Greqia ka përfituar 950 milionë franga ari nga pronat e shqiptarëve



Greqia ka përfituar 950 milionë franga ari nga pronat e shqiptarëve

Përparim HALILI



Ligji i luftës me Shqipërinë, i dekretuar nga ish-mbreti Kostandin dhe i mbajtur ende në fuqi nga shteti grek, nuk ka nxitur asnjëherë nismën e shtetit shqiptar e të politikës së tij edhe gjatë kytyre 16 viteve të fundit të demokracisë për ta injoruar qoftë jo vetëm praktikisht, por edhe teorikisht këtë ligj. Përkundrazi, ndërkohë që prej palës greke është konsideruar "ligj i drejtë dhe i motivuar", prej palës shqiptare është konsideruar "pa rëndësi dhe mbetje inaktive e një periudhe të vdekur përgjithmonë". Nëse ligji i luftës do të ishte një "mbetje" e tillë, atëherë Greqia nuk duhej ta mbante prej 66 vjetësh në fuqi.

Qëndrimi absurd i shtetit shqiptar qëndron në faktin se nga njëra anë shteti grek konsiderohet si "vend mik" dhe afrohet, pranohet e vepron si "partner strategjik", nga ana tjetër vazhdon të zbatojë me fanatizëm dhe egërsi çdo dispozitë të ligjit të saj të luftës me Shqipërinë. Natyrisht, nuk është aspak normale për Shqipërinë, që quhet edhe me kushtetutë si vend sovran, të pranojë miqësi me një vend që i ka vrarë, sakatuar, larguar me dhunë një pjesë autoktone të popullsisë dhe që i ka grabitur pronat, për më tepër që vazhdon të mbajë në fuqi ligjin e luftës në kohë paqeje, kur Shqipëria nuk ka përbërë dhe nuk përbën asnjë rrezik për ta. Ne duhet të jemi të bindur tashmë se prapaskenat e dukshme greke, në lidhje me interesa të tjera që dalin së fundmi në skenë ndaj Shqipërisë po ringjallen dhe veprojnë edhe për shkak të një qëndrimi të "ngordhur" të shtetit shqiptar gjatë gjithë këtyre viteve.

Pesë vjet më parë, kur ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Paskal Milo, u pyet nga deputeti i PS-së, Petro Koçi, në seancën e datës 29 korrik 1997, në lidhje me politikën e fqinjësisë aktive me Greqinë ndaj çështjes çame, ai u përgjigj: "Zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve shqiptaro-greke është objektiv parësor i qeverisë dhe kjo përparësi është edhe për çamët po kaq e dobishme dhe shpresëdhënëse sa për të gjithë shqiptarët". Tani gjithkush mund të kuptojë se në ç?nivel ndodhet çështja çame për të parë se sa e "dobishme e shpresëdhënëse" ka qenë politika e "fqinjësisë së mirë" më Greqinë, kur në mes të dy kufijve qëndron një ligj lufte i

paabroguar.



Pak nga historia e ligjit të luftës



Në atë periudhë trazirash të Luftës së Dytë Botërore, për të forcuar akoma më shumë pozitat e triumfatorit pushtues, më 28 tetor 1940, Italia i shpalli luftë Greqisë dhe e sulmoi territorin e kësaj të fundit, duke përdorur si bazë kryesore zbarkimi territorin e aneksuar jugor shqiptar. Nga kjo pistë dhe në këtë kohë filloi lufta e mirënjohur në jug të Shqipërisë, e quajtur lufta italo-greke. Në këtë cilësim pjesëmarrës të shteteve ndërluftuese mungon emri i Shqipërisë. Me gjithë faktin që Shqipëria nuk ishte pjesë e sulmit italian ndaj Greqisë, menjëherë pas fillimit të luftës në Greqi u vendos dhe u shpall gjendja e luftës me Italinë dhe Shqipërinë si palë sulmuese. Dekreti Mbretëror Grek, i datës 10 nëntor 1940, ka hyrë në fuqi pas botimit në Gazetën Zyrtare Greke të vitit 1940 me këtë përcaktim: "Italia me territoret perandorake, me kolonitë e saj dhe Shqipëria, përcaktohen armike në kuptimin e Ligjit Nr. 2636. "Për veprimet juridike të armiqve dhe sekuestrimin konservativ të pasurive armike".

