Trimëria çame përballë dredhisë greke

Aleancat. Trimëria çame përballë dredhisë greke
Kujtim Borici

Ekskluzive/ Në vazhdim, jepen pjesë nga dëshmi e dokumente arkivore të studiuesit, Hajredin Isufi, lidhur me lashtësinë e popullsisë çame në trojet e veta, zakonet, mënyra e jetesës, traditat, shfarosja shoviniste, dënimi nga qarqe përparimtare greke i masakrës mbi popullsinë çame e deri tek kalvari i largimit të dhunshëm të banorëve nga tokat e tyre.

Aleancat. Trimëria çame përballë dredhisë greke
Nga Hajredin Isufi
Çamët kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve të huaj për trimërinë dhe guximin e tyre, brenda dhe jashtë vendit. Shumë autorë, në veprat e tyre, kanë shkruar faqe të tëra duke i paraqitur çamët si luftëtarë të zotë e të guximshëm. Shpirti i lartë i luftëtarit çam dhe guximi i tij, ka tërhequr në shekuj edhe lakminë e vendeve të ndryshme të Perëndimit e të Lindjes, për t'i pasur në radhët e forcave të tyre jo vetëm si luftëtarë, por edhe si drejtues të veprimeve luftarake. "Shqiptarët, shkruan Johallas, thërriteshin nga të huajt si luftëtarë dhe sidomos si kalorës të mirë", (Johallas, P.Titos, "Mbi emigrimin e shqiptarëve në Greqi", në: AIH, Dos.A - II - 56).
Çamët, në radhët e forcave të huaja, i hasim që në dhjetëvjeçarin e parë të shek.XVI. Kështu historiani Giuseppe Valentini, autor i veprave shumë-vëllimshme, në njërën prej tyre ve në dukje se dy luftëtarë suliotë, njeri me emrin Gjokë dhe tjetri me emrin Lekë, i hasim si stratiotë që në vitin 1511, (Guseppe Valentini, "Il diretto delle comunita nella tradioline giuri Albanese", f.351).
Pukëvili tregon se tre fshatrat e juridiksionit të Filatit: Janjari, Filati dhe Koska "kanë qenë fidanishtja prej nga përzgjidheshin luftëtarët që sulmonin Rumelinë. Përpara se Ali Pasha të bëhej zot i Çamërisë, këto trupa çame bënin inkursione në grykat e maleve të Maqedonisë dhe e drejtonin vështrimin e tyre deri në Egjipt", ( Pouqueville, Voyage, vep.e përm., Vëll.I, Kap.29).
Në Konferencën Shkencore që u organizua nga Instituti i Studimeve për Çamërinë, më 26 qershor 2004 në Tiranë, në kuadrin e 60-vjetorit të shpërnguljes me dhunë të popullsisë shqiptare nga Çamëria, intelektuali dhe politikani i shquar i shqiptarëve të Maqedonisë, z.Arbën Xhaferri, në temën që trajtoi, solli të dhëna me vlerë rreth problemit që trajtojmë: "Në vitin 1806, deklaroi autori, Beogradi u çlirua nga turqit. Rol të rëndësishëm në këtë luftë luajti epiroti çam, Jani Kondo, apo siç e quanin serbët, Kondo Bimbashi, i cili bashkë me luftëtarët e tij, kryesisht çamë, hyri i pari në kala. Një tjetër luftëtar çam, Gjergj Olimpiasi, me 300 vullnetarë të tij shqiptarë luftoi për çlirimin e Serbisë, (Arbën Xhaferri, "Legalizimi i krimit", referat i mbajtur në Konferencën Shkencore të organizuar nga Instituti i Studimeve për Çamërinë, më 26 qershor 2004, në: "Çështja çame dhe integrimi evropian", Arbëria, 2005, f.98).
