Greqia si spiunoi Shqipërinë në NATO


Greqia si spiunoi Shqipërinë në NATO


Sa janë shqiptarët që banojnë në Republikën e Shqipërisë? Sa janë minoritarët grekë në Shqipëri? Përgjigja befasuese vjen nga një dokument zyrtar i prodhuar nga ministria e jashtme greke: “... të përqënduar në jug (grekët) përbëjnë tre të pestat e popullsisë, pa përfshirë vllehët greqishtfolës”. Ky dokument nuk është përpiluar nga “segmente të caktuara nacionaliste të fqinjit, anëtar prej vitesh në BE e NATO, siç thuhet rëndom për to, ai është një dokument zyrtar i vetë qeverisë greke. Ky fakt është shkëputur nga një letër zyrtare e firmosur nga ish-ministri i jashtëm grek Maliviotis dhe i është dërguar ish-homologut të tij holandez Bernard Bott, në javën e dytë të qershorit 2004. Në datën 1 korrik të të njëjtit vit, Hollanda merrte presidencën e radhës të BE-së dhe një letër e tillë synonte të vinte atë në dijeni për probleme të mundshme që një vend anëtar i BE-së kishte me një vend tjetër. “Çdo gjashtë muaj, në ministrinë e jashtme të cilitdo vend që merr presidencën, dërgohet pothuaj i njëjti dokument, që në vetvete është qëndrimi zyrtar i qeverisë greke ndaj Shqipërisë”, pohon një burim diplomatik i cili nuk mund të identifikohet. Sipas tij, në raste të tilla, vendi që ka presidencën fillimisht njeh palën e interesuar me pretendimin e vendit tjetër dhe e shënon zgjidhjen e këtij problemi në axhendë. Në rastin e përplasjes shqiptaro-greke ka ndodhur e njëjta gjë. Një procedurë që vetëm formalisht ngjan si rutinë, por që në thelb jep një shfaqje të padiskutueshme të asaj çka nuk është dhe nuk mund të konsiderohet thjesht dhe vetëm si “frymëzim që vjen nga qarqe të ndryshme dhe segmente të caktuara të shoqërisë dhe politikës greke”, por si një qëndrim konstant i saj dhe tërësisht zyrtar.
MAPO ka mundur të sigurojë dokumentin integral që jep provën pikërisht për një gjë të tillë. Ky është një dokument nga ata që në gjuhën diplomatike konsiderohet si sekret, MAPO e publikon atë për të hedhur dritë përtej asaj që konsiderohet si suprinë e qetë marrëdhëniesh mes dy vendeve. Mes Shqipërisë dhe Greqisë, që prej vitit 1941 vazhdon të qëndrojë në fuqi një ligj absurd lufte, pavarësisht se Shqipëria tashmë ka marrë ftesën e anëtarësimit në NATO dhe Greqia është anëtar i këtij pakti ushtarako-politik prej dekadash.
Sot, katër vjet pas firmosjes së këtij dokumenti nga Maliviotis, problemet mbeten po aty në rastin më të mirë ose kanë shkuar dhe më tej. Nën pretekstin e “ndjeshmërisë së thellë” të opinionit publik grek, Greqia zyrtare ka kërkuar në mënyrë gati ultimative ndërtimin e katër varrezave për ushtarët grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore. I pari në Këlcyrë është ndërtuar tashmë, kërkohet dhe Korça e gjetkë, çka e parë në hartë shënon pikërisht kufirin virtual të ashtuquajturit Vorio Epir. Muaj më parë, kjo kërkesë është transmetuar në mënyrë gati ultimative nga Kasimatis, zëvendësministër i jashtëm grek, i cili e ka lidhur madje pranimin e kësaj kërkese me firmosjen apo refuzimin e MSA-së për Shqipërinë nga Parlamenti grek.
Të martën e kaluar, në Tiranë, në ministrinë e jashtme u zhvillua një takim maratonë mes dy delegacioneve teknike, shqiptaro-greke, pikërisht për çështjen e varrezave. Sërish asnjë detaj publik e zyrtar për takimin në nivel drejtorësh të drejtorive. Diskutimet e gjata konkluduan vetëm në një pikë, që ato të vazhdojnë të zgjaten përsëri.

