PERLA TE CAMERISE


Selman Sheme sjell në një libër monumentet natyrore dhe kulturore të Çamërisë



Mbi Pargë ka rënë mbrëmja. Dritat e shtëpive në lagjen e kalasë reflektohen mbi Jon. Dikur në rrugët e këtij qyteti ecte e menduar Dora d‘Istria, ndërsa Kol Idromeno nuk i hoqi asnjëherë nga telajot ndjesitë që i jepte ky qytet. Prof. as. dr Selman Sheme ka zgjedhur momentet më të ndjera të këtij qyteti për t‘i sjellë në një nga botimet më të plota me imazhe nga Çamëria, "Monumente natyrore dhe kulturore të Çamërisë". Botim i "Ideart", vetëm në një shfletim ky libër na fton të udhëtojmë në perlat e Çamërisë, të ndalemi jo vetëm në shkëlqimin e Pargës, por edhe në Arta, Janinë, Arpica, Margëlleçi, në teatrin antik të Dodonës, në luginën e lumit Gliqi, në çezmën e njohur në afërsi të xhamisë së Paramithisë apo në plazhin e gjatë të Karavastarit.Prof. as. dr. Sheme ka udhëtuar kudo në këto zona, për të sjellë me gjuhën e fotos dëshmitë e ekzistencës së një natyre të mrekullueshme. Nëse historia dhe politika i kanë lënë një ndjesi jo të mirë banorëve të këtyre hapësirave, duke i shkëputur nga gjysma tjetër e tyre, natyra duket se ka kompensuar gjithçka, duke dhënë gjithë dashurinë e saj për ta mbushur këtë vend. Një foto mund ta bëjë më të plotë përfytyrimin që na shfaqet nëpërmjet fjalive. Dhe Sheme, një i pasionuar pas historisë dhe njohës i mirë i saj, e di se këto imazhe do të grishin jo vetëm dëshirën për t‘i vizituar këto vende, por dëshpërimin tek ata njerëz, pjesë e kësaj toke, që prej vitesh nuk janë më pjesë e saj, por dhe do të japin një histori më të plotë të Çamërisë, aq të diskutuar mes politikës të Greqisë dhe Shqipërisë, të Çamërisë, që duket aq e bukur nëpërmjet këtyre imazheve. Prof. as. dr. Selman Sheme vjen në këtë botim jo vetëm si një historian me një hulumtim të saktë të historisë së kësaj hapësire, por edhe si një personazh që ka dashur të japë diçka tjetër përtej fjalëve nëpërmjet fotove, duke treguar atë pafundësi monumentesh natyrore dhe kulturore që mbart kjo zonë."Bregdeti i Çamërisë dallohet për larminë e resurseve turistike, të cilat janë unikale në të gjithë Mesdheun. Ajo është një rajon kodrinor-malor. Megjithatë, të pakta janë zonat ku lartësitë i kalojnë 1000 m nga niveli i detit. Në pjesën lindore, në formën e një harku me drejtim veriperëndim-juglindje, shtrihet sistemi malor i Pindeve, i cili përbëhet nga disa vargmale në formë kubeje, që ndahen prej disa luginash gjatësore tektonike të përbëra nga flishi..." - shkruan ai. Informacionet mbi këtë zonë janë të pafundme. Aq sa të duket sikur po depërton në çdo cep të asaj që jemi mësuar ta quajmë me emrin Çamëri. Ai tregon për lumenjtë kryesorë të Çamërisë, të cilët janë: Kalama, Arta, Lluri, Akreroni dhe Pavlla. "Lumenjtë e rajonit të Çamërisë karakterizohen nga lëkundje të theksuara sezonale të nivelit dhe nga një regjim i paqëndrueshëm", shkruan Sheme. Sipas tij, ka mbi një shekull që krahina e pastër etnike shqiptare e Çamërisë i është nënshtruar një procesi të egër asimilimi dhe helenizimi. Ky proces u intensifikua pas vitit 1913 me pushtimin e Çamërisë, kur filloi një trysni e pandërprerë e shtetit dhe forcave të ndryshme ultranacionaliste greke për shkombëtarizimin e kësaj krahine shqiptare dhe helenizimin e saj. Për Prof. as. dr. Selman Shemen, strategjia