NURI DHE MAZAR DINO

"... Këtë lëvizje e drejtonte Këshilli i Përgjithshëm i Mbrojtjes, i
cili qe një organizëm me qendër në Gumenicë dhe me degë në shkallë
rrethi në Filat, Margëllëç, Paramithi e Pragë. Në krye të Këshillit
për anën politike – administrative u zgjodh Mazar Dino kurse
nënkryetar i Këshillit të Përgjithshëm dhe drejtues i mbrojtjes e i
rendit u zgjodh i vëllai i tij, Nuri Dino. Këshilli Krahinor kryente
në një farë mënyre detyrat e qeverisjes, siç ishin mbajtja e
rregullit dhe e qetësisë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve, hapja e
shkollave etj. ..."

Lufta e Dytë Botërore ( 1939 – 1945 )

Veprimtari diplomatike dhe ushtarake, në fund të viteve 30, e
shteteve fashiste ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë për Ballkanin.
Në kuadrin e ndarjes së sferave të influencës midis dy boshteve
Romë – Berlin, Italia shquhej për përparësitë e politikës së saj në
drejtim të Ballkanit e Mesdheut. Rëndësia strategjike e Shqipërisë
në hallkat e pushtimit fashist ishte ushtarake, diplomatike, por
edhe ekonomike. Pushtimi i Shqipërisë më 7 prill 1939, dhe
përfshirja e saj në përbërje të `Perandorisë Italiane' solli
krijimin në vend të një strukture politiko – shoqërore, e cila qe
kopje e të gjitha hallkave kryesore të regjimit fashist të Italisë.

Pas pushtimit të Shqipërisë Italianët besonin se mund të fitonin
dashamirësi në gjirin e popullit shqiptar në rast se do të ndiqnin
vijën e irredentizmit shqiptar, diçka që do të përputhej edhe me
planet italiane për pushtimin e Ballkanit. Kështu gjatë përgatitjeve
për luftë kundër Greqisë, Italia shfrytëzoi të gjitha rrethanat
historike në favor të saj. Ajo shfrytëzoi gjendjen e diskriminuar të
shqiptarëve të Çamërisë. Në prill 1936, në Greqi kishte ardhur në
qeveri diktatori pro fashist Joanis Metaksas, me një program
reaksionar e ksenofob.

Gjatë kësaj periudhe dhuna, terrori dhe keqtrajtimet kundër
popullsisë çame qenë intensifikuar edhe më shumë duke i mohuar kësaj
popullsi të drejtën e arsimimit në gjuhën kombëtare, diskriminim
politik, shoqëror, ekonomik. Duke marrë parasysh këtë gjendje
italianët i llogaritën çamët si një faktor mbështetës për veprimet
luftarake kundër Greqisë. Nga ana e fashistëve italianë ishin bërë
edhe listat e personave çamë, tek të cilët ata mund të mbështeteshin
në momentin e pushtimit. Në këtë listë përfshiheshin emrat e krerëve
të familjeve me tradita të vjetra qeverisëse në Çamëri, dhe me
autoritet të spikatur te banorët vendas. Si njerëz me ndikim në këto
lista përfshiheshin edhe anëtar të familjes Dino.

Në një situatë mjaftë të vështirë për popullin e Çamërisë një pjesë
e anëtarëve të familjes Dino filluan të ushqeni shpresa për ndihmën
që mund t'u jepte Italia, për presionet që mund të ushtronte ajo
ndaj Greqisë për të njohur dhe respektuar të drejtat e popullsisë
çame. Kështu Nebil Dino i ndodhur përball një situate mjaftë të
rëndë, nga njëra anë dhuna dhe terrori i qeverisë greke dhe nga ana
tjetër premtimet e Italisë për përmirësimin e gjendjes në krahinën e
Çamërisë, ndikuan që ai të besonte te premtimet propagandistike të
Italisë.

Me shpresën se me ndihmën e Italisë, Çamëria do të mund të shpëtonte
nga dhuna greke, e cila që nga momenti i aneksimit në Konferencën e
Ambasadorëve 1913 e deri në atë kohë nuk kishte mundur t'i shpëtonte
politikës asimiluese të ushtruar nga shteti grek kundër popullsisë
çame, Nebil Dino filloj të mbante lidhje të ngushta me drejtuesit e
Italisë fashiste në Shqipëri.