Dokumenti sekret


Eshtë plot 11 faqe dhe mban titullin “Minoriteti etnik grek në Shqipëri”. Në dukje një material prezantues, i ndarë në nënkapituj, që fillon që me “background”-in historik dhe përfundon me radiot dhe televizionet në gjuhën e minoritetit. Referencat e të shkuarës janë të shumta dhe në to gjen çudira që shpjegojnë edhe “detaje” po kaq të çuditshme për të sotmen.
Ato fillojnë me numrin e popullsisë së minoritetit në jug, ku sipas dokumentit përbëjnë tre të pestat e gjithë popullsisë, numër në të cilin nuk përfshihen vllehët greqishtfolës. Vazhdojnë me arsimin në gjuhën greke. Sipas dokumentit, në vitin 1921, mbas hyrjes së Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, u garantua në vend “arsimimi në gjuhën amtare, e drejta për të praktikuar lirisht besimin fetar, e drejta për përfaqësim të barabartë në punësimin publik...”. Një dekadë më pas, po sipas të njëjtit dokument, në 1933, kushtetuta shqiptare mbylli një numër shkollash të minoritetit, çka u bë problem në Lidhjen e Kombeve dhe në “Permanent Court of International Justice in the Hague”. Për të dëshmuar thellësinë e problemit, dokumenti përmend se në 1913, mbas shpalles së pavarësisë, në Shqipëri ndodheshin 409 shkolla greke, nga të cilat 86 në Gjirokastër, 74 në Korçë, 73 në Berat, 21 në Himarë. “20 vjet më pas, në 1933, mbeten vetëm 10 të tilla”, shkruhet në dokument.
“Mbas Luftës së Dytë Botërore, minoriteti grek... u ndodh nën një plan të orkestruar për të zvogëluar numrin e tij...”. Dokumenti pretendon se minoritarët u bënë subjekt i një shtypjeje qeveritare për të fshehur identitetin e tyre etnik, duke i larguar nga vendbanimet, duke shmangur të drejtën e arsmimit në gjuhën kombëtare dhe duke shqiptarizuar emrat e tyre. “Një nga vendimet e para të regjimit të E. Hoxhës ishte që të limitonin territorin ku jetonin... vetëm në zona të veçanta në Sarandë, Delvinë, Gjirokastër dhe Përmet. Grekët që jetonin ose lëviznin jashtë këtyre zonave, humbisnin automatikisht të drejtat e minoritetit”, shkruhet në dokument, i cili gjithashtu shënon se në 1967, “janë konfiskuar pronat e institucioneve religjioze dhe u shkatërruan... rreth 2500 kisha”. Po të njëjtat tone përdoren për të përshkruar dhe të sotmen në sjelljen e qeverive shqiptare ndaj këtij problemi: të drejtat e minoritetit... “janë ende të parespektuara janë zonave të minoritetit”. Shënohen arreste të minoritarëve – në 1994 – manipulime të rezultatit të zgjedhjeve dhe refuzimi shqiptar për të përfshirë pyetjen për kombësinë në regjistrimin e popullsisë, (2001). “Kisha po ristabilizon veten, por problemet me administratën ekzistojnë ende”.
Në dokument theksohet disa herë fakti që lëvizja e minoritarëve grekë, nga zonat “minoritare”, ka bërë që ata të humbasin statusin e tyre si të tillë. Pa dhënë shifra konkrete, dokumenti referon se në 1919, popullsia greke në Shqipëri numurohej deri në 120 mijë banorë, kurse për këto shkaqe, në regjistrimin e 1989, ajo ishte shënuar në 60 mijë banorë. Për të mbërritur 12 vjet më pas, në numrin 49 mijë, por pa përmendur se regjistrimi konsideron si banorë ata qytetarë që ndodhen në vend në momentin e kryerjes së tij dhe pa marrë parasysh emigracionin masiv.
Dokumenti vazhdon me probleme të arsimit, të administratës publike dhe përfshirjes së grekëve minoritarë në të, shqiptarizimin e emrave të tyre, çështje të sigurisë, zgjedhjeve të lira, të pronave, të toponimisë, përdorimin e greqishtes në marrëdhënie me autoritetet e deri tek transmetimet radiotelevizive.