e helenizimit është realizuar në disa etapa, duke zbatuar tri rrugë: "Së pari, spostimin etnik nëpërmjet një gjenocidi të egër ndaj popullsisë shqiptare të besimit mysliman. Për këtë qëllim u përdorën të gjitha mënyrat si: grabitja e tokës, përjashtimi i popullsisë nga pjesëmarrja në administratat shtetërore, ndalimi i dhunshëm i arsimit në gjuhën amtare, torturat e rënda, burgimet, dëbimi me dhunë e deri në masakra të përgjakshme.Së dyti, ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë nëpërmjet kolonizimit të krahinës me imigrantë grekë dhe vlleh të ardhur nga pjesë të ndryshme të Greqisë dhe nga Azia e vogël. Së treti, asimilimi i popullsisë shqiptare të besimit ortodoks nëpërmjet dhunimit të identitetit të saj kombëtar, ndalimit të përdorimit të gjuhës shqipe dhe mësimit të saj në shkollë etj.", shkruan prof. as. dr. Selman Sheme.Sipas tij, "kjo strategji dhe praktikë shkombëtarizimi është mbështetur dhe mbështetet edhe në kohën tonë nga konceptet "shkencore" të disa studiuesve grekë, që pretendojnë se "të gjitha fiset që jetonin në Epirin e Lashtë i takonin etnisë greke" dhe se "deri në lumin Shkumbin kishin qenë tokat e Epirit që ishin banuar nga grekët".Vështrimi historik i prof. as. dr. Selman Shemes është tepër i qartë. Po përtej këtij vështrimi ajo që të bën të ndalesh te ky botim janë edhe peizazhet e larmishme që vijnë nëpërmjet fotove. Ato janë një mënyrë për të depërtuar më thellë në gjithçka të rrëfyer nga historia. Kjo krahinë është një zonë e pasur dhe për vlerat e trashëgimisë kulturore. Çezma në afërsi të xhamisë së Paramithisë ruan arkitekturën e së shkuarës, po ashtu edhe kështjella e Paramithisë dhe shtëpitë e rrënuara në fshatin Vrahana në rrethin e Gumenicës, tregojnë ekzistencën e dikurshme në këtë hapësirë.Prof. as. dr. Selman Sheme ka bërë një udhëtim plot dashuri në hapësirën aq të njohur me emrin Çamëri, një udhëtim që tashmë i shndërruar në këtë libër vjen si një dëshmi e vërtetë e një historie që ende nuk ka përfunduar... Suli Veçoritë gjuhësore, zakonet dhe traditat folklorike popullore të kësaj zone janë të njëjtat me popullsinë tjetër të Çamërisë. Viset malore të Sulit kanë pasur një kanun të tyren, "Kanunin e Papa Zhulit". Në veri të Çamërisë, në krahinën e Labërisë, vepronte kanuni tjetër, që populli e quante "Shartet e Idriz Sullit". Gojëdhëna thotë se këtu vepronte kanuni i Papa Zhulit, pasi Idriz Sullio nga Zhulati nderoi katër norma kryesore prej tij dhe, si rrjedhim, ndërroi edhe disa norma të tjera që rridhnin prej tyre. Po të analizosh normat e së drejtës zakonore, veçanërisht në fushën e së drejtës së familjes, trashëgimisë etj., vërehet se në përgjithësi janë të njëjta si në Çamëri, ashtu edhe në Labëri. Paramithia Paramithia është një qytet i themeluar në mesjetën paraturke, në një pozicion gjeografik qendror të hapësirave të populluara nga shqiptarët e krahinës së Çamërisë. Nga normanët thirrej Castelnovo (Kështjella e Re), ndërsa nga venedikasit Ajdonat, me emrin e kishës së Shën Donatit. Kjo qendër urbane ka qenë qyteti më i madh dhe qendër administrative në Çamëri deri në 1910-ën, ku si qendër administrative u bë Reshadija (Gumenica e sotme).

G.Shqip

Comments

Popular posts from this blog

ÇAMERIA GJATE LUFTES SE DYTE BOTERORE

THE GENOCIDE OF CHAMERIA

NURI DHE MAZAR DINO