Në bazë të këtij ligji, të gjitha pasuritë e shqiptarëve në Greqi u vunë nën "sekuestrimin konservativ" dhe filluan të administroheshin nga shteti grek. Duhet të theksojmë këtu se me fjalën "pasuritë e shqiptarëve në Greqi" nuk kemi parasysh vetëm pasuritë e shqiptarëve në trojet e tyre si në Çamëri etj, por edhe pasuritë e shqiptarëve në të gjithë territorin e shtetit grek. Më vonë, me vendim të përbashkët të Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare dhe të Ministrisë së Financave të Greqisë, datë 9 qershor 1947, Nr. 14882/3574 dhe më vonë në bazë të Ligjit Nr. 4506, datë 14 mars 1966, përjashtoheshin nga zbatimi i dispozitave të ligjit të luftës "shtetasit shqiptarë me origjinë greke që banonin në Shqipëri". Sipas këtij ligji dhe sipas dëshirës identifikuese greke, "shtetas shqiptarë me origjinë greke" quhen të gjithë ortodoksët e Shqipërisë. Sipas dekretligjit Nr. 1138/1948, Neni 21 i ligjit të luftës është ndryshuar duke qartësuar se marrja fund e këtij ligji bëhet me vendim të përbashkët të kryeministrit, ministrit të Punëve të Jashtme, ministrit të Financave dhe ministrit të Drejtësisë. Pastaj, një vendim i tillë duhej të miratohej edhe nga Parlamenti Grek. Në vitin 1987, grekët mashtruan në lidhje me heqjen e ligjit të luftës me Shqipërinë. Ishte koha kur kryeministër ishte Andrea Papandreu dhe PASOK-u si parti. Qeveria e tij hoqi pjesën politike të ligjit, duke lënë në fuqi atë ekonomike. Për faj edhe të palës shqiptare, për shumicën e popullsisë nuk dihej deri vonë se Greqia e kishte akoma në fuqi këtë ligj. Duhet kujtuar se grekët kanë qenë mashtrues deri vonë në lidhje me këtë çështje. Kështu, për shembull, ish-këshilltari i Shtypit i Ambasadës Greke në Tiranë, Kristos Failadis, në vitin 1994 i ka deklaruar gazetës "Aleanca": "Me komunikatën zyrtare të Këshillit të Ministrave të Greqisë, datë 28 gusht 1987, ka pushuar së ekzistuari gjendja e luftës me Shqipërinë. Ky dokument zyrtar i Këshillit të Ministrave është firmosur nga kryeministri i asaj kohe, Papandreu dhe ministrat pjesëmarrës".

Sipas informacioneve që kemi, ky i ashtuquajtur "vendim" nuk është botuar në Gazetën Zyrtare të Greqisë, pra ka qenë një truk grek për t?i shërbyer politikës së "dy popujve miq", nisur e publikuar me marifet në Shqipëri që nga koha e regjimit të Enver Hoxhës.



Interesat e Greqisë për të mos hequr ligjin e luftës me Shqipërinë



Tashmë nuk ka asnjë mëdyshje që shkaku kryesor dhe i vetëm i mbajtjes së ligjit të luftës me Shqipërinë është ai ekonomik ose kuptuar më ndryshe kjo është maska e qeverive greke nëpërmjet këtij ligji. Sipas ligjit grek të luftës, të gjitha pronat e shqiptarëve në Greqi administrohen e shfrytëzohen nga shteti grek. Në këto pasuri futen tokat bujqësore, trojet, objektet, fabrikat, punishtet, llogaritë bankare, etj. Po ashtu, sot ekziston çdo mundësi dhe bazë juridike prej shtetit grek që emigrantëve shqiptarë në Greqi t?u konfiskohen ato pak prona që kanë blerë, pasuritë e tjera, pse jo edhe llogaritë bankare. Këtë e përcakton ligji i luftës. Por në tërësinë e interesave të dukshme e të padukshme të Greqisë, për të mbajtur në fuqi këtë ligj qëndrojnë edhe motive të tjera me natyrë ushtarake, psikologjike, bllokuese, racore. Sipas këtij ligji, shtetasit shqiptarë që punojnë si emigrantë në Greqi mund të konsiderohen si skllevër pa asnjë të drejtë, që mund të trajtohen si të ketë dëshirë shteti grek, siç ka ndodhur dhe po vazhdon të ndodhë me ta.