Përgjigja shqiptare


Besohet se letra e ish-ministrit të jashtëm grek Maliviotis, u bë e njohur në Shqipëri gjatë takimit të kryeministrit të atëhershëm Fatos Nano me Bernard Bott, ministri i jashtëm holandez, në vjeshtën e vitit 2004. Asgjë zyrtare nuk u botua në lidhje me këtë detaj të takimit. Besohet se palët pozuan problemin, Bott neutral, kurse Nano duke e kundërshtuar këtë dokument. Një vit më pas, diplomacia shqiptare ka prodhuar gjithashtu një material bazë, i cili jep përgjigje, pothuaj në mënyrë simetrike për të gjitha pretendimet zyrtare greke. Materiali është i klasifikuar, por MAPO ka mundur të sigurojë në vija të përgjithshme përmbajtjen e tij, të shtrirë në 15 faqe.
Materiali shqiptar ka gjithashtu një prapavijë historike. Ai nis me problemin e shkollave në gjuhën greke, por me shifra tërësisht të ndryshme nga ato që përmenden në dokumentin grek. “Në vitin 1922 në Shqipërinë e Jugut ekzistonin 36 shkolla në gjuhën greke, me 2614 nxënës dhe 49 profesorë. Në Himarë, me një popullsi dy gjuhëshe, kishte tre shkolla me 318 nxënës. Në 1933 në gjithë Shqipërinë kishte vetëm 77 shkolla private, nga të cilat 10 ishin fillore greke”. Një vit më pas, 54 fshatra me popullsi greqishfolëse prej 29 mijë banorësh, kishte secila nga një shkollë fillore.
“Pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë regjimit komunist, pjestarët e pakicës greke nuk kanë qenë objekt i diskrimimit të posaçëm dhe ata kanë ndarë fatin me shumicën e shqiptarëve”, ndërsa për periudhën e pluralizmit pohohet se “pakica gëzon të gjitha të drejtat në përputhje me standartet demokratike evropiane...”.

Numrat e minoritetit

Kjo është dhe pjesa më interesante e materialit përgjegjës shqiptar. Ai i referohet fillimisht vitit 1922 kur një Komision i Lidhjes së Kombeve kryen inspektim në jug të vendit dhe rezulton se minoritarët grekë shkonin në shifrat 35 deri në 40 mijë banorë, ose një të gjashtën e popullsisë së zonës. Në regjistrimin e vitit 1930, popullsia greqishfolëse llogaritej në 37271 banorë. Në vitin 1989, përqindja e popullsisë joshqiptare luhatej në kufinjtë nga 2 për qind deri në 3.5 për qind. Dhe nga ky numër, grekët përbënin rreth 90 për qind të totalit të pakicave të përbërë edhe nga maqedonas, serbomalazezë, arumunë e të tjerë. Pakica greke shkonte deri në 58759 banorë. Një vend të veçantë në material zë dhe arsimimi që përfshin në gjuhën greke, të tre nivelet e shkollimit, parashkollor, nëntë vjeçar dhe të mesëm të përgjithshëm.
Më pas kapitujt e materialit shqiptar vazhdojnë me të njëjtën renditje si dokumenti zyrtar grek, flitet për administratën publike dhe përfshirjen e minoritarëve në të, përdorimin e emrave dhe mbiemrave të pakicave, njësitë administrative, zonat zgjedhore, çështjen e pronave, toponimet, përdorimi i greqishtes në marrëdhënie me autoritetet e programet radiotelevizive. /Revista Mapo /

Comments

Popular posts from this blog

ÇAMERIA GJATE LUFTES SE DYTE BOTERORE

THE GENOCIDE OF CHAMERIA

NURI DHE MAZAR DINO