Në postin e sekretarit federal të Tiranës, ai filloi të ndërmerrte
udhëtime të shpeshta në krahinën e Çamërisë e në Athinë për të
vëzhguar situatën dhe gjatë kthimit i referonte Jakomonit sesi qe
gjendja në Çamëri. Sipas Jakomonit, Nebil Dino i përkiste mendimit
se aneksimi i Çamërisë mund të arrihej në mënyrë paqësore, pasi
populli çamë i lodhur nga keqtrajtimet e qeverisë Greke e priste
Italinë me krahët e hapura dhe shihte te ajo shpëtimtaren që do ti
siguronte asaj lirinë.

Pavarësisht raporteve që Nebil Dino kishte me Italinë ai gjithsesi
nuk duhet gjykuar si një pro fashistë i zjarrtë. Lidhjet e tij me
Italinë qenë lidhje të krijuara mbi bazat e interesi kombëtar, të
nxitura nga dhuna e terrori grek. Nebil Dino shpresonte te ndërhyrja
e Italisë, se ajo do të qe për Çamërinë një shpëtim nga politika e
egër e ushtruar nga qeveria greke. Për këtë qëllim në lidhjet që ai
kishte me Jakomonin e paraqiste situatën në Çamëri si një vend që qe
pro Italianë, diçka që qe tërësisht jo e vërtet. Në Çamëri
propaganda e madhe "çliruese" italiane nuk mundi të siguronte më
tepër se një simpati të përkohshme fillestare të shqiptarëve, e cila
pas pushtimit do të shuhej shpejt.

Pas pushtimit të Greqisë, italianët vepruan ndryshe nga çfarë kishin
propaganduar para luftës. Ata ndoqën një politikë të dyanshme
lokale, e cila mbështetej në interesat e çastit. Ata herë vinin në
pushtetin lokal shqiptarët, herë grekët e herë ngrinin flamurin
shqiptar e herë atë grekë. Kjo politikë provokoi rritjen e tensionit
politik, por ajo njëkohësisht bëri që te opinioni shqiptarë të
humbiste besimi te Italia dhe ta shikonte ushtrinë italiane si
okupatore.

Pas pushtimit të Greqisë nga gjermanët popullsia çame u ngrit mbi
pasionet shoviniste dhe zgjodhi rrugën e mirëkuptimit dhe të
bashkëjetesës për të përballuar vështirësitë që kishte krijuar
pushtimi nazi – fashist në vend. Pavarësisht mirëkuptimit dhe
bashkëpunimit nga ana e popullsisë çame, kjo gjë nuk qe e pranueshme
nga qarqet shoviniste greke. Për të nxitur përçarjet midis
popullsive ndjenjat shoviniste greke po merrnin forma të hapura
kundër popullsisë shqiptare në Çamëri, duke ndikuar në frikësimin
dhe në çoroditjen e popullsisë.

Në çështjen çame dhe në pozitën e Çamërisë një peshë jo të vogël
gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore luajti edhe lëvizja e
nacionalistëve çamë, të cilët aspironin hapur bashkimin e Çamërisë
me Shqipërinë.

Këtë lëvizje e drejtonte Këshilli i Përgjithshëm i Mbrojtjes, i cili
qe një organizëm me qendër në Gumenicë dhe me degë në shkallë rrethi
në Filat, Margëllëç, Paramithi e Pragë. Në krye të Këshillit për
anën politike – administrative u zgjodh Mazar Dino kurse nënkryetar
i Këshillit të Përgjithshëm dhe drejtues i mbrojtjes e i rendit u
zgjodh i vëllai i tij, Nuri Dino. Këshilli Krahinor kryente në një
farë mënyre detyrat e qeverisjes, siç ishin mbajtja e rregullit dhe
e qetësisë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve, hapja e shkollave etj.

Për të mënjanuar rrezikun zervist, që i kanosej Çamërisë, dhe për të
realizuar aspiratat e tjera të tyre, nacionalistët çamë bënë
përpjekje për t'u lidhur me Shtabin Aleat të Mesdheut. Nuri Dino si
përfaqësues i Këshillit i paraqiti Shtabit Aleat kërkesën që edhe
fuqia e kryesuar prej tij të vihej në krah të Lidhjes, me kusht që
kjo lidhje të bëhej dorëzënës për të ardhmen e Çamërisë. Sipas
raporteve, gjermanët vërenin se ky grup (nacionalistët) ishte gati
të lidhej me këdo, mjaft që të arrinte të bashkonte Çamërinë me
Shqipërinë.