Historia e re e Egjiptit ka në themelet e saj kontributin që kanë dhënë luftëtarët shqiptarë kundër krimit të organizuar, që kishte lindur në Egjipt, dhe përcaktoi në mënyrë përfundimtare karrierën e shqiptarit Mehmet Aliu dhe i hapi rrugë për të ndërmarrë reforma ekonomike dhe ushtarake.
Në radhët e drejtuesve të forcave ushtarake të Perandorisë Osmane, burimet e kohës përmendin si drejtues të taboreve osmane Sulejman Çaparin, nga Luarati i Margëlliçit, në kryengritjen e Orllovit në More, përpjekjet mes forcave ruse dhe atyre turke, që përfunduan më 1769 me fitoren e forcave turke, (Sp.Mela, "To lintari...", vep.e përm., f.39).
Këtë shpirt të shqiptarëve për t'u larguar nga vendi i tyre i pushtuar dhe për të kaluar në aventura e me prirje mercenare, Dora D'Istria e motivon vetëm e vetëm për të fituar para për të mbijetuar .
Trimeria CameAsnjë rrëfim nuk do të ishte i plotë për vetitë luftarake të shqiptarëve çamë, pa përmendur luftërat heroike që kanë bërë suliotët në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të tyre. Mënyra më e mirë për të njohur heroizmin legjendar të çamëve, është t'u referohemi vlerësimeve që kanë bërë studiuesit e huaj në periudha të ndryshme historike. Pukëvili, duke qenë Kryekonsull i Francës në Janinë, më 1806 njohu nga afër cilësitë e çamëve, si dhe vetitë luftarake të tyre, që i dallonte ata. Francezi, në veprën e tij disavëllimëshe bëri vlerësime që meritojnë vëmendje. Suli dhe suliotët, Filati dhe filaqotët, Margëlliçi dhe margëlliçotët, u bënë epiqendra e vëzhgimeve të tij në qëndresën heroike të çamëve, të cilët "donin të jetonin të lirë si të parët e tyre", (Jurien de la Craviere, "La station de Lavarit", Paris, 1876, Vëll.II, f.89).
Pukëvili, vuri re tek shqiptarët çamë disa veçori dalluese, si: luftëtarë të maleve, që lidhej me origjinën e tyre antike, trima, të cilët në veprimet luftarake zgjidhnin pozicione, zinin qafa për të kontrolluar lëvizjet e kundërshtarit. Pukëvili, në shënimet që ka lënë për çamët, shkruan me admirim për trimëritë e qëndresën e tyre për të mos rënë nën sundimin e Pashait të Janinës: "Filaqotët, shkruan Pukëvili, ndryshe nga korfiatët, shquheshin gjatë mbrojtjes për guximin e madh dhe këta ishin të pathyeshëm. Ali Pasha nuk ka qenë në gjendje të matej e të ndeshej seriozisht me ta", (Po aty, vep e përm., Vëll.I, Kap.29).
Këto cilësi të larta të shqiptarëve çam bënë që Pukëvili, megjithëse nuk kishte qenë një dashamirës i shqiptarëve, të miqësohej me çamët dhe në ditë të vështira, kur në kazanë e Filatit më 1813 kishte rënë kolera dhe vdekja merrte qindra jetë njerëzish çdo ditë, ai ishte mes çamëve.
Pukëvili nuk e fshihte atëherë admirimin për çamët, që i cilësonte: "Një popull të shquar për zotësinë e vet, një popull që s'mund ta gjesh më të mirë, më fisnikët e farës shqiptare, si për nga guximi, ashtu dhe shëndeti, që janë përkujdesjet e tij kryesore", (po aty).
Kur flitet për vlerësimet që u bëjnë autorët e huaj cilësive luftarake të çamëve, nuk duhet lënë pa përmendur historiani anglez, Çajrël, për shënimet që ka lënë në veprën e tij. Ai, ndër të tjera shkruan: "…Natyra ka qenë një memece e rreptë për shqiptarët, por të paktën ajo iu pat dhënë zemër të qëndrueshme dhe muskuj penjëzor të fortë për të luftuar. Ali Pasha, megjithëse kishte ndërtuar një kështjellë madhështore për të vënë nën kontrollin e tij malësorët trima, kurrë nuk kishte arritur t'i nënshtronte plotësisht, (po aty, f.234).
