Identiteti etnik i Gjeo-Hapësirës së Çamërisë
Identiteti etnik i Gjeo-Hapësirës së Çamërisë
Prof. Ass. Dr SELMAN SHEME*
Në trevat jug-shqiptare në Greqi bëjnë pjesë rajoni etno-gjegrafik i Çamerisë si dhe viset përreth Janinës, Kosturit dhe Follorinës. Këto hapesira të trungut etnik shqiptar ju aneksuan Greqisë me vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër në vitin 1913.
Megjithëse gjeo-hapësira e Çamërisë përbën një regjion të integruar me tipare të veçanta mjedisore, gjeo-popullative dhe ekonomike, emri i saj gjatë shekujve ka ndryshuar nga njera periudhe historike në tjetren. Keto ndryshime shprehin procesin historik të zhvillimit të saj.
Në ditët tonë për këtë krahinë përdoren paralelisht dy emra si dublim i njëri-tjetrit: në të folmen e popullit, Çamëri për vendin dhe çam për banorët e saj, ndërsa në literaturë Epir dhe epirot. Emrat Epir dhe epirot ndeshen veçanërisht në literaturën greke, kurse në literaturen shqiptare në përgjithësi përdoren dy emërtimet e para.
Me emrin Epir në antikitet njihej krahina që shtrihej nga Malet Akrokeraune (malet e Vetëtimës-Llogara) në veri, e deri tek Gjiri i Ambrakisë në Jug dhe prej brigjeve të detit Jon në përëndim deri në vargun e Pindit në lindje. Ndërsa me emrin Çamëri, gjatë rrjedhave të historisë njihet krahina që shtrihet nga Gjiri i Artës në jug, deri afer Gjirit të Sarandës në veri.
Grekët sot e ndajnë gjeografikisht Epirin në dy pjesë: Epiri i Veriut ose “Vorio-Epiri” siç quhet prej tyre, i cili shtrihet nga Gjiri i Sarandës deri në Gjirin e Vlorës dhe “Epiri i Vërtet” apo Epiri i Jugut që shtrihet nga Gjiri i Sarandës deri në Gjirin e Artës. Epiri i Jugut osë Epiri i Vërtet përputhet me atë krahinë që quhet Çameri.
Emri Çamëri qëndron i gjallë dhe i fuqishëm më tepër në përdorim të popullit dhe në litëraturën shqiptare, kursë emri Epir u shua nga përdorimi i popullit dhe mbeti kryesisht në litëraturën greke. Grekët e përdorin këtë emër për arsye politike. Pasi aneksuan Epirin e Jugut (Çamërinë) ky emër u ngjall aspirata edhe për aneksimin e Epirit të veriut ose të Vorio-Epirit.
Në shërbim të strategjisë së helenizimit të të gjithë Shqipërisë së Jugut qarqet nacionaliste greke krahas të tjerash kanë hedhur në qarkullim një litëratiurë të gjërë propogandistike.
Problemi që do të trajtojmë në ketë atrikull ka të bëjë me përkatësiunë etnike të popullsisë së trevave jug-shqiptare në Greqi.
Ekzistojnë dy pikpamje: E para që e konsideron popullsinë e lashtë të Epirit si një popullsi të trungut etnik ilir dhe e dyta ajo që epirotët i quan grekë. Para së t’i referohemi burimeve arkeologjike, historike, onomastike etj, për këtë problem po citojme një përkufizim klasik që i ka dhënë Greqisë historiani i shquar francez Gustav Glotz: “Greqia e mirfilltë, shkruan ai, nuk është veçsë një pjesë, as me e pasura dhe as më e madhja, e tokave që u bënë greke. Është një vend i vogël .. . . . Në të vërtëtë të vjetrit nuk kanë qëeë aspak dakort për kufijtë e saj. Ata përfshinin këtu Thesalinë, për të përjashtuar zakonisht Epirin dhe gjithmonë Maqedoninë. Greqia klasike është, pra, pak a shume tërësia e kantoneve që gjenden në jug të një linje që e tërheqim nga Gjiri i Ambrakisë deri në gryken e Peneut”.(G Glotz, Historie anciennë, “Historie grecque”,I, Parieë ,1938, fq 7)
Autoktonia pellazgo-ilire në trojet e Çamerisë.