Rreziku i një reprezaljeje nga bandat shoviniste te Zerves i bën me
te vetëdijshëm nacionalistet çame, dhe në veçanti anëtarët e
familjes Dino, të cilët ishin ndër krerët drejtues të këtij grupimi
nacionalist. Ata ngulnin këmbe ne pikëpamjen se rruga e bashkimit te
tyre ishte rruga e bashkimit te forcave politike shqiptare.
Nacionalistët çamë bënë disa herë thirrje për të shmangur luftën
vëllavrasëse dhe për bashkimin e të gjitha forcave për mbrojtjen e
çështjes kombëtare në këtë kuadër, edhe atë të Çamërisë në veçanti.

Në letrën që Nuri Dino i dërgonte, më 21 shkurt 1944, Shefqet Peçit,
pasi fliste për përpjekjet që bëheshin në Greqi për bashkimin e dy
forcave kryesore politike, ai theksonte se "Grekët synojnë ta
shkatërrojnë Shqipërinë edhe nën maskën komuniste..." duke vazhduar
më tej: "Mjaft gjak shqiptari vaditi tokën tonë, mjaft larg u dëgjua
afshi i popullit tonë për liri, dhe kjo mjafton për të nesërmen, por
e nesërmja duhet të na gjejë të bashkuar më shumë se kurrë. Për hir
të gjakut që na bashkon e të zakonit që s'mund të na ndajë, duke iu
kërkuar si mendoni ju për këtë çështje. Unë mendoj për një bashkim,
bazat e të cilit mund të na i njoftoni, me kusht që të mos preken
parimet tona dhe karakteri kombëtar"

Thelbin e kësaj letre e përbënte kërkesa për bashkim, në një situatë
kur kombit shqiptar po i kanoseshin mjaft rreziqe, një thirrje e
tillë qe mëse e domosdoshme.
I ndodhur përpara masakrave çnjerëzore të gjeneral Zervës kundër
popullsisë civile, Nuri Dino si përfaqësues i Këshillit, parashtroi
përpara tij kërkesën për dëbimin e pakicës greko folëse brenda
shtetit shqiptar dhe vendosjen në fshatrat e tyre të çamëve mysliman
që ndodheshin në shtetin grekë, por ky propozim i tij nuk u morë
parasysh.

Grupimi nacionalist i cili vepronte në Çamëri gjatë Luftës së Dytë
Botërore dhe si platformë të tij kishte "Bashkimin e Çamërisë me
Shqipërinë", për pozicionin dhe veprimtarinë e tij është shkruar
edhe me nota negative. Në dokumentet gjermane Nuri dhe Mazar Dino
figurojnë si udhëheqës të forcave çame për vetëmbrojtjen e tokave të
Çamërisë. Detyra e vetme e tyre ka qenë mbajtja e rregullit dhe
qetësisë në funksionin administrativ dhe ruajtja e popullsisë çame
nga ndëshkimet e grekëve.

Ashtu si edhe në momentet më të vështira për kombin shqiptar edhe
gjatë Luftës së Dytë Botërore, një kontribut të rëndësishëm kanë
dhënë anëtarët e familjes Dino. Të ndodhur përball dy rreziqeve,
shovinizmit grekë nga njëra anë dhe nazi – fashizmit nga ana tjetër,
ata u përpoqën që me të gjitha rrugët e të gjitha mjetet e mundura
t'i shërbejnë vendit të tyre. Si interes të tyre primar kanë
vendosur gjithmonë çështjen kombëtare, dhe për këtë zgjedhje të tyre
ata shpesh herë edhe pa të drejtë janë cilësuar si tradhtar e
bashkëpunëtor me pushtuesin.

Bashkëpunimi i tyre në momente të caktuara me italianët dhe
gjermanët e kishte burimin në shtypjen e rëndë nacionale nga shteti
grek. Por si mund të cilësohet tradhtar dikush që mbi gjithçka
vendos kombin e lirinë e vendit të vetë, të cilën mundohet ta fitoj
me çdo mënyrë. Në qoftë se këta persona i quajmë tradhtar atëherë ç'
emër mund tu vinim tradhtarëve të vërtet.

Comments

Popular posts from this blog

ÇAMERIA GJATE LUFTES SE DYTE BOTERORE

THE GENOCIDE OF CHAMERIA