Çajrël qëndroi mes çamëve në kazanë e Margëlliçit me javë të tëra. Ai, kur flet për trimërinë e margëlliçiotëve, përmend edhe suliotët legjendarë, të cilët i karakterizon si "një racë të fortë shqiptare, të krishterët e malësive, të cilët me trimëri e mbajtën gjatë shekullin e XIX, supremacinë e padiskutueshme në këto kështjella dhe i detyruan kundërshtarët e tyre të thyheshin në terren malor, në fushë e në det, madje dhe në portat e Janinës, (po aty, f. 205-206).
Në përshkrimin e luftëtarëve suliotë, Çajrel do të veçonte si tipar dallues të tyre në veprimet luftarake, shkathtësinë e tyre në ngjitjen nëpër male e shkrepa, nëpër monopate e shtigje, që viheshin kurdoherë nën kontrollin e tyre. Ndërsa Liku shkon edhe më tej, duke treguar se suliotët kishin një taktikë origjinale në veprimet e tyre luftarake: kur forcat armike ishin të shumta në numër, suliotët i sulmonin në befasi, ndërsa kur shihnin se forcat e kundërshtarit ishin të shumta e të pabarabarta me të tyret, synonin t'i zinin rob ose t'i asgjësonin plotësisht .
Prijësit çamë në Revolucionin Grek
Ndonëse pjesëmarrja e shqiptarëve (çamëve) për pavarësinë e Greqisë është e njohur gjerësisht, në burimet greke anashkalohet apo minimizohet ky kontribut.
Ishin kapedanët shqiptarë të Çamërisë në shërbim të Ali Pashës, që i dhanë Greqisë së re trimat më të shquar në luftë për pavarësi: Noti Boçari, Kostandin Boçari, Marko Boçari, K.Xhavella, Jorgji Dhrako, Danglli, Llambro Vejko, Jani Gjeli, Tushi Zerva, (August Febre, "Historie du siège de Messolonghi", Paris, 1827, f.209). Fatkeqësisht, disa historianë e publicistë grekë ia atribuojnë vetëm helenëve Revolucionin Grek e nuk theksojnë që në atë revolucion shumë shqiptarë luftuan trimërisht për pavarësinë e Greqisë. Kjo nuk ishte një rastësi. Gjithmonë popullin shqiptar dhe atë grek i ka lidhur miqësia.
Engelhardt-i, duke folur për kontributin e shqiptarëve në Kryengritjen Greke për pavarësi, shkruan se në Shqipërinë e Poshtme "lindi pavarësia greke, se Boçarët, Karaiskaqët, Miaulët (...) ishin shqiptarë", (Tarih-i, Lufti, CIS, 13; "Enciklopedie de Islam", Vëll.I, f.229-264).
Në prag të Revolucionit Grek, kapedanët e Sulit, me forcat e tyre dhe bejlerët myslimanë të Çamërisë ishin në radhët e forcave osmane, të joshur nga premtimet që kishin marrë nga Porta e Lartë se suliotët, pas fitores së osmanëve mbi Ali Pashën, do të ktheheshin në vatrat e tyre në Sul dhe bejlerëve çamë do t'u ktheheshin çifligjet që u kishte grabitur Ali Pasha. Megjithëse të krishterët shqiptarë të Sulit, si dhe bejlerët myslimanë ishin skeptikë ndaj premtimeve me të cilat i joshte Porta e Lartë, ata i mbante një shpresë e vogël dhe kjo i bënte të luftonin përkrah forcave osmane, kundër forcave të Ali Pashës, armikut të tyre të vjetër, që ishte drejt një fundi tragjik. Ndërkohë, pabesia e Portës nxori krye. Kryegjenerali turk thërriti kapedanët e Sulit dhe u komunikoi se Porta e Lartë, pas fitores ishte e gatshme t'' kthente suliotët dhe familjet e tyre në fshatrat e Frarit, në çifligjet e bejlerëve të Margëlliçit e të Paramithisë dhe nuk do t'i lejonte kurrë të ktheheshin në Sulin e tyre të dashur, në vatrat e tyre, që e kishin braktisur që në dhjetor të vitit 1813, (Spiro Mela, "To lintari tis Ipirou Ali Pasias, qe Suoli...", Parames 21 Athinë, 1970, f.388).