Ja ligjet greke antishqiptare



Në datë 10.11.1940, Parlamenti Grek ka miratuar Ligjin Nr. 2636 "Mbi veprimet juridike të armiqve dhe konfiskimin konservativ të pasurive armike". Në zbatim të këtij ligji, me Dekret Mbretëror Grek është deklaruar "Gjendja e Luftës me Shqipërinë". Shteti grek, për të "zbutur" disi zhvatjen e pronave të shqiptarëve në Greqi, me dy akte nënligjore të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë, me Nr. 14882 dhe Nr. 3574, si dhe me Ligjin Nr. 4506 të vitit 1965, të datave 07.06.1947 dhe 09.07.1947, ka bërë përjashtim për shtetasit shqiptarë me kombësi greke, duke u dhënë të drejtën e rifitimit të pronave të sekuestruara. Këtë aktsekuestro e ka mbrojtur Gjykata Kushtetuese Greke edhe në vitin 1970, duke shpallur vazhdimin e sekuestros së pronave të shqiptarëve me kombësi jo greke deri në momentin e shfuqizimit të ligjit të luftës dhe të nënshkrimit të traktatit të paqes mes Greqisë dhe Shqipërisë. Edhe tani, 64 vjet pas daljes së atij ligji famëkeq, edhe pse mbretëria greke është rrëzuar, edhe pse kanë kaluar 60 vjet nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, edhe pse "miqësia" mes dy vendeve vazhdon, dekreti i gjendjes së luftës kundër Shqipërisë dhe ligji i sekuestros konservative për pronat e shqiptarëve nuk po shfuqizohen.



Ja ligjet shqiptare antikushtetuese



Shqipëria ka në fuqi disa ligje që ndërtojnë marrëdhëniet ndërshtetërore në lidhje me shtetet që kanë në fuqi ligjet e luftës ndaj saj.

Ligji Nr. 8306, datë 14.03.1998; Ligji Nr. 8515, datë 21.07.1999; Ligji Nr. 8660, datë 18.09.2000; Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 329, datë 12.07.1999; Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 255, datë 27.05.2000.

Përsa i përket praktikës së deritanishme të ndërhyrjes së investimeve të huaja në ekonominë kombëtare shqiptare, këto ligje dhe vendime qeverie bien ndesh me Nenin 28 të Ligjit 8577, datë 10.12.2000, "Për organizimin dhe funksionimin e Kushtetutës të RSH". Po kështu bien ndesh edhe me Nenet 131/C, 134/ 1,2 të Kushtetutës Shqiptare.



Grekët, sekuestrues e masakrues të shqiptarëve që përpara vitit 1925



Faktet historike dëshmojnë se edhe shumë vite përpara dekretimit të ligjit të luftës në vitin 1940 me Shqipërinë, Greqia ka pasur dhe ka zbatuar synimet e saj grabitëse për të sekuestruar pasuritë e shqiptarëve në Greqi. Sipas diskutimeve në seancën e posaçme parlamentare të Dhomës së Deputetëve të Shqipërisë, të zhvilluar në datën 25 qershor 1925, kushtuar çështjes së pronave të grabitura të shqiptarëve në Greqi, pa llogaritur pronat në Çamëri, sidomos fjalës së Xhaferr Ypit në këtë seancë, nëse kjo pasuri e grabitur nga grekët do të vihej në duart e shqiptarëve, atëherë shteti shqiptar do të siguronte 10 milionë franga ari në vit. Pa llogaritur shpronësimin e detyrueshëm të çifligjeve shqiptare në Thesali e zona të tjera, politika greke synonte ta shtrinte procesin e shpronësimeve në përmasa më të mëdha. Për të bllokuar këtë qëllim, shkoi atëherë në Greqi një komision parlamentar shqiptar. Duhet thënë se pas vizitës së parlamentarëve shqiptarë, Greqia e kufizoi dukshëm procesin grabitës të pronave të shqiptarëve, por nuk e ndali asnjëherë, madje e thelloi edhe shumë vite më pas. Rast i mirë për të ishte ligji i luftës i vitit 1940, i cili nuk mund të jetë kurrë një "mbetje e së kaluarës", përderisa është një faktor i madh grabitës për grekët dhe që i shërben strategjisë serbo-greke të rrënimit ekonomik të shqiptarëve. Bëni një llogari të thjeshtë. Vetëm nga viti 1925 deri sot, me kursin e këtij viti, duke llogaritur rreth 10 milionë franga ari në vit, të marra nga administrimi i pronave të shqiptarëve në Greqi (pa llogaritur pronat e popullsisë çame dhe ato që preku ligji i luftës i vitit 1940), Greqia u ka përvetësuar shqiptarëve një shumë prej rreth 950 milionë frangash ari. Në atë kohë, një frangë ari shkëmbehej me 4 dollarë.



