FILIQÌ ETERÌA SHOQERIA GREKPERHAPESE


FILIQÌ ETERÌA(Shoqëria e Miqve).

SHKEPUTUR NGA ENCIKLOPEDIA JUGSHQIPTARE E IBRAHIM D. HOXHA


Eshte nje shoqeri grekperhapese. Në Enciclopedia Italiana XVII, Milano, 1933, fq. 902, thuhet se në fillim të q. v. 19 vjershëtari thesalian, Ringa Fereos kishte shpallur thirrjen: “Ngreuni, o bij të grekëve!”; ndërkaq po përpiqej të krijonte një shoqëri në përkatësi të thirrjes në fjalë. Duke u vërtitur poshtë e përpjetë Evropës për të gjetur përkrahës, u kap në Trieste nga policia austriake; kjo ua dorëzoi pushtetarëve osmanë dhe këta i këputën kokën. A. p. T. vuri në lëvizje disa nga spiunët e vet më të zot dhe më me përvojë për t’ua rrëmbyer shoqëruesve gjatë udhëtimit Triest-Stamboll, po s’ia arriti. Më 1814 Nikollë Skùfa, Thanas Çakalli dhe Panajot Anagnostopulli, pëlqyes të mendimit të Ringës, në Odesë -ku kishin qendrat e veta tregtare- themeluan “Filiqì Eterìnë”; në programin e saj parashikonte: “Bashkim të armatosur të të gjithë
të krishterëve të perandorisë turke, për fitoren e kryqit mbi gjysmëhënën”. Po të kalohet në “sitë të dëndur”, del se programi i “F. E.” ndryshon në thelb nga ai i Ringës, sepse, ndërsa ai ftonte vetëm “bijtë e grekërve” të kryengrinin, i “F. E”. ftonte çdo të krishter, pavarësisht nga përkatësia kombëtare. Ky ishte dallim i thellë pikëpamjesh ndërmjet grekut Ringë Fereos dhe themeluesve të “F. E”, të cilët rridhnin prej burimi shqiptar. Themeluesit e Finiqi Eteria ishin me prejardhje shqiptare, ortodokse. Mirëpo, në kushtet e asokohshme politike, ai program gënjeu shumë e shumë shqiptarë e rrjedhimisht i bëri kurban për Greqinë, armiken amëshuese më të tërbuar të kombit dhe të atdheut të tyre.
Kusht bazë për arritjen e fitores “F. E”. vuri zhdukjen e A. p. T. dhe, në pamundësi, lidhjen me të. Krijuesit e dukshëm të saj: Skùpa(Fshesa), Çakalli e Ksanthua “e dinin fuqinë dhe rëndësinë e Aliut; pra ishin të ndërgjegjshëm se, nëse shpërthente kryengritja greke dhe shtypjen e saj sulltani ia ngarkonte Aliut dhe armatës së tij shqiptare, mundja e menjëhershme do të ishte e pashmangshme”. Për të shmangur këtë më 1818 “F. E”. vendosi të nxiste A. p. T. kundër sulltanit, duke iu zotuar se nëse, ngrinte krye, do të kishte përkrahjen e të gjithë grekërve. Në zbatim të këtij vendimi udhëheqësi i “F. E.” moraite, kryeprifti Jermano, në nëntor të atij viti dërgoi në Janinë njërin nga veprimtarët më të aftë, Paparogopullin. Meqë F. E. mbahej e fshehtë për sa kohë që nuk ishte në gjendje të jepte goditjet e dëshiruara, Paparigopulli në takimin me A. p. T. jo vetëm që nuk e zuri
fare në gojë, por edhe kur veziri i tha se dinte gjithçka mbi të, Paparigopulli “u betua” grekërisht se nuk kishte dijeni; veç kësaj u përpoq ta gënjente se një shoqëri të tillë s’kishte kurrkund. A. p. T. që tanimë e dinte se përplasja me P. L. ishte e afërt, duke dashur të bënte dikë me vete që ta ndihmonte, Paparigopullit i tha: “Sulltanati osman i ngjan një pallati të zbukuruar shkëlqyeshëm, po themelet e tij kanë filluar të kalben e se, si pasojë, shpejt a vonë do të shëmbet dhe do të shndërrohet në gumburadhë”. Paparigopulli, edhe pse bëri sikur gjykimet e A. p. T. mbi sulltanatin s’i miratoi, ngulmoi që ato t’i njoftoheshin Stroganóvit, përfaqësuesit rus, asokohe drejtuesi i “F. E”. në Greqi.(Shih: Megali Eliniqi Enqiklopedhia “Pyrsos”, Athinë, 1927, fq. 745). Sado që Paparigopullit iu duk një “zbulim” i madh -të cilin gjoja u mundua ta mbante të fshehtë- A. p. T. një
gjykim të ngjashëm me të sapopërmendurin e kishte shfaqur botërisht që 19 vjet më parë. Fr. Puk. thotë se A. p. T. më 1799 në një fjalim para bashkëvepruesve të vet, duke u bërë thirrje që të bashkonin fuqitë dhe përpjekjet e tyre për shpëtimin e atdheut dhe të kombit shqiptar, pati thënë: “Agallarë, sulltanati osman është në rënie e sipër, sepse është i rrethuar nga armiq, siç janë francezët dhe rusët.”.
Shoqëria u mbështet gjithandej nëpër Greqi; idetë liridashëse të revolucionit frëng të sjella nga francezët në ujdhezat jonike dhe ato të shpallura nga veziri i Janinës, Ali Tepelena, kishin ndezur andej-këndej një lëvizje; u krijua kështu një mjedis ethës, i cili gjithmonë është fillimi i një kryengritjeje popullore. Në të morën pjesë gjithfarë urrejtës të sundimit osman: beu i fuqishëm i Mànit(Moré), Petro Mavromihali, Theodhor Kollokotroni, Marko Boçari, Kiço Xhavella, Gjergj Karaiskaqi, Gjergj Kondurioti, Odise Andreuço, Laskarina Bubulina, etj. Në mars 1821 Aleksandër Ipsillanti, n/kolonel i oborrit carist –asokohe kryetar i “F. E”- u nis nga Rusia për në Greqi; “me disa grupe pasuesish të armatosur kaloi lumin Pruth, doli në Rumani dhe thërriti grekërit në luftë për pavarësi”.(Consociazione Turistica Italiana, Milano, 1941, fq. 50). Veprimi dhe thirrja e A. Ipsillantit shërbyen si shënja
e fillimit të kryengritjes së përgjithshme në Greqi, e mbarsur prej vitesh nga shtabmadhorët dhe kredharakët e gjithfarshëm kryesisht rusë, francezë e anglezë, të cilët prej mëse 25 vjetësh lëvrinin me të vetmin qëllim nëpër Greqi.(Shih: Enciclopedia Italiana XVII, Milano, 1933, 902).

Comments

Popular posts from this blog

THE GENOCIDE OF CHAMERIA

ÇAMERIA GJATE LUFTES SE DYTE BOTERORE

Aubrey Herbert, diplomati që dëshmoi kasaphanën greke ndaj parisë çame