Kapedanët çamë braktisin Turqinë për Revolucionin Kjo deklaratë bombë e kryegjeneralit osman i dëshpëroi shumë kapedanët e Sulit, si dhe bejlerët myslimanë të Çamërisë. Ali Pasha, që njihej si një mjeshtër i përsosur për të shfrytëzuar lëkundjet e kundërshtarit, ndërhyri me anën e njerëzve të tij, për të njoftuar kapedanët e Sulit dhe bejlerët myslimanë të Çamërisë që të krijonin një aleancë kundër forcave turke, që përditë e më tepër po i afroheshin portave të Janinës. Pashai u ofronte aleatëve të rinj, jo vetëm premtimet që u kishte dhënë Porta, por luftëtarëve edhe rroga më të mira sesa ato që merrnin nga Turqia... Pas shumë hezitimesh, suliotët pranuan. Ata, më 3 dhjetor 1820, u larguan nga forcat sulltanike, duke braktisur pozicionet, dhe kaluan në anën e forcave të Ali Pashës. Suliotët, sapo kaluan në anën e Aliut, më 4 dhjetor, ndërmorën sulme të forta kundër forcave osmane duke u shkaktuar humbje të mëdha. Fitoret e suliotëve përkuan me shpërthimin e Revolucionit Grek, prandaj ato patën jehonë të gjerë në të gjithë Greqinë dhe u bënë burim frymëzimi i popullit helen për pavarësi. Ndërkohë, Ali Pasha urdhëroi që më 12 dhjetor 1820 të hynin në Sul. Ky lajm i gëzoi shumë suliotët dhe kthimi në vatrat e tyre pas 13 vjetësh, ishte një ngjarje e shënuar. Ata tashmë do të shkelnin pragjet e shtëpive të tyre, do të preknin me dorë çdo pëllëmbë toke, që e kishin larë me gjak.
Ali Pashë Tepelena mashtron çamët e Sulit
Për fat të keq, gëzimi dhe ndjenja e kënaqësisë që përjetuan suliotët në vatrat e tyre, nuk zgjati shumë. Koha tregoi se Aliu, si gjithmonë, nuk i mbajti premtimet që u kishte dhënë suliotëve, që tashmë ishin dhe aleatë të tij. Ai lejoi të futeshin ata në Sul, por pikat më të rëndësishme strategjike, siç ishte Kështjella e Qafës, nuk e lëshoi të vihej nën kontrollin e suliotëve, por u mbajt nga 60 forca të përzgjedhura të Ali Pashës . Në gjuhën e thjeshtë, kjo donte të thoshte se Ali Pasha i kishte mashtruar edhe këtë herë çamët e krishterë të Sulit.
Tashmë suliotët, pas mashtrimeve të Portës së Lartë, provuan edhe një herë pabesinë e vezirit plak. Në këto rrethana suliotët, pa asnjë hezitim, u bashkuan me forcat kryengritëse greke, aleat i të cilave ishte edhe Ali Pasha, kundër Hurshit Pashës, që tashmë kishte ardhur në krye të forcave turke në Greqi.
