ndaj veprës së lavdërueshme kombëtare e burrërore shqiptare të A. p. T. –e doemos edhe të besnikëve të vet- këngëtarët dhe vjershëtarët shqiptarë i kushtuan atij vargje të shumtë që edhe sot lënë mbresa të thella të pashlyeshme në ndërgjegjen dhe zemrat e çdo atdhetari.(Shih, “Bilbilë e Thëllëza Çame”, Pj. I).
Dikush e padit A.p.T. –së pari greklëvduesi, Fr. Pukëvili- se me veprimet e tij kishte shpënë ujë në mullirin grek. Është e vërtetë që A. p. T. i përkrahu deri diku grekërit, po në formën e qenit në shkardhë. Këtë të vërtetë e vë në dukje gjenerali francez Vandenkur në fq. 268-282 të veprës së vet anglisht. Ai thotë se A. p. T. e dinte që grekërit e urrenin dhe kërkonin të përfitonin sa më shumë prej tij e në fund t’i kthenin krahët dhe shkelmat. Megjithatë ai i ndihmonte, po aq sa ata kundër tij të mos mundnin të zbatonin synimet e veta. Ai i ndihmonte me qëllim që “kur të vinte koha e përshtatshme për t’u ndarë fare nga Porta Osmane”, të mos i kishte kundërshtarë. Me këtë rast duhet bërë e njohur se thënia e laprtpërmendur e F. P. ndaj A, p. T. është një shtrëmbërim me dashje, sepse A.P.T. nuk i patën pëlqyer veprimet krekosëse dhe minuese të francezëve ndaj sundimtarisë së tij, veçanërisht ato të F.P. Diikur ky, për të nënçmuar pushtetin e A.p.T., rrahu karrocierin që i mbarti teshat nga një ndërtesë në tjetrën. A. p. T. e thërriti në pallat dhe shkurt e prerazi- si zakonisht- i tha: “Pukëvil, atë që rreh, këtu e rrahin”. F.P. doli me dridhma nga pallati. Mbledhja në Oborrin dhe ushtrinë e tij si edhe stërvitja në të në shumicë e shqiptarëve dhe e fare pak grekëve, është dëshmia më e pakundërshtueshme se A.P.T. u përpoq vendosmërisht dhe besnikërisht vetëm për Shqipërinë. Është punë tjetër se ata të cilët, kur A. p. T. ishte i tërëfuqishëm i përkuleshin deri në tokë, i lëpiheshin, i betoheshin dhe i stërbetoheshin e kur ai s’e kishte më fuqinë e parë, u treguan bukëshkelës ndaj tij, i kthyen krahët atij dhe çështjes për të cilën ai i kishte ushqyer, rritur e stërvitur si luftëtarë. Madje, me qëllim që ta shpejtonin dobësimin e mëtejshëm të tij –ndërkaq të dobësonin sa më shumë edhe palën osmane- bënin sikur do të bashkëvepronin me ushtrinë alipashiane kundër asaj osmane të përqëndruar para Janinës; po, me të filluar ndeshja, ata avullonin nga sheshi i luftimeve. Kështu tërë vala goditëse e ushtrisë shumë herë më e madhe osmane binte mbi ushtrinë alipashiane. Dhe s’mund të ndodhte ndryshe, përderisa Ali p. T. luftonte për pavarësi shqiptare, kurse Marko Boçari me shokë, “me flamurin me kryq”, për Greqinë. Veprimet në vijim dëshmonin përditë e më tepër këtë të vërtetë. Një nga ato dëshmi ishte thirrja me dt. 28.6.1821 që Marko Boçari me shokë u bënte pargaritëve të mërguar me dashje nga vendlindja dhe të vendosur në anëdetin korfjat përballë. Në të thuhej ”Pargaritë! Gjarpëri u shtyp me kryqin. Flamuri i shenjtë me kryq valëvitet kudo mbi anëdetin e Epirit...”. (F.P., Histoire de la regeneration de la Grece 1740-1824”..” III. Paris, 1825, fq. 131 e 134). A. p. T. bëri çmos për t’i kthyer pranë vetes –gjë, sidomos për kohën, ishte më me mënd dhe më e drejtë- po çdo përpjekje e tij shkoi huq. Lajkat dhe përrallat greke ua kishin thartuar aq keq trurin, saqë shërimi i tij ishte bërë i pamundur. Mbështetur në djegien e një pjese të madhe të depove nga shpërthimi i një predhe topi osman dhe sidomos në mospranimin e Marko Boçarit për bashkëveprim me A. p. T., përfaqësuesit e P.L. të dërguar nga kryeministri -dhe njëkohësisht komandant i përgjithshëm i ushtrisë, Mehmet-Hurshid Pashai- i shtuan përpjekjet për të bindur A. p.T. të pranonte nënshtrimin dhe dorëzimin e tij. Qahjai Mustafa Pasha, dhëndrri i Veliut, i dërguar i Hurshidit, i tha: ”Mendohu, vezir, të pafetë në flamurët e tyre mbajnë kryqin. Ju nuk jeni më, veçse një vegël në duart e tyre....”.(F.P.,”Histoire de la regeneration de la Grece 1740-1824”, P., 1825, fq. 134).

Comments

Popular posts from this blog

ÇAMERIA GJATE LUFTES SE DYTE BOTERORE

THE GENOCIDE OF CHAMERIA

NURI DHE MAZAR DINO