Në shumicën e studimeve shkencore të botuara kohët e fundit argumentohet prejardhja e shqiptarëve nga një popullsi e lashtë paragreke e quajtur pellazge. Pellazget ishin vendosur në Ballkan para ardhjes së tribuve greke. Në Epir, apo Çamërinë e sotme, pellazgët kishin ndërtuar kryeqëndrën e tyre Dodonën. Në këtë qëndër ishtë ngritur prej kohësh të hershme tempulli i Dodonës, me orakullin e tij të famshëm. Shënimet kronikale të lashta, të mbledhura në shekullin XIX-të, e datojnë themelimin e Dodnës në mijëvjeçarin e III-të para erës së re. Gjurmë paleolitike gjenden sot 15 km në veri-perëndim të saj në fshatin Kastriçe (muret rrethuesë kapin afro 3 mijë metër), si dhe në jug përqark lumit Luro (rajoni i Prevezës).
Rrënojat e metropolit pellazg të Dodonës ndodhen 60 km në lindje të Konispolit dhe 22 km në jug-perëndim të Janinës në këmbët e malit Tomaros. Dodona u zbulua në vitin 1875 prej studiuesit me prindër shqiptar nga Arta, Kostandin Karapanos (1840-1914), falë të dhënave të marra nga Ismail Qemali i cili Karapanon e ka pasur shok fëmijerie. Teatri i gurtë i Dodonës kishtë mbi 20 mijë vende dhe për nga përmasat ja kalontë atij të Dionizit në Athinë (rreth 17 mijë vendesh) dhe të Epidaurit (rreth 14 mijë vendesh).
Nga mesi i shekullit XX u zbuluan edhe gërmadhat e kryeqytëtit të Molosisë, Pasaronit, 20 km në lindja të Koshovicës dhe 11 km në veri-perëndim të Janinës, në afërsi të vendbanimeve neo-e-halkolitike të Kastrices, Kuculios, Hanit Terovo, përkatësisht 15, 12, 12 km përreth Dodonës.
Në këtë periudhë u bënë gërmime arkeologjike dhe u zbuluan qytetet e lashta të Tekmonit, Ilionit dhe Ozdines po në afërsi të Dodonës. (Dhimitër Pilika, Pellazget origjina jonë e mohuar”, Tiranë 2005, fq 24).
Këto vendbanime dëshmojnë objektivisht praninë e përhershme të kultures pellazgjike shume kohe para luftës së Trojes. Kjo hapesire Thesproto-Mollosë shtrihet midis rajonit të Janinës dhe kufijve të sotëm jug-lindor të Shqipërisë, pra në zemer të Çamerisë. Në trekendeshin Çuka e Ajitoit (Konispol)-Dodonë-Preveze janë zbuluar matëriale të bollshme arkeologike që çilesohen nga shkença e sotme me zanafille pellazge. Ketë e deshmon poçeria nëolitike e hetuar përqark Dodonës, afer Kastriçes, Hanit Tërovo, Kuçulios,e çila është e ngjashme deri në përputhje të plotë me staçionët tona prehistorike si Bençe, Burrel, Konispol, Çakran, Dedaj, Dishniçe, Divjake, Dunaveç, Dvoran, Fajze, Golaj, Gajtan, Helshan, Kakavije, Klos(Mat), Koplik, Maliq, Mjede, Pazhog, Përat, Piskove, Podgorie, Prespe, Rrajtç, Sëlçe, Surroi, Vajze, Velçe etj. Po ashtu edhe kultura matëriale pas epokes së hekurit e zbuluar përreth Dodonës dhe në të gjithe hapesirat e Epirit ka nje përputhje të plotë me vendbanimet e tjera ilire. Shembellejnë me njeri-tjetrin deri në identitët të plotë hanxharet e Dodonës me të Kakavijes, dorezat e shpatave të Dodonës (helpisë) me të Përatit(mesiturave) dhe të Matit, sëpatat e Dodonës me të Kuçit të Zi, (laberysët) sëpatat dytëheshe të Dodonës , Hanit Tërova apo Paramandas me të Matit, Shkodres Pojanit, majat e heshtave të Dodonës me të Vajzes etj. Qëramika e zbuluar rastësisht nga fundi i vitëve 60 të shekullit XX në fushen e Dodonës, sikursë e deshmon një stendë e muzeut të Janinës, paraqet identitet të plotë me ato të gjetura në shumë qendra arkeologjike të Shqipërisë madje edhe të Kosovës, Romaje (midis Gjakovës dhe Prizrenit) dhe Llasticë (në jug të Gjilanit). (Dhimitër Pilika “Pellazgët origjina jonë e mohuar”, Tiranë 2005, fq 158)