Çamët manifestonin ndjenja dashurie dhe solidariteti ndaj helenëve, ndërkohë që sundimi shekullor osman kishte kultivuar thellë tek shqiptarët çamër ndjenjën e pavarësisë. Në vigjiljen e Revolucionit Grek, kur Hurshid Pasha vazhdonte ta ngushtonte rrethimin e Janinës. Perovoji arriti në Sul, i cili në emër të Ipsilantit, kryetar i Revolucionit Grek, i ftonte suliotët të luftonin për liri dhe të ndikonin tek muhamedanët shqiptarë të kalonin në anën e Revolucionit Grek, se edhe Ali Pasha ishte mbështetës i revolucionit. (K.Biris, vep.e përm., f.345)...
Në Revolucionin Grek
Të besëlidhurit nisën veprimet e përbashkëta kundër forcave osmane. Ato, më 25 prill 1821, nisen për në Prevezë, ku forcat e të besëlidhurve bashkohen me çetën e Janaq Jorgjit. Me veprime të përbashkëta, suliotët dhe forcat e bejlerëve çamë vunë nën kontrollin e tyre shumë territore të Shqipërisë së Poshtme dhe pas këtij suksesi, suliotët kthehen në Sul .
Dhimitër Ipsilanti mësoi sukseset e aleancës së suliotëve me muhamedanët çamë dhe u entuziazmua për fitoret e tyre. Për Ipsilantin kjo aleancë nuk ishte e mjaftueshme që çamët muhamedanë të bashkëpunonin me suliotët. Komandantit të Revolucionit Grek i interesonte që çamët, me forcat që kishin dhe trimërinë që i karakterizonte, dhe që përbënin një potencial të fuqishëm ushtarak, të bashkoheshin përkrah forcave kryengritëse greke, në luftë kundër forcave osmane. Ipsilanti vlerësonte jo vetëm bejlerët e Çamërisë për ta mbështetur Revolucionin Grek, por edhe krerët e krahinave të tjera të Shqipërisë së Jugut. Komandanti i Revolucionit Grek, ndjenjat e pastra për një aleancë me shqiptarët kundër armikut të përbashkët, i shpalosi hapur dhe pa hezitim në dy letra që u nisi krerëve shqiptarë, në të cilat i ftonte të luftonin përkrah grekëve.
Letra e parë (nga tre të tilla) e Dhimitër Ipsilantit, që iu drejtua parisë së Çamërisë, mban datën 26 qershor 1821... Rrethimi i Tripolicës, në shtator të vitit 1821, gjendej në pikën më kritike. Qyteti ishte i rrethuar nga forcat e shumta osmane. Uria dhe sëmundjet po i sfilitnin të rrethuarit helenë. Forcat osmane synonin t'i detyronin të rrethuarit ose të dorëzoheshin, ose të vdisnin të gjithë nga uria. Në radhët e taborëve osmanë ishin edhe rreth 2000 ushtarë shqiptarë me rrogë dhe komandantët e tyre si, Jaho Demi, nga Filati i Çamërisë e Sali Çami, nga fshatrat e rrethinave të Gumenicës. Ata nuk pajtoheshin me vendimin që kishte marrë komandanti osman, që të rrethuarit të vdisnin nga uria e sëmundjet, që po kthehej në një epidemi të vërtetë masive. Komandantët e forcave shqiptare, nuk kishin asnjë lidhje kombëtare e solidaritet me forcat osmane, por ndjenin një dhembje të thellë për fatin tragjik që përjetonin helenët e rrethuar. Kjo situatë e rëndë bëri që komandantët e forcave shqiptare në radhët e forcave turke, të bien në kontakt me Kollokotronin e t'i deklaronin se ishin gati të braktisnin pozicionet, me kusht që forcat kryengritëse greke t'i linin të lirë të ktheheshin në atdheun e tyre. Kollokotroni e mirëpriti propozimin që iu bë dhe i mori në konsideratë të plotë kërkesat e palës shqiptare.