Godina e Legatës Shqiptare e kohës së Mbretërisë, 66 vjet e sekuestruar



Ka një fakt të tillë, të cilin nuk duhet ta lëmë jashtë vëmendjes: buxheti i shtetit shqiptar ka vite që paguan shuma kolosale financiare për të përballuar qiranë e godinës së Ambasadës Shqiptare në Athinë (tashmë me godinë të re më 2004-n) dhe 8 apartamente banimi të familjeve të rezidentëve të saj. Kjo ndodh në një kohë kur prej 66 vjetësh, në qendër të Athinës, në rrugën "Vasilissis Sofias", ndodhet godina e ish-Legatës Shqiptare të kohës së Mbretërisë Shqiptare, godinë që është pronë historike e shtetit shqiptar. Që prej 64 vjetësh, pra që prej vitit 1940, kjo ndërtesë, ish-seli diplomatike, ka kaluar në "sekuestrim konservativ" dhe është kthyer në muze. Natyrisht, në krahasim me atë që kanë humbur dhe po humbin shqiptarët në Greqi, ish-selia diplomatike e grabitur është shumë pak, por që duhet kërkuar e rikthyer jo vetëm si pronë fizike, por së pari si vlerë historike.



Masakra në Çamëri



Të vrarë: 4300 burra e gra

Të zhdukur: 3500 burra e gra

Të djegur: 102 fshatra

Të shkatërruar: 57 fshatra

Të shkatërruar: 7280 shtëpi



Çamë të pushkatuar prej grekëve



Muharrem Nuredini (26 vjeç) nga Nihorri, veteriner, sekretar i Bashkisë Delvinë, u pushkatua në fshatin Kakodhiq së bashku me Sabri Abazin.

Myrteza Mezan Prari nga Grikëhori u pushkatua në Daulez.

Omar Deme nga Picari u pushkatua në afërsi të fshatit Karjan.

Qazim Jakup Muskliu, Safet Dino nga Pjadhuli dhe Sulejman Bilal Selmani nga Picari, u pushkatuan në Shkallë të Zurjanit.

Qazim Rexhep Himo nga Glopoçari e Ahmat Fetahu u pushkatuan në "Stamatël", pranë Kishës së Gumenicës.

Qazim dhe Selfo Telhaja nga Sklavi u pushkatuan nga ushtria greke.

Rakibe Xhelili u pushkatua në shtëpinë e saj në Spatar.

Ramiz Habibi nga Sharati u pushkatua në Shkallë-Zurjan, rrugës për në internim.

Sako Banushi nga Nunshati u pushkatua në burgun e Gumenicës.

Shefqet Jasin Qemali nga Gurrëza u pushkatua në fshatin Gola.

Shuaip Xhemaliu u pushkatua në fshatin Vigël.

Shquri Abaz Bajrami nga Grikëhori (28 vjeç) u pushkatua në "Stamël"

Shyqyri Musa Hoxha nga Picari u pushkatua në fshatin Karjan.

Xhevdet Muharrem Meçi nga Rrëzani u pushkatua te dyqanet e Galbaqit bashkë me babanë dhe kunatin nga Dolani.

Rexhep Muhametit nga Dolani iu pushkatuan vëllai dhe kunati në kroin e fshatit.