Dodona si kryeqendër e Pellazgëve shkëlqeu deri në shekullit XIII-të para erës së re. Më vonë si rezultat i dyndjeve dhe goditjeve të fuqishme nga jashtë filloi rënia e mbretërisë së lashtë pellazge. Ekspansionistët helenë pasi përvetësuan qytetërimin e stërlashtë Pellazg (Herodoti, Klementi i Aleksandrisë, etj.) filluan të asimilojnë e përvetësojnë çdo element etnik pellazg të veçuar, mbetur pa lidhje gjegrafike me Dodonën. Në këtë përiudhë helenët u vendosën në ishujt e Dodekanezit, në Euebea, në Kretë, në Atike, në Pelopnëz, pothuajse atje ku shtrihet sot Greqia ishullore dhe gadishullore. Gjatë shekujve XIII-të deri në shekullin e IV para erës së re sipas një mbishkrimi dodonas të shekullit të VI të kësaj periudhe, i publikuar me 1876, dëshmohet se në Dodonë dhe hapësirën gjeografike përreth saj, pra në Çamëri, ka një vazhdimësi të kulturës pellazgjike në ato që quhen zotërimet e Mollosëve, Thesprotëve dhe fiseve të tjera “barbare”(epirote). Ky mbishkrim dëshmon se zotër të këtyre hapësirave gjeografike prej nëntë shekujsh ishin bashkëatdhetaret e Pirro Mollosit, dhe përjashton në mënyrë kategorike, karhas dëshmive të tjera praninë e elementit etnik helen në Dodonë dhe hapësiren përreth saj.
Burimet arkeologjike nga shekulli XIII-të deri në shekullin e VIII-të para erës së re provojnë gjithashtu se Dodona gjatë kësaj periudhe s’ka mbajtur kurrfarë lidhje me hapësirat gjeografike jugore, pra me “helenët”. Studiuesi anglez Hammond pohon: “ e kemi parë se në përiudhën rreth 1120-800 para Krishtit Dodona ishte në lidhje vetëm me viset veriore dhe se ajo atëhere i përkiste një mjedisi Ballkanik. Lidhjet e ngushta me veriun vazhduan prej vitit 800 deri në vitin 500 para Krishtit . . . ”(Hammond, 1967, fq 435)
Pellazgët “periferikë” të dëbuar prej helenëve nga vatrat stërgjyshore (ishujt e Egjeut, Kretës, Gadishullit të Peloponezit, Atikës, Azisë së Vogël etj) strehohen përkohësisht në Dodonë dhe më pas detyrohen të shtegëtojnë drejt Saturnisë (Italisë së atëhershme). Janë pikërisht këta “refugjatë” pellazgë që do të quhen etruske sipas vendit ku u vendosën në Etruri.
Për problemin që po trajtojmë, në mungesë të dhënash të shkruara në gjuhën e banorëve të lashtë të Epirit, studiuesit janë mbështetur edhe në dëshmi të autorëve të vjetër grekë. Këta autorë dëshmojnë se Dodona ishtë një qendër pellazgjike parahelene shumë më e vjetër se gjuha, perënditë dhe mitologjia greke. Si e tillë ajo u njoh në krejt botën e lashtësisë.
Gjeografi helen Straboni në kapërcyllë të erës së re, pasi e viziton vetë Dodonën shkruan: “. . .Theopompi thotë se fisët e Epirit janë 14, më të dëgjuar nga këta janë Thesprotët, Kaonët dhe Molosët, sepse dikur kishin sunduar mbi të gjithë Epirin, Kaonët më parë dhe me vonë Molosët, të cilët morën fuqinë më të madhe për shkak së në vendin e tyre është faltorja e Dodnës, e vjetër dhe e dëgjuar . . ” Duke vijuar në trajtimin e këtij problemi Strabni shton : “...Dodona në kohët më të vjetra ishte nën sundimin e Thesprotëve ashtu edhe mali Tomaros në të cilin ndodhet faltorja e Dodonës dhe tragjikët sikundër edhe Pindari e quajnë Dodonën Thesprotë”.