Shtabi i komandës osmane në Tripolicë, kur pa se shqiptarët me komandantët e tyre, Jaho Demi, Sali Çami, Elmaz Meçi etj., braktisnin pozicionet ku ishin dislokuar, u dëshpëruan dhe u detyruan t'u propozojnë grekëve kryengritës armëpushim. Komandantët shqiptarë gjatë tërheqjes nxjerrin nga rrethimi gjithë klerikët grekë dhe parinë helene, që mbaheshin të izoluar në Tripolicë, dhe dolën bashkë me armët e tyre. Komandantët shqiptarë gjithashtu ishin marrë vesh me kryengritësit grekë, që kur të largoheshin forcat shqiptare, të bëhej një mësymje e fortë kundër pozicioneve osmane, ( N.Spiladou, "Kujtime", Vol.A, f.243; K.Biris, vep.e përm., f.350).
Ja si i përshkruan shqiptarët që dolën nga Tripolica, francezi Vutie: "Ishte një pamje prekëse t`i shikoje këta ushtarë trima të dobësuar nga privacionet, por krenarë të kalonin përmes grekëve".
Kollokotroni për t'u siguruar nga çdo incident gjatë udhëtimit të forcave shqiptare për në atdheun e tyre, caktoi 500 luftëtarë të zgjedhur kryengritësish grekë, që i drejtonte komandanti i shquar i Revolucionit Grek, Z.Pllapoutas. Në vendin e quajtur Mitika, Daljanenjtë, një fis i madh grek, kishin bërë një pritë të fortë për të sulmuar forcat shqiptare e t'i vrisnin të gjithë, në shenjë hakmarrje të vrasjes së vëllait të tyre, Theodhorit, nga forcat osmane, pak kohë më parë. Kollokotroni u njoftua nga njerëzit e tij për pritën që ishte përgatitur dhe menjëherë urdhëroi Daljanenjtë të tërhiqeshin nga planet që kishin stisur dhe të mos krijonin asnjë incident . Daljanenjtë u tërhoqën dhe kolona e shqiptarëve, më 30 shtator arriti në Egjio dhe prej andej do të vazhdonin udhën për në vendin e tyre. Egjio ishte edhe vendi ku forcat greke do të ndaheshin nga shqiptarët, të bindur se ndaj tyre nuk kishte më rrezik rrugës. Jaho Demi, Sali Çami dhe Elmaz Meçi i dorëzuan Pllapoutës një parashtresë falënderimi, në të cilën shprehnin mirënjohje për Kollokotronin si dhe komandantëve të trupës greke, që i shoqëruan në mbrojtjen e jetës së tyre. Peticioni nënshkruhej nga Jaho Demi, Sali Çami, Elmaz Meçi e Lalush Perpani, (N.Spiladou, "Kujtime", po aty).
Në tetor të atij viti, çamët, suliotët e toskët, në bashkëpunim edhe me forcat kryengritëse helene, ndërmorën disa aksione të përbashkëta e të suksesshme kundër forcave osmane në Arahthit, si dhe në rrethimin e komandantit turk në Artë.
Lidhja e aleancës së çamëve me luftëtarët grekë
Forcat shqiptare në këto aksione, siç shkruan historiani grek, Dionis Kokinoi (Dionis Kokinou, "Revolucioni grek", Vëll.IV, f.68, 74; K.Biris, vep.e përm., f.346.), ishin rreth 1500 vetë. Veprimet e përbashkëta greko-shqiptare tregonin se në fakt aleanca ishte krijuar. Tanimë pritej vetëm akti formal për t'u zyrtarizuar aleanca nga pala greke. Me ndërhyrjen e suliotëve, edhe kjo pikë që kishte mbetur pezull, u zgjidh.