Të vdekur në kampe pune, internime, tortura e burgje greke



Harun Meleqi, Dishat

Shaqir Faslli Dine, Konispol

Ajdin Muhedin Nuhu, Mininë

Ali Mulla Osmani, Grikëhor

Aliko Idriz Berberi, Margëllëç

Shaban Jakup Gjuzeli, Margëllëç

Emin Mahmut Pera, Grikëhor

Avni Bani (Shabani), Dolan

Rexhep Nuredin Nure, Grikëhor

Veip Jupja, Volë

Xhemali Çafa Isai, Dolan

Adil Ferhati, Sollopi

Taip Zenjo Bylykbashi, Luarat

Hoxhë Ali Omeri, Mazrekë

Dush Mulazimi, Pargë

Hamit Myrto, Volë

Murat Mato Dauti, Vrastovë

Myrto Mameçua, Volë

Hoxhë Musa Veliu, Mazrekë

Ali Osman Mullai, Grikëhor

Bastri Mustafa Buza, Luarat

Murat Meto, Vrastovë

Shaban Bajram Kaciqi, Mazrekë

Yzeir Tahir Meta, Mazrekë

Iljaz Jakup Vongu, Margëllëç

Mamo Allkushi, Luarat

Sabri Osman Hysa, Margëllëç

Ahmet Rakipi, Gurrëz

Bastri Smail Sheqiri

Bilal Isufi, Spatar

Damin Muhameti, Spatar

Emin Hajro, Spatar

Kaso Avdullahu, Spatar

Kaso Rakipi, Gurrëz

Refat Sulejman Feruli, Margëllëç

Rustem Uzeir Arxuja, Margëllëç

Shaban Metli Sheni, Luarat

Xhemal Efendiu, Paramithi



Dëshmi nga të mbijetuarit



Refi Pronjua:

*Çamët që shpëtuan pa u masakruar nga kryqëtarët athino-fanariotë të asfalisë greke, horofillaqisë, polifillaqisë dhe bandat e tyre gjakatare, u dënuan me internim, nga ku, siç ishte paravendosur, nuk do të ktheheshin të gjallë, por që sa ishin gjallë i futën me dhunë në punë për hapjen e rrugëve të reja ushtarake, ku pati shumë njerëz, të cilët u hodhën brinjave.

*Mbi 5000 çamë, të lidhur me hekura e zinxhirë, pa bukë e pa ujë, u zvarritën për ditë me radhë rrugëve të Prevezës, Pireut e Athinës, të goditur me shqelma, shkopinj, kamxhikë, tyta, bajoneta e qyta pushkësh, të sëmurë, të uritur, pa veshje e mbulesa në mes të dimrit, po na çonin drejt vdekjes me mundime të shumta

*Nën sharje greqisht, gjatë udhëtimit për në vendet e internim-burgimit, ata që nuk rezistuan mbetën rrugëve, duke u kthyer në ushqim për korbat e kafshët, ndërsa ne që mbijetuam na mbyllën brenda kurtheve shfarosëse të Korinthit e Athinës, për të përfunduar më së fundi në burgjet e Mitilinit, Hjios, etj.



Ferik Musa Avdiu:

* Në çarkun e shfarosjes të ngritur nga grekët në Korinth ndodheshim mbi 2000 çamë të izoluar, që jetonin me vuajtje të mëdha. Gjatë afro 80 ditëve të qëndrimit në atë skëterrë, vdiqën mbi 50 veta nga uria, torturat, sëmundjet.

* Pasi na hoqën nga Korinthi, na çuan në çarkun shfarosës, të ngritur në ujdhesën e Hjios (Sakëz), përballë edhe pranë Izmirit, në të cilin ndodheshin të rraskapitur nga torturat dhe mjerimi edhe atdhetarët e mirënjohur, Nazim Jupi e Qemal Fuat Frashëri.



Avdul Kup Gjyzeli:

* Në qendrën e vuajtjes në Korinth vdiqën shumë nga ne, të cilët i varrosëm jashtë murit të kishës nën qeshjet, sharjet dhe talljet e horrofillakëve, sepse brenda saj nuk na lejonte prifti i Korinthit.

Në kampin e Hijos, për çdo 36 veta na jepnin vetëm një bukë 1920 gramë në ditë dhe nga një lugë lëng lakre të ftohtë pa kripë, duke bërë që gjatë dy muajve të vdisnin 70 persona.

Comments

Popular posts from this blog

ÇAMERIA GJATE LUFTES SE DYTE BOTERORE

THE GENOCIDE OF CHAMERIA

NURI DHE MAZAR DINO