“Çamët u masakruan, u përzunë dhe më pas ua grabitën pasuritë”
“Çamët u masakruan, u përzunë dhe më pas ua grabitën pasuritë”
Autori i Lajmit: Miranda Vickers
Masakra më e egër ndaj shqiptarëve myslimanë u bë nga ushtarët grekë që nuk bënin më pjesë në formacionet ushtarake më 27 qershor 1944, në zonën e Paramithisë, ku forcat e Ligës Republikane Greke (EDES) të gjeneralit Zervas hynë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë myslimanë, burra, gra dhe fëmijë, shumë prej të cilëve u përdhunuan dhe u torturuan para vdekjes. Sipas dëshmitarëve okularë, të nesërmen, një batalion tjetër i EDES hyri në Parga, ku u vranë 52 shqiptarë të tjerë. Më 23 shtator 1944 u plaçkit qyteti Spatar dhe u vranë 157 veta. Gra të reja dhe vajza u përdhunuan dhe ata burra që mbetën gjallë u grumbulluan dhe u dërguan në ishujt e Egjeut. Në bazë të statistikave që jep shoqata “Çamëria” në Tiranë, gjatë goditjeve që janë bërë në vitet 1944-1945, në fshatrat çame janë vrarë gjithsej 2771 civilë shqiptarë dhe konkretisht si më poshtë: në Filat dhe rrethinat 1286, në Igumenicë dhe rrethinat 192, në Paramithia dhe rrethinat 673 dhe në Parga 620. Janë plaçkitur dhe djegur 5800 shtëpi në 68 fshatra. Në një listë të hollësishme të humbjeve materiale përfshihen 110.000 dele, 24.000 bagëti të trasha, 250000 kv grurë dhe 80.000 kv vaj ushqimor, të cilat arrijnë në 11 milionë kg grurë dhe 3 milionë kg vaj ushqimor. Si rezultat i këtyre goditjeve, llogaritet që 28.000 çamë të jenë larguar për në Shqipëri, ku u vendosën në periferi të Vlorës, Durrësit dhe Tiranës. Disa qindra çamë u vendosën gjatë bregut të Himarës, në prona të lëna nga familjet që u larguan gjatë luftimeve të egra, fillimisht kundër pushtuesve të Boshtit dhe më pas, më 1944-n, midis Frontit nacionalist grek të Çlirimit të Epirit të Veriut dhe luftëtarëve të Ballit Kombëtar të Shqipërisë. Disa nga çamët u vendosën në fshatrat ekzistuese gjatë bregdetit, si në Borsh, që tradicionalisht ishin myslimanë, duke forcuar karakterin johelenik të zonës. Çamë të tjerë krijuan fshatra krejtësisht të reja, si Vrina afër kufirit grek. Vëzhgues ndërkombëtarë kanë konstatuar brutalitetin e përdorur gjatë dëbimeve të çamëve. Joseph Jakobs, shef i Misionit Amerikan në Shqipëri (1945-1946), shkruan: "Në mars të vitit 1945, njësi të forcave të shpërndara të Zervasit kryen një masakër ndaj çamëve në zonën e Filatit dhe praktikisht e spastruan atë nga pakica shqiptare. Sipas të gjitha të dhënave, që kam mundur të mbledh mbi çështjen çame, në vjeshtën e 1944-s dhe gjatë muajve të parë të 1945-s autoritetet e Greqisë veriperëndimore kryen goditje të egra, duke dëbuar rreth 25.000 çamë, banorë të Çamërisë, nga shtëpitë e tyre. Ata u ndoqën deri në kufi, mbasi iu grabit toka dhe prona. Qindra meshkuj çamë të moshave 15 deri 70 vjeç u internuan në ishujt e Detit Egje. U dogjën në total 102 xhami. Autoritetet greke miratuan më pas një ligj që sanksiononte shpronësimin e pronave të çamëve, duke iu referuar bashkëpunimit të bashkësisë së tyre me forcat pushtuese të Boshtit, si një arsye kryesore për marrjen e këtij vendimi.
Comments