Epirotët ishin “barbarë”, jo greke
Në mbështëtje të pikëpamjes që e konsidern popullsinë e lashtë të Epirit, (Çamërisë) si një popullsi të trungut etnik ilir, arbëror dhe shqiptar, po i referohemi edhe disa dëshmive të tjera të autorëve të vjetër grekë. Kështu p.sh Herodoti në një pasazh ku flitet për forcat greke që vinin nga viset më të largëta dhe u mblodhën në Salaminë (viti 480 para erës së re) për të luftuar kundër persëve, thotë: “të gjithë ata që i dërguan këto forca (në Salaminë) banojnë këtej Thesprotisë dhe lumit Aheron. Thesportët janë pra fqinjë të Ambrakasve dhe Laukadasve, kontigjentët e të cileve vinin nga viset më skajore”( Herodoti,VIII, fq 47).
Siç mund të shihet me lehtësi molosët, kaonët dhe thesprotët nuk bëjnë pjesë midis grekëve që shkuan në mbrojtje të Salaminës. Mungesa e tyre këtu e kompromenton tezen helenocentrike, që mbron grecitetin e tyre. Grekët banonin përtej Thesprotisë dhe lumit Aheron, që shënon kufirin midis botës greke dhe atyre që banojnë përtej këtij kufiri.
Siç përfaqësojnë banorët e viseve përtej Aheronit për botën greke e bën të qartë Thulciditi në veprën e tij “Lufta e Peloponezit 432-404”. Në hyrje të kësaj vepre historiani i madh grek vë në dukje se “nga përpjestimet dhe rëndësia kjo luftë i kalonte luftërat e mëparshme dhe se kjo ishte kriza më e madhe që përfshiu jo vetëm grekët për edhe nje pjesë të botës barbare” (Thulçiditi I,1-2). Sikursë edhe Herodoti Thulciditi quan “barbarë” të gjithë popujt e tjerë që nuk janë grekë. Ky koncept që përshkruan të gjithë veprën e Thulciditit i paraqet grekët dhe “barbarët” si dy kategoritë etnike të diferencuara. Thulciditi kur flet për popullsinë në veri të gjirit të Ambrakisë përmend sipas rastit thesprotët, kaonët, molosët, amfilohet etj. Siç shihet në vepren e Thulciditit nuk përmendet emri EPIR. Në botën greke emri Epir do të jetë shfaqur jo me vonë se shekulli V para erës së re. Në veprën “Lufta e Peloponëzit”, Thulciditi e thotë qartë se “barbarët” nuk ishin greqisht-folës, pra ata nuk ishin grekë pasi dihet që gjuha është treguesi dallues kryesor i karaktërit etnik të një populli.
Gjeografi i madh i antikitetit Straboni në kapërcyell të erës së re dhe Stefan Bizantini i shekullit të VI-të të erës së re mbrojnë gjithashtu tezën së epirotët e lashtë nuk kanë qënë grekë. Ata i kanë quajtur banorët e të ashtuquajturit Epir “barbarë”, në kuptimin jo-grek.
Satraboni përcakton edhe kufirin jugor të shtrirjes së Epirit (Çamërisë) në lashtësi, pikërisht në bregun e sipërm të Gjirit të Ambrakisë. Në librin e 7-të ai pohon : “Më poshtë vjen gryka e Gjirit të Ambrakisë; Gryka e këtij gjiri është pak më e madhe se katër stade, ndërsa rrethi i tij arrin deri në 300 stade dhe i gjithi ka limanë të mira. Kur lundron, në të djathtë banojnë akarnanët, fis grek, . . . nga ana e majtë ndodhen Nikopoli dhe një fis epirotësh Kasiopet që shtrihen deri në gjirin e Ambrakisë. . . ”(shih Straboni:1549, fq 314; shih edhe “Iliret dhe Iliria” tëk autoret antik fq 159)
Që në shekullin e XIX-të disa helenocentristë me zë kanë shpikur një varg “argumentash” për të “vërtetuar” së pellazgët nuk janë tjetër veç se stërgjyshët e helenëve. Edhe studiues grekë të ditëve tonë si p.sh M. B. Hatzopolosi, (Epirus 1997, fq 40) mendojnë se termi barbar nga disa autorë të vjetër grekë nuk është përdorur në kuptimin “jo-grek” por në kuptimin “i pagdhendur”, “i pazhvilluar”. Ata mbrojnë tezen se epirotët e vjetër ishin greke, duke u mbështetur në “argumenta” të ndryshëm, si në praninë e mbishkrimeve greke, në “kolonitë” greke, në praninë e monumenteve kulture të stilit grek, përdorimin në administratë të greqishtes si gjuhë zyrtare etj.
Së pari termi “barbar” prej shumicës së autorëve të vjetër grekë është përdrur jo vetëm për epirotët por edhe për popuj të tjerë të lashtë si maqëdonasit, trakasit, ilirët, etj. dhe i kanë dhënë kuptimin “të huaj”, “jo-grekë”. Nuk mund të mendohet që Straboni dhe Stefan Bizantini të kenë konsideruar të pazhvilluar edhe maqedonasit e vjetër nga të cilët doli Aleksandri i Madh. Po ashtu nuk mundet të konsideroheshin të pazhvilluar epirotët ku lulëzoi kultura e kryeqëndrës pellzgjike, Dodonës apo populli që i dha botës stratëgun me të madh të antikitëtit Pirro Burrin nga Ledhëza e Gumenicës. Legjendat dhe këngët “e thinjura “ çame mbi Pirron kanë ardhur deri në ditët tona si dëshmi e përkatësisë etnike dhe e madhështisë së kësaj figure historike:
Pirrua një trim i ndjerë/ Në Ledhëzë ishtë lerë/ Gjak iliri, kombësia/ Epirot ka Thesprotia/ Kaha, vendi inë, Çamëria. Filat (Çamëri)
Studiuesi anglez Hammnd në veprën e tij Epirus të vitit 1967, fq 423 pohon: “Dëshmitë arkeologjike tregojnë se kultura greke siç shfaqet në poceri dhe objekte të tjera, nuk depërtoi në Epirin e brendshëm, me përjashtim të Dodonës dhe atje vetëm në një masë të kufizuar, deri në shekullin e VI. Dëshmitë historike në përgjithësi dhe përshkrimi i tribuve të Epirit të brendshëm si “barbarë” nga Thulciditi, Straboni dhe Stëfan Bizantini janë në harmoni me dëshmitë arkeologjike. Prandaj nuk mund të merret sëriozisht ideaa që gjuha greke u përhap prej qyteteve greke në bregdet dhe zëvendësoi një gjuhe jo greke gjatë shekullit të V osë të VI. Iliria Qendrore ishte gjegrafikisht shumë më e hapur për depërtimin nëpërmjet Epidamit, Apolonisë dhe Bylisit, por gjuha greke nuk e zevendësoi gjuhën ilire atje në shekullin e IV ose më vonë”.
Së dyti: prania e kolonive greke, kryesisht korinthasë gjatë gjirit të Ambrakisë dhe gjatë bregut të Jonit deri në Korkyre, është një tjetër dëshmi e situatës etnike që ekzistonte dhe asaj që krijohet pas shekullit të VIII para erës së re në këtë rajon. Mendohet se Arta, ish Ambrakia, ishtë një koloni e themeluar nga korinthasit në vitin 657 para erës së re. (shih Hammnd, 1967, fq 425)
Dihet se kolonitë tregtare greke nuk janë themeluar në Atikë, në Beoti, në Lakoni, ose në ndonjë krahinë tjetër të Greqisë së mirfilltë por në vendet e banuara nga popullsi jo-greke, në botën “barbare”.
Kolonët grekë duhet të kenë qënë relativisht të pakët për nga numri i popullisë. Megjithatë marrëdhëniet me popullsinë vendase kanë ndikuar në përhapjen e gjuhës greke. Në viset jugore të Epirit procesi i helenizimit ka vazhduar edhe në kohët më të reja sidomos pas shpalljes së pavarsisë së Greqisë në 1828 dhe akoma me shumë, me shpërnguljen e dhunshme të popullsisë së Çamërisë pas viteve 1923 dhe 1944. (Shaban Demiri, Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët. Tiranë 2008, fq 97”)
Praninë e kolonive tregtare greke në viset e populluara nga barbarët, mbrojtësit e pikpamjeve helenocentrike për Epirin, e kanë lënë qëllimisht në harresë. Gjeografë dhe historianë grekë thonë se kur kolonistët grekë u vendosën e Korekyre qenë të detyruar të ndeshen me qëndresën e Ilirëve-liburnë, të cilet e zotëronin këtë ishull. (Straboni VI, 2-4) Straboni thotë së konflikti midis kolonistëve ambrakas që u vendosën në luginën e pasur të lumit Araktos (Artës), dhe amfilokasve vendas “Barbarë” vazhdoi të, mbahet i gjallë edhe pas një shekulli (në kohën e luftës së Peloponëzit).
Megjithatë historia e marrëdhënieve midis vendasve “barbarë” dhe kolonistëve grekë nuk ka qenë gjithmonë konflikutuale. Ato kanë njohur edhe periudha të mira politike të zhvillimit të shkëmbimeve të dendura tregtare, veçanërisht marrëdhënieve në fushën e kulturës që kanë ndikuar aq pozitivisht në jetën e këtyre dy botëve. As grekët dhe as barbarët nuk i qëndruan dot tundimit për tu afruar dhe për të përfituar nga njëri-tjetri. Kjo u vërejt sidmos në kohën helenistike, kur në viset përtej botës greke procesi i urbanizimit, lindja e zhvillimi i jetës qytetare dhe formimi e konsolidimi i shteteve “barbare”, transformoi tërësisht jetën ekonomike dhe politike të këtyre vendeve dhe vendosi raporte të reja me botën greke (Shih Selim Islami, Epiri antik, shënime për problemin etnik, Studime Historike, viti 1992, Nr 1-4, fq 8)
Në këtë periudhë kryhet integrimi i Ambrakisë dhe kolonive të tjera të bregut të Jonit në shtetin e Epirit. Këto prcese politiko-shqërore dhe ekonomike i hapen rrugën futjes së elemntit “barbar” në këto qytete dhe anasjelltas elementit grek në qytetet “barbare”. Në këtë kohë përhapet edhe gjuha e shkruar greke që dëshmohet me mbishkrimet. Ajo do të përdoret jo vetëm në Epir por edhe në Iliri deri në Shkodër. Si rrjedhim i këtij procesi gjashtë shekuj pas Theopompit disa fise epirote ishin sipas shprehjes së Strabonit “diglosë” (bilinge-dygjuhësh), (shih Straboni, Gjeografia VII, fq 326)
Megjithë hapjen e madhe të botës “barbare”, duke adoptuar kulturën greke, burimet letrare të shekullit IV dhe shekujve që pasojnë dëshmojnë se bota greke dhe ajo “barbare”, në aspektin etnik do të mbeteshin si më parë në kufijtë tradicionalë. Historiani grek i shekullit IV para erës së re Efori, thotë se “nga ana e perëdimit Hellada fillon me Akarnaninë, sepse kjo takon e para me fiset Epirote”. Siç shihet Efori jep po ato kufij që përkufizon edhe Thulciditi në shekullin e V para erës së re. Të njëjtën pikëpamje hasim edhe tek gjeografi grek i mesit të shekullit të IV Pseudo Scylaz-i, i cili pasi paraqet ilirët si banorë të brigjeve të Adriatikut, vijon me kaonët, thesprotët dhe molosët që banojnë përgjatë Jonit. Më tëj duke berë përshkrimin e viseve që ai ndesh gjatë lundrimit të tij drejt jugut thotë; “pas Mollosisë vjen Ambrakia, qytët helen ....Kendej fillon Hellada pa ndërprerje gjer te lumi Peneus dhe gjer në Homolios, qyteti i Magnezisë, që ndodhet mbi këtë lumë” (Scyllaz, Periplus, cap 20-37).
Vazhdimësia pellazgo-iliro-arbërore
Materialet arkeologjike të gjetura në vendbanimet antike dhe mesjetare tregojnë se fiset më të rëndësishme epirote: kaonët, thesprotët dhe molosët nuk u helenizuan as më vonë. Nëntë shtresat kulturore të zbuluar në shpellën e Kreshmojit (Konispol) përbëjnë një rast unikal në hapësirat Shqiptare që shprehin qartë procesët etno-kulturore të vazhdimësisë pellazgo-iliro-arbëreshe. Kultura e hershme materiale e shqiptarëve, e njohur me emrin “kultura e komanit” flet qartë për vazhdimësinë e traditës ilire. Ky kapërcim kulturor nga lashtësia në mesjetë (kultura arbërore) në krahinën e Çamërisë del qartë në varrezat e Lemit të Ri, në fshatin Dishat në Konispol. Në ketë nekropol të thjeshtë janë zbuluar shumë elementë analogë me Kulturën e Komanit.
Gjatë mesjetës së hershme banorët e Epirit nuk përmenden me emrin e tyre etnik, as ilirë e as epirotë por me apelitivin e përgjithshëm bizantinë “romajos”.
Nga shekulli XIII kur në përandrinë Bizantine përhapet koncepti i ri mbi kombësinë, i cili merret në konsideratë përmes përkatësisë fetare dhe komponentit gjuhësor, shqiptarët shfaqen si banorë autoktonë të Epirit, të Maqedonisë Përëndimore dhe të Thesalisë Veri-Perëndimore. Në një dokument të fillimit të shekullit XV të botuar nga historiani grek S. Llambros thuhet se “gjithë Epiri sot banohet nga shqiptarë, popull i lirë”. Studiuesi tjetër Theodoro Çantacuzino pohon se “Janina ishte kryeqyteti i Mbretërisë së Shqipërisë” dhe me tej po ky autor thotë : “ kur Sulltan Murati pushtoi Artën thotë se hyri në Shqipëri”. Në nje akt raguzian të shekullit të XIV (1390) qyteti i Kosturit cilësohet si pjesë e Shqipërisë. Po ashtu bujari shqiptar i shekullit të XV Gjon Muzaka shkruan në “memorandën” e vet (1510) se malet e Peristerit, te cilët ndodhen në lindje të Kosturit përbëjnë kufirin mes Shqipërisë dhe Bullgarisë.
Megjithësë ka dëshmi të shumta për autoktoninë pellazgo-ilire dhe vazhdimësinë iliro-shqiptare të popullsisë së Çamërisë, disa historianë kryesisht grekë, kanë hedhur tëzën se shqiptarët u vendosën në viset veri-përëndimore të Greqisë (në Çamëri) në shekullin e XIV. Ata pohojnë se gjatë sundimit të Stefan Dushanit shqiptarët u inkurajuan të vendoseshin ndër të tjera edhe në Epir.
Dihet se në shekullin e XIV dhe më pas, kanë ndodhur lëvizje migruese shqiptarësh në viset greke sidomos në Thesali, Atike, Beoti, Peloponëz si dhe në disa ishuj grek të Egjeut. Arsyet e këtyre shtegëtimeve dhe orientimi gjeografik i emigracionit shqiptar në Greqi në shekullin e XIV janë trajtuar shkencërisht në veprën e Pëllumb Xhufit “Dilema e Arbërit”( 2006, fq. 357-369). Në këtë vepër, duke u mbështetur në një material të pasur dokumentar dëshmohet qartë se Epiri dhe viset e tjera të Shqipërisë së Jugut në vitet 20-30-të të shekullit XIV, si rrjedhim i kryengritjeve kundër pushtimit bizantin, u ballafaquan me një varg masash të rënda ndëshkimore, që shkaktuan ndër të tjera edhe emigracionin e masave të gjera të popullsisë shqiptare-folëse drejt trevave greke.
Krahas të dhënave historike, lidhur me këtë problem dëshmojnë edhe veçoritë gjuhësore të të folmes së arvanitasve të Greqisë që janë shume të ngjashme me të folmen e jugut të Shqipërisë në përgjithesi dhe nën dialektin e çamerishtës në veçanti.
Banorët shqiptarë të Epirit nuk mund të kenë qenë aty të ardhur dhe të kenë asimiluar një popullsi të mëparshme greke, apo të helenizuar, që padyshim do të ishtë e nje niveli më të lartë kulturor dhe që për më tëpër do të kishte edhe mbështetjen e autoriteteve qeveritare bizantine dhe me pas të qeverisë dhe kishës ortodokse greke.
Gjatë shekujve kanë ndodhur lëvizje migruese të ndërsjellta midis popujve të vendeve fqinje në Ballkan. Burimet historike, ndër to, kronika mesjetare e Gjirokastrës, flasin për nje emigracion të banorëve grekë në Epir (Çamëri) Dropull, Vurg, që në shekullin e XIII. Në vitin 1204 regjistrohet një valë refugjatësh të ardhur nga viset e pushtuara nga kryqtarët latinë që u strehuan në qytetin e Janinës. Njoftime për një koloniozim të rëndësishëm grek në Epir, përkatësisht në luginën e Dropullit, na e jep dokumenti i quajtur “Kronika e Dropullit”, kronikë e gjetur dhe botuar së pari nga F. Pouqueville. Megjithatë kolonistët grekë nuk e përmbysën hartën etnike të Epirit. Onomastika e vendbanimeve të viseve të Çamërisë, sipas deftereve mufasale, të administratës osmane të shek XVI-XVII, dëshmojnë së shumica e kryefamiljarëve në atë kohë mbajnë emra të krishtere të tipit shqiptar, si Gjin, Gjon, Gjoke, Leke, Pal, Pjetër, Ndre, Kolë etj.