Pala e udhëheqësve të kryengritjes greke ftoi krerët myslimanë shqiptarë në Peloponez, në vendin ku ishte caktuar për t'u zyrtarizuar aleanca. Palën shqiptare në atë takim e përfaqësonte Tahir Abazi. Ndërkohë forcat çame, nën drejtimin e Pronjos dhe Çaparit, ishin dislokuar në rrethinat e Artës dhe menjëherë pas nënshkrimit të aleancës, prisnin sinjalin për të kaluar në radhët e kryengritësve grekë, që ishin më të organizuar dhe më të përqendruar në veprimet luftarake…
Tahir Abazi, i revoltuar nga djegia e fshatit, prishja e xhamive dhe e teqeve, si dhe i keqtrajtimeve të myslimanëve arvanitas, hoqi dorë nga vazhdimi i udhëtimit drejt Peloponezit dhe u kthye në Artë. Aty ai u bëri të njohur bejlerëve çamë dhe drejtuesve të tjerë shqiptarë të Shqipërisë së Poshtme, veprimet e dhunshme që kishin ndërmarrë kryengritësit grekë ndaj familjeve myslimane dhe institucioneve të kulteve fetare myslimane. Ky lajm i kobshëm, mjaftoi që krerët shqiptarë të hiqnin menjëherë dorë nga aleanca me kryengritjen greke e të bashkoheshin me Hrushit Pashën, (K.Biri, "Arvanites oi dories tou neotorou elenizmou", Athinë, 1961., f.346).
Por vuajtjet çame në këtë betejë qëndrese e më pas, mbeten të pashoqe. Ja si shkruan Dora D'Istria: "Për fat të keq, asnjë pjesë e Shqipërisë nuk ka vuajtur aq sa Çamëria nga fanatizmi mysliman dhe ky është një konstatim mëse i drejtë, i cili herë pas here në momente kritike ka nxjerrë krye dhe është bërë pengesë serioze në progres, siç ishte rasti në mbrojtjen e alfabetit latin e shkollës shqipe", ( Dora d'Istria, vep.e përm.).
Prishja e aleancës
Hrushit Pasha, kryegjenerali turk, e shfrytëzoi pa humbur kohë konfliktin që kishte plasur mes drejtuesve të kryengritjes greke dhe bejlerëve myslimanë shqiptarë të Shqipërisë së Poshtme. Ai gjeti terren të favorshëm për t'u bërë thirrje myslimanëve shqiptarë të largoheshin përfundimisht nga aleanca, duke u thënë se kryengritja greke ishte vepër e Rusisë cariste dhe se ajo ishte drejtuar kundër myslimanëve dhe se do të ishte një dënim qiellor, po qe se myslimanët do të bëheshin me të krishterët. Propaganda e Hrushit Pashës synonte që bejlerët myslimanë çamë të bashkoheshin me forcat osmane. Të gjitha këto presione nga brenda e jashtë nuk mund të mos ndikonin në tronditjen nga themeli të aleancës dhe prishjen e saj. Jetëgjatësia e saj qe vetëm 12 muaj: Janar 1821- Dhjetor 1821, (Pouqueville, "Histoire de la rigeneration de la Grece", f.199-200).
Prishja e aleancës dhe fushata e reprezaljeve që kishte nisur ndaj myslimanëve shqiptarë, i preku shumë suliotët dhe kreykapedanin e tyre, Marko Boçarin, edhe për faktin se kishte qenë Marko Boçari nismëtari për krijimin e aleancës mes bejlerëve të Çamërisë dhe kryengritjes greke.
Madje, Marko Boçari shihte se ftohja e bejlerëve myslimanë të Shqipërisë së Poshtme ndaj kryengritjes greke, kishte nisur të ndjehej edhe tek shqiptarët e krishterë suliotë. Këto pasoja të paparashikuara nga krerët e kryengritjes, kishin krijuar tensione alarmi tek qeveria greke.

Comments

Popular posts from this blog

ÇAMERIA GJATE LUFTES SE DYTE BOTERORE

THE GENOCIDE OF CHAMERIA

NURI DHE MAZAR DINO