Pasojat e proçesit të helenizimit
Kisha greke edhe gjatë sundimit osman ushtroi një trysni të vazhdueshme helenizimi ndaj shqiptarëve të krishterë. Kësaj trysnie i shpëtuan më lehtë shqiptarët që përqafuan fenë islame, ndërsa shqiptarët e krishtere kanë qenë vazhdimisht nën presionin e helenizimit, nëpërmjet shkollës, kishës dhe administratës. Ky proces u intensifikua më shumë pas aneksimit të Çamërisë nga qeveria greke dhe që vazhdon deri në ditët tona. Megjithatë në tërësi deri në fund të shek XIX shqiptarët musliman dhe të krishterë përbënin shumicën e popullsisë së Çamërisë. Kjo është arsyeja përse gjeografi greko-epirot A. Psalidha në gjeografinë e vet të shkruar në gjysmën e parë të shek XIX e konsideron Epirin deri në Gjirin e Artës (Ambrakisë) një tokë shqiptare , ku flitet gjuha shqipe.
Autoktoninë shqiptare të popullisë së Çamërisë e kanë mbështetur shumë dijetarë të shquar të shekujve XVIII-XIX të cilët duke u mbështetur në kulturën materiale dhe të dhënat historike, etnologjike, gjuhësore, onomastike, antropologjike, hematologjike etj. kanë dhënë shtrirjen hapsinore gjeografike të ilirëve dhe epirotëve në lashtësi. Në këtë periudhë kur çështja e orientit zinte vendin kryesor në problemet e diplomacisë europianë Epiri deri në Gjirin e Ambrakiasë konsiderohej nga studiuesit, udhëtarët e huaj dhe gjithë encikopeditë e botës si gjeo-hapësirë e banuar kryesisht nga shqiptarët. Edhe grekët në atë kohë nuk guxonin të shtrinin mëtimet e tyre mbi Çamërinë. Albanologët e shquar gjermane Tunman, Hahen, Fallmerajer etj, si dhe konsujt e udhëtare të ndryshëm si Puikvil, Lik, Brukton, Liri, Dozoni etj që vizituan Greqinë në shekullin XIX dëshmojnë në veprat e tyre se treva që shtrihet midis lumit Kalama deri në Preveze e Gjirin e Artës është hapësirë autoktone shqiptare. Gjuha, veshjet, doket, zakonet dhe tipi fizik i tyre ishin, sipas këtyre autorëve, dëshmitarët më të fuqishëm që provonin më së miri origjinën e tyre të përbashkët.
Por në 160 vjetët e fundit, pas hartimit të programit politik të quajtur “Megali Ide” (1844) qarqet nacionaliste greke filluan të zbatojnë strategjinë e aneksimit nëpërmjet shkombëtarizimit të trojeve shqiptare të Çamërisë. Shpërnguljet e dhunshme të realizuara në këtë periudhë qenë me pasoja shkatërrimtare për strukturën demografike të kësaj krahine. Megjithatë deri në prag të Luftës së Dytë Botërore Epiri (Çamëria) ishtë nje rajon homogjen i populluar me shumicë nga shqiptarët ( 82% e popullsisë ishtë shqiptare në 1937).
Struktrura etnike e Çamërisë pësoi ndryshime dramatike pas vitit 1945. Pas shpërnguljes me forcëë, nëpërmjet një genocidi të egër të popullsisë shqiptare muslimane (vitet 1944-1945), në gysmën e dytë të shekullit XX politika greke për helenizimin e krahinës është fokusuar në asimilimin e popullsisë shqiptare ortodokse nëpërmjet shkollës, kishës dhe administratës. Nën këtë trysni shqiptarët ortdoksë të krahinës së Çamërisë kanë frikë ta deklarojnë identitetin e tyre kombëtar. Sipas të dhënave të “De Agostinit 2006” shqiptarët etnikë në Greqi përbëjnë 1.5 % të popullsisë greke ose rreth 165 mijë banorë. Ndërkohë në Republikën e Shqipërisë banojnë mbi 250 mijë banorë me origjinë nga kjo krahinë. Siç shihet mbi 400 mijë shqiptarëve të krahinës së Çamërisë ju janë privuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut për të jetuar si qytëtare të lirë në vendin e tyre.
Riatdhesimi i popullsisë Çame në Epir (Çamëri) do të përmirësontë situatën demografike dhe do të mbështeste zhvillimin ekonmoko-shoqëror të kësaj krahine të prapambetur në skajin veri-përëndimor të Greqisë dhe do të ndihmonte gjithashtu edhe në prosperitetin edhe të vetë shtetit helen.
*Autori është Profesor